Më dt. 8 maj 2024, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i dërgoi një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore lidhur me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Kryeministrit të Republikës, Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Avokatit të Popullit dhe për dijeni, Presidentit të Republikës.
Bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, pasi u njoh nga mediat me projektligjin ka ngritur një grup pune nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë: juristë, sociologë, teologë dhe mjekë dhe punoi për ta shqyrtuar atë. Në këtë grup, Kisha jonë u përfaqësua nga znj. Valbona Duri dhe z. Thoma Çomëni.
Pas analizës së punës së këtij grupi, nëpërmjet kësaj letre, Këshilli Ndërfetar ngre shqetësimin, para Kuvendit dhe Qeverisë, për hedhjen për konsultim publik të këtij projektligji pa u konsultuar më herët me grupet e interesit, përfshirë Komunitetet Fetare, mungesën e relacionit të argumenteve, që kanë shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale për të propozuar një projektligj me efekte negative për shëndetin e individit, fëmijës, familjes dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.
Argumentet e shumta juridike, mjekësore, etike, sociale dhe teologjike përbëjnë themelet e qëndrimit tonë kundër projektligjit në formën në të cilën është paraqitur dhe nxisin rishqyrtimin e tij duke u bazuar në:
1. Jo sterilizimit: Moslejimin e sterilizimit si metodë kontraceptive, veç rasteve kur ka indikacion mjekësor, përcaktuar kjo nga një komision i posaçëm mjekësor dhe me kërkesë të të rriturit.
2. Stimulimin e lindshmërisë, duke shtuar kujdesin dhe mbështetjen me më shumë masa sociale, ekonomike, edukative, shëndetësore etj.
3. Aborti: Rritjen e ndërgjegjësimit kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë, veç rasteve kur ka tregues mjekësor dhe është e rrezikuar jeta e nënës, përcaktuar kjo nga komisioni i posaçëm mjekësor.
4. Jo surrogacisë: Ndalimin plotësisht të mëmësisë zëvendësuese/surrogate në Shqipëri.
5. Mbrojtjen e konceptit të familjes me prindër nënë dhe baba.
6. Moszëvendësimin e lidhjes bashkëshortore me termin “femra pa partner”.
I. ANALIZA LIGJORE DHE JURIDIKE NË LIDHJE ME ELEMENTE SPECIFIKE RISITË PROJEKTLIGJIT TË RI
1. Planifikimi familjar / sterilizimi (Neni 10).
2. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë (Neni 12, pika 4).
3. Teknikat e riprodhimit të asistuar (Neni 15/18/19).
4. Përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar (Neni 19).
5. Shtatzënia surrogative (Neni 22).
6. Birësimi surrogativ – parashikim referues në Kodin e Familjes për birësimin surrogativ (Neni 22, pika 6).
Konkretisht:
1. Planifikimi familjar /sterilizimi (Neni 10)
Parashikim: Sterilizimi kirurgjikal është parashikuar si metodë për planifikimin familjar dhe kryhet vetëm kur pacienti jep pëlqimin me shkrim dhe kur plotëson kriterin moshë të parashikuar në të njëjtin nen (18 vjeç për femrat dhe 23 për meshkujt, nën këtë moshë nevojitet leje nga Komisioni për Vlerësim Mjekësor).
Oponencë: Sterilizimi, si metodë kontraceptive për të rriturit, edhe pse parashikohet në shumicën e vendeve të zhvilluara, në kontekstin shqiptar bie ndesh me parimet e përgjithshme të mbrojtjes së jetës dhe të familjes.
Për më tepër, sterilizimi i të miturit është i ndaluar (p.sh. legjislacioni francez parashikon ndalimin e sterilizimit të të miturit. Madje, edhe sterilizimi i personave me aftësi ndryshe vendoset me vendim gjyqësor, me kërkesë të prindërve dhe mendimit të komisionit rajonal shëndetësor).
