Në kuadrin e përurimit të Kishës Katedrale të Shën Savës, në Beograd, Patriarkana e Sërbisë u bëri ftesë të gjitha Kishave Orthodhokse motra për të marrë pjesë në këtë cermoni madhështore. Shën Sava ishte një princ, i cili asketoi si murg në Malin e Shenjtë. Pasi e morën vesh se kush ishte, e bënë episkop, i cili baritoi grigjën e tij në vendin e tij të lindjes.
Ftesa drejtuar vetë Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasit, në nderim të Kishës sonë, ishte e mirëpritur. Por, për arsye të programit shumë të ngjeshur, vetë Kryepiskopi caktoi që ta përfaqësonin atë dhe Kishën tonë një përfaqësi e përbërë nga Hirësi Joani, Mitropolit i Korçës, Arkimandrit Efrem Simonopetriti dhe Hieromