EmailFacebookKontakt

Një qasje me dashuri ndaj figurës së nënës

Më 4 nëntor të vitit të largët 1929, në Pire lindi ai që dekada më vonë do të bëhej Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, për të ringritur Kishën e dërrmuar nga persekutimi ateist, atë dhe kryebari i një grigje që u privua brutalisht nga Perëndia…

Sot, Kryepiskopi Anastas njihet botërisht si kurues i thellë i Teologjisë, Kryeprift orthodhoks, i rreptë dhe plot dashuri për njeriun si krijesë e Perëndisë, erudit me ndikim dhe gjerësisht i pranuar. Kur është pyetur për kushtet e ardhjes së tij në jetë, Fortlumturia gjen rastin t’i referohet figurës së nënës, personit që Perëndia ka zgjedhur për t’i dhënë vijim misterit të jetës.

Në një kohë ku, pavarësisht pretendimeve për të kundërtën, është vënë në shënjestër familja tradicionale, ku gruaja fyhet në mënyrën më dinake dhe me legjislacione të institucionalizuara, e të drejtën e ndërprerjes së shtatzënisë dhe shpërfytyrimin e rolit të saj si bashkëshorte, duke e quajtur “privim të lirisë”, ia vlen referimi në tregimin e Kryepiskopit për përvojën e tij fëmijërore. Nuk është nostalgjia për nënën dhe fëmijërinë që e bën tregimin interesant, por mesazhet didaktike që përcjell, duke u fokusuar në rolin e nënës dhe gruas orthodhokse në përcjelljen e besimit, brumosjen e fëmijëve në jetën dhe misteret e Kishës, duke u bërë kështu faktor i pazëvendësueshëm në ripërtëritjen e besimit.

Duke e konsideruar në këtë prizëm si dobi shpirtërore por edhe këshillim për nënat e reja, për motra që nisën një shtatëzani në kushte që nuk i kishin planifikuar, për t’u ardhur në ndihmë grave që tulaten nga mizoria e propagandave që synojnë shpërfytyrimin e natyrës së tyre të dhënë nga Perëndia por edhe si një mësim i fuqishëm për gjithsecilin për mirënjohjen dhe respektin për nënën, po botojmë kujtime të Kryepiskopit Anastas për përjetimet e tij mbi ardhjen në jetë sipas rrëfimeve nga nëna e tij.

“U përballa me vdekjen përpara se të shihja dritën e diellit”

… Në pranverën e vitit 1929, një grua rreth 39 vjeçe, znj. Roksana, has një problem shumë të madh. Mjeku e këshillon ta ndërpresë shtatzëninë për shkak të pafuqishmërisë së saj trupore, sepse, sipas tij, do ishte vështirë të mbijetonte fëmija por edhe ajo vetë. Ajo shkon te kisha e Ungjillëzimit, në Pire. Bie në gjunjë dhe pëshpërit: “E Tërëshenjta ime, unë këtë gjë nuk mundem ta bëj. Do ta mbaj fëmijën dhe le të bëhet ajo që ti dëshiron”. Dhe djali i saj lindi më 4 nëntor 1929. Isha unë…

…Nëna ime e mbështeste fuqinë e saj te besimi në Zotin. Ishte një grua me arsim bazë, sipas mundësive të kohës, por e mbaj mend deri në pleqërinë e saj duke mbajtur në dorë një libër për besimin. E di se për atë, ajo shtatzëni ishte një periudhë pritshmërie e paqtë e me shpresë. Lavdëroj Perëndinë pasi linda në një atmosferë shpresëtarie. Kur isha i vogël më merrte me vete në kishë dhe shpeshherë në agripni, ku mua më zinte gjumi. Është një fotografi në të cilën zonja Roksana është tashmë 82 vjeçe dhe fytyra e saj shndrit. Ishte pas hirotonisë sime në episkop…

… Kur isha episkop, e tregova publikisht këtë histori në një diskutim lidhur me abortet. Natyrisht, duke rrëfyer historinë time, në asnjë mënyrë nuk dua të lëndoj, pa dashje, gra të cilat përballojnë probleme delikate dhe duhet të marrin vendime të vështira. Secili rast ka specifikat e veta dhe duhet trajtuar me taktin e nevojshëm…”.

Orfea Beci