Për shoqërinë shqiptare, kjo metodë, e pashoqëruar me garancitë e duhura ligjore përkundrejt abuzimit, nuk krijon besueshmëri që do t’i shërbejë qëllimit të planifikimit familjar. Projektligji parashikon një vullnet të individit për sterilizim kirurgjikal, por ndërkohë nuk parashikohet se si do të shprehet ky vullnet; se si do të mbrohet individi nga vullneti i vesuar; se si vullneti i një individi nën moshën e caktuar t’i besohet një komisioni të zakonshëm dhe të papërcaktuar në drejtim të përzgjedhjes së anëtarëve; apo edhe nëse do të jenë të spitalit shtetëror, apo privat. Kjo e fundit krijon një rrezik të shtuar në drejtim të abuzimit me këtë të drejtë që i jepet një individi, apo një klinike a spitali privat.
Sterilizimi i detyruar, sipas praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, bie ndesh me të drejtat e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
2. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë (Neni 12, pika 4)
Parashikimi: Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda 14 javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë disa kushte të parashikuara në këtë nen.
Oponencë: Në këndvështrimin ligjor janë të rralla shtetet që në legjislacioni e tyre dënojnë ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë. Ndërsa në aspektin etik, moral dhe fetar ne shprehim qëndrimin tonë kundër abortit dhe pro jetës, përveç rasteve kur vihet në rrezik shëndeti i nënës.
3. Teknikat e riprodhimit të asistuar (Neni 15/18/19)
Parashikimi: Neni, 15, pika 1: “teknikat e riprodhimit të asistuar janë procedura që kanë për qëllim të rregullojnë nevojat e një individi ose të një çifti”; pika 3: Përdorues të këtyre teknikave do të jenë çiftet heterologe të martuara ose që bashkëjetojnë, si dhe gruaja pa partner.
Neni 18, pika 6: Dhurimi i qelizave riprodhuese ose embrione
Numri maksimal i autorizuar për fëmijë të lindur në Shqipëri, që gjenerohen me qeliza riprodhuese të të njëjtit dhurues, si për dhuruesin e spermatozoideve, ashtu edhe për dhuruesen e vezëve, nuk duhet të jetë më i lartë se 5 (pesë). Në raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime, kur gruaja ose çifti kërkon një fëmijë të dytë ose të tretë nga i/e njëjti/njëjta dhurues/dhuruese.
Neni 19, Përdoruesit e teknikave
1. E drejta për riprodhim mjekësor të asistuar, përfshin të drejtën e riprodhimit për çiftet heteroseksuale dhe gruas pa partner.
4. Gruaja mund të jetë përfituese apo përdoruese e teknikave të rregulluara në këtë ligj pavarësisht gjendjes së saj civile.
Oponencë: Shkelje e Kodit të Familjes, ku termi “grua pa partner” nuk parashikohet në asnjë dispozitë të Kodit të Familjes. Ky term i ri mund të shtyjë edhe fertilizimin nga një çift i të njëjtës gjini, por le vend edhe hapësirë për trafikim qeniesh njerëzore, shkelje e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e drejta e jetës dhe të drejtat e fëmijëve.
Gjithashtu, përfshirja në të njëjtën dispozitë, Neni 15, pika 1 e termit “individ”, si dhe e parashikimit të “gruas përfituese pavarësisht gjendjes civile” në Nenin 19 pika 4, janë në kundërshtim me Kodin e Familjes. Në këtë kod nuk përfshihen terma të tilla kur bëhet fjalë për fëmijën, të drejtat që shoqërojnë atë që nga lindja. Në Nenin 5 të Kodit të Familjes parashikohet shprehimisht se: “Çdo fëmijë, për një zhvillim të plotë dhe harmonik të personalitetit, ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar…”
Po kështu, lidhur me termin “individ” në nenin në pikën 1 të Nenit 15, ku parashikohet se teknikat e riprodhimit të asistuar janë procedura që kanë për qëllim të rregullojnë nevojat e një individi ose të një çifti, konstatohet se nëpërmjet këtij parashikimi tashmë shtohet edhe një subjekt tjetër, përveç “gruas pa partner” të sipërpërmendur: atij të një individi të papërcaktuar, duke lënë shteg edhe për një person jo të gjinisë femërore?
4. “Përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar”
Parashikimi: Neni 19 parashikon në pikën 2: “Riprodhimi mjekësor i asistuar, mund të ndodhë edhe kur ka një marrëveshje midis një gruaje që mbart mitrën e saj dhe lind një fëmijë për një grua tjetër, e cila e ka të pamundur të lindë fëmijë”.
Oponencë: Huazimi i mitrës është i ndaluar në shumë vende të zhvilluara evropiane (Francë, Belgjikë, Gjermani, etj.). Parashikimi i këtij projektligji cenon respektin e trupit njerëzor, dinjitetin e gruas dhe të fëmijës.
5. Shtatzënia surrogative (Neni 22)
Parashikimi: ” 1. Shtatzënia surrogative bëhet në bazë të një marrëveshje me shkrim midis gruas që dëshiron të ketë një fëmijë, por që ndodhet në kushtet e pamundësisë mjekësore, dhe gruas që do të bartë fetusin në mitrën e saj dhe do të lindë fëmijën për llogari të së parës. 2. Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, në rast se mbetet shtatzënë. 3. Gruaja zëvendësuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. 4. Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë. 5. Procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për një shtatzëni surrogate, përcaktohen në protokollin përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”
Oponencë: Ky nen paraqet vullnetin e propozuesve të projektligjit për t’i hapur rrugën mundësive të shumta të abuzimit me femrën dhe dinjitetin e saj, si dhe mosgarantimit të drejtave të fëmijës. Përdorimi i termit “surrogative” në vend të “zëvendësuese” duket i qëllimshëm, për shmangien e ndërgjegjësimit të opinionit publik për kuptimin dhe rreziqet që paraqet iniciativa e ligjit. Për më tepër “shfrytëzimi i mëmësisë zëvendësuese” është konsideruar si akt Kriminal nga Parlamenti Evropian në Direktivën respektive kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave.
6. Birësimi surrogativ (Neni 22, pika 6)
Parashikimi: Pika 6 e Nenit 22 përbën një parashikim referues në Kodin e Familjes për birësimin surrogativ, Neni 261, i cili parashikon: “Për birësimin surrogativ, të parashikuar në ligjin nr. 8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”, zbatohen të njëjtat kritere dhe procedura për birësimin, sipas këtij Kodi dhe legjislacionit përkatës”.
Oponencë: Dispozita referuese në rastin konkret duhet të kundërshtohen me forcë pasi paqartësia dhe mosparashikimi i shumë detajeve nëpër nenet konkrete, përfshirë edhe pikën 6 të nenit 22 të projektligjit, lënë shteg për abuzime me birësimin dhe cenojnë drejtpërdrejt të drejtat dhe interesin më të lartë të fëmijës.
Disa argumente që ky projektligj bie ndesh dhe cenon
1. Të drejtën e jetës, dinjitetit njerëzor dhe lirisë.
a. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, nga e cila burojnë të gjithë kartat dhe protokollet e te drejtave të njeriut të përcaktuara në preambolo dhe në Nenin 1,2 dhe 3 të deklaratës (DUDNJ).
2. Shkelen direktivat dhe normat e Bashkimit Europian, ku Shqipëria aderon dhe ka detyrim t’i zbatojë.
3. Mbi surrogacinë (Referuar ligjit, qëndrimeve dhe argumenteve të BE-së).
a. “Trafikimi njerëzor është një akt kriminal që ka një kosto të lartë njerëzore.” – u shpreh Ministri i Drejtësisë së Belgjikës, i cili është ndër figurat që analizoi fenomenin e surrogacisë në arenën evropiane.
4. Duke u nisur nga qëndrimet dhe qasja e BE- së, Parlamenti Evropian e shpalli surrogacinë një “krim të ri”, duke e përfshirë në Direktivën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Më 24 prill 2024, Parlamenti Evropian votoi unanimisht me 563 vota pro, 7 kundër dhe 17 abstenim, duke e konsideruar surrogacinë zyrtarisht një formë të trafikimit njerëzor (krim europian).
5. Shtetet evropiane në përgjithësi e ndalojnë surrogacinë pasi konstatojnë shkeljen e dinjitetit të fëmijës dhe nënës surrogate. Pasojat gjenetike dhe emocionale të surrogacisë për fëmijët, prindërit dhe brezat e ardhshëm përbëjnë një kërcënim për familjen, e cila është bërthama e shoqërisë sonë. Fëmija është një dhuratë nga Zoti dhe jo një objekt që, për të përmbushur dëshirat dhe egoizmin e të rriturve, materializohet në industrinë e surrogacisë.
6. Komercializimi i riprodhimit, ku të pasurit mund të blejnë fëmijë, përbën një aspekt shqetësues dhe përkeqësues për shoqërinë. Jetëzimi i surrogacisë mund të transformojë konceptin e riprodhimit nga një eksperiencë natyrale dhe personale, në një akt shitblerjeje sipas nevojës. “Shërbimet” e riprodhimit do të blihen nga personat me kushte më të mira financiare.
7. Aspekti financiar mund të krijojë probleme etike dhe të shfrytëzimit të grave nga shtresa më e varfër, të cilat mund të detyrohen të bëhen nëna surrogate vetëm për arsye financiare dhe jo me vullnetin e tyre të lirë.
8. Ekzistojnë disa anë negative për barazinë gjinore, të cilat sjellin pasoja negative në situatat ndërkombëtare. Praktika e surrogacisë ka shfaqur problematika për nënat surrogate në Ukrainë që, për shkak të luftës, dëshironin të linin vendin por nuk lejoheshin për shkak se duhet ta lindnin fëmijën në tokën ukrainase.
II. ASPEKTI SHËNDETËSOR
Analiza etike dhe shëndetësore në lidhje me elemente specifike risi e projektligjit të ri
1. Sterilizimi / Planifikimi familjar (Neni 10).
2. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë (Neni 12).
3. Përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar (Neni 19)
4. Shtatzënia surrogative (Neni 22) Konkretisht:
1. Sterilizimi / Planifikimi familjar/sterilizimi (Neni 10)
Parashikim: sterilizimi kirurgjikal është parashikuar si metodë për planifikimin familjar dhe kryhet vetëm kur pacienti jep pëlqimin me shkrim dhe kur plotëson kriterin moshë të parashikuar në të njëjtin nen (18 vjeç për femrat dhe 23 për meshkujt, nën këtë moshë nevojitet leje nga Komisioni për Vlerësim Mjekësor).
Oponencë: Sterilizimi, si metodë kontraceptive është një ndërhyrje mjekësore që ndikon në trupin dhe shëndetin e individit për gjatë gjithë jetës. Edhe pse mund të jetë një veprim me pëlqimin e vetë personit, është i pakthyeshëm dhe me pasoja për jetën e tij.
Lehtësimi i një ndërhyrje të tillë bie në kundërshtim me rastet e njerëzve të penduar që e aplikojnë atë, ku mbi 83 % e atyre që kanë kryer sterilizimin pas një kohe kanë shfaqur pendesë dhe, akoma më e rëndë, kur bëhet fjalë për të rinj, vajza 18- vjeçare ose djem 23-vjeçarë, të cilët mund të mos kenë informacionin e mjaftueshëm mbi pasojat dhe parikthyeshmërinë e tij.
2. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë (Neni 12)
Parashikimi: Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda 14 javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë disa kushte të parashikuara në këtë nen.
Oponencë: Bazuar në studimet dhe hulumtimet më të rëndësishme embrioni njerëzor që nga java e 6-të e gravidancës fillon të zhvillohet me diferencimin e organeve jetësore dhe formimin e shenjave të ndryshme identifikuese, duke arritur një diferencim të dukshëm në javën 13-14 të gravidancës ku, me përdorimin e teknologjisë dhe metodave gjenetike, mund të arrihet të përcaktohet edhe gjinia e fetusit.
Në Shqipëri janë realizuar rreth 30.000 aborte në 5 vitet e fundit, rreth 220 aborte për 1.000 lindje, – një përqindje tejet e lartë.
Aktualisht sot jemi në nivelin e lindshmërisë 1.4 fëmijë për grua, ndërkohë që niveli i mbijetesës së shoqërisë është minimalisht 2.1.
Pra zgjidhja nuk është të stimulojmë abortin, (një mjet vrastar), por të stimulojmë lindshmërinë me më shumë masa sociale, ekonomike, edukative, shëndetësore etj.
Nga ana tjetër “aborti selektiv” është vrasësi më i madh i fetusit të seksit femër, pra bie ndesh direkt me të drejtat e grave.
Nga viti 1990 deri më sot nëpërmjet “abortit selektiv” të jashtëligjshëm – në vendin tonë janë vrarë 33.000 fetuse femërore, mbas përcaktimit të seksit intrauterin. Kjo ka bërë që në Shqipëri të kemi një raport mashkull/femër 112/100 nga 105/100 që është normaliteti i shoqërisë.
Ligjërimi i abortit deri në javën e 14-të:
· Prek fetusin në një periudhë të rëndësishme të formimit dhe zhvillimit si qenie njerëzore edhe nga ana biologjike.
· Ligjëron abortet selektive me bazë gjinore duke i vrarë ato.
· Shton kohëzgjatjen e periudhës së abortit, duke favorizuar incidencën e tij.
Të gjitha këto janë politika jo vetëm kriminale, por dhe krejt ndesh me interesat reale të popullsisë dhe shoqërisë sonë.
Sugjerimi ynë do të ishte jo rritja e moshës së lejuar të abortit, por reduktimi i saj nga 12 javë në 8 javë.
3. Përdoruesit e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar (Neni 19)
Parashikimi: Neni 19 parashikon në pikën 2: “Riprodhimi mjekësor i asistuar mund të ndodhë edhe kur ka një marrëveshje midis një gruaje që mbart mitrën e saj dhe lind një fëmijë për një grua tjetër, e cila e ka të pamundur të lindë fëmijë”.
Oponencë: Në këtë praktikë, një grua detyrohet të marrë me qira trupin e dikujt për qëllime riprodhuese, pavarësisht nga motivet që e nxisin atë, qoftë presioni psikologjik apo nevojat ekonomike.
Shtatzënia me kontratë gestacionale kërkon javë të tëra injeksionesh hormonale, si dhe teste të pakëndshme për të vlerësuar bllokimin e mundshëm në tubat fallopiane dhe procedurën ndonjëherë shumë të dhimbshme të transferimit të embrionit.
Kjo procedurë mund të shoqërohet me efekte anësore, si dëmtim i përkohshëm apo i përhershëm i shëndetit riprodhues të gruas që i nënshtrohet.
4. Shtatzënia surrogative dhe teknikat e riprodhimit të asistuar (Nenet 15,18,19, 22)
Parashikimi: ” 1. Shtatzënia surrogative bëhet në bazë të një marrëveshje me shkrim midis gruas që dëshiron të ketë një fëmijë, por që ndodhet në kushtet e pamundësisë mjekësore, dhe gruas që do të bartë fetusin në mitrën e saj dhe do të lindë fëmijën për llogari të së parës. 2. Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, në rast se mbetet shtatzënë. 3. Gruaja zëvendësuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. 4. Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë. 5. Procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për një shtatzëni surrogate, përcaktohen në protokollin përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”
Oponencë: Surrogatia është një nga procedurat mjekësore, që më shumë se çdo gjë tjetër vë përballë dinjitetin njerëzor me paranë që fitohet për shkak të “mëditjes” së punës riprodhuese të grave.
Bazuar në studime dhe hulumtime, lidhja femijë – nënë fillon që në jetën intrauterine. Fëmija, që nga muaji i 3-të i gravidancës, fillon dialogun sensorial me nënën, duke u bërë fëmijë i asaj nëne, pavarësisht nga lidhja gjenetike.
Fëmija fillon të dallojë zërin e nënës, rrahjet kardiake, ambientohet edhe me shijet ushqimore të nënës nëpërmjet qarkullimit të lëngut amniotik, njeh aromën e nënës etj.
Po kështu edhe sistemi imunitar i fëmijës plotësohet e pasurohet gjatë gravidancës nga nëna që e mban në uterus, duke krijuar një lidhje imunitare të përbashkët.
Në fakt që nga muaji i 6-të i gravidancës fetusi merr pjesë aktive në jetën e nënës, pra midis të dyve krijohet një lidhje e fortë, që vazhdon edhe pas lindjes.
Pika e kontaktit të fëmijës me ambientin direkt pas lindjes është nëna. Prandaj fëmija i porsalindur i jepet në krah menjëherë nënës.
Ndarja, që kërkohet të bëhet në këto raste sipas propozimit ligjor, përveç shumë problemeve të tjera mjekësore, mund të krijojë edhe trauma të forta psikike e psikologjike, si të fëmijës, ashtu dhe të nënës që e mban në uterus.
Pra këtu problemet nuk janë vetëm etike e morale, por edhe thellësisht biologjike, mjekësore dhe gjenetike.
Aplikimi i këtij ligji do të shërbejë kryesisht për të kthyer vendin tonë në një “fermë” fetusesh e trafikimesh ndërkombëtare të riprodhimit nën drejtimin e grupeve të ndryshme kriminale kombëtare e ndërkombëtare.
Po ashtu, rrit mundësinë për disa çifte që të kërkojnë një “fëmijë dizajner” duke qenë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha për konceptimin e këtyre embrioneve.
Sugjerimi ynë do të ishte ndalimi i plotë i surrogatisë në Shqipëri.
III. ASPEKTI SOCIAL DHE ETIK
Në projektligj është parashikuar “fertilizimi” si një nga teknikat e përdorura për arritjen e një shtatzënie. Lidhur me këtë term, duam të theksojmë qëndrimin tonë se teknikat mjekësore që i vijnë në ndihmë një çifti bashkëshortësh për të pasur mundësinë e një shtatzënie duhet të jenë brenda kuadrit të konceptit fëmijë – fryt i marrëdhënies midis gruas dhe burrit bashkëshortë midis tyre, që krijojnë bazën e familjes. Në këtë këndvështrim, është e papranueshme parashikimi i teknikave artificiale të krijimit të fëmijës, – përdorimit të dhuruesve, apo terminologjisë “partner”, “për nevojat e individit” “embrione njerëzore të krijuara” të përdorura në projektligjin në fjalë. Çdo fëmijë ka të drejtën e tij të ketë një nënë dhe baba të njohur prej tij, e cila nuk mund të garantohet nëpërmjet një ngjizje artificiale.
Gjithashtu, nën të njëjta konsiderata, quajmë të papranueshme parashikimet e ligjit në fjalë lidhur me krijimin e bankës për ruajtjen e embrioneve, ose qelizave riprodhuese dhe institucionit përkatës ruajtës dhe asgjësues të tyre. Me anë të këtyre parashikimeve, disa njerëz prindër/mjekë vendosin dhe përcaktojnë fatin e njerëzve të tjerë (femijës). Natyrshëm në këtë situatë lind pyetja – kush jemi ne, që vendosim për fatin e tyre nëse do të jetojnë, apo do të vdesin, si do t’i përgjigjemi fëmijëve në rast se për ata vendosim të jetojnë – kur të marrin vesh për vitet e qëndruar në frigorifer dhe mundësinë, që ata edhe mund të mos kishin ardhur në jetë?! Këto përpos qëndrimit fetar, krijojnë çështje etiko-sociale, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në qenien e njeriut në drejtim të tronditjes së marrëdhënieve njerëzore.
Rreziku tjetër i shtuar për sa i përket ligjërimit të bankës së ruajtjes së embrioneve, apo mundësinë e asgjësimit të tyre lidhet edhe me mundësinë e abuzimit, që mund të ndodhë me këto parashikime në drejtim të trafikimit të qenieve njerëzore, apo organeve.
Perspektiva individualiste e të drejtave
Duke vërejtur qasjen e përdorur nga projektligji, konstatojmë se të drejtat e përcaktuara aty bazohen mbi një interpretim individualist të subjektivitetit, sikur njeriu të mund të përcaktohej plotësisht, duke u nisur vetëm prej ekzistencës së vet si subjekt individual. Në logjikën e absolutizimit të përmasës individuale (mbështetur edhe nga e drejta për privacy, e kuptuar jo si duhet), të drejtat që lidhen me praktikat e ndryshme të parashtruara aty, zhvendosen në sferën private/individuale, me pretendimin gjithashtu për t’i parë ato të njohura dhe të nxitura prej strukturave publike.
Vijon numrin e ardhshëm të gazetës
(Argumentet e plota i gjeni edhe në website-n e Kishës sonë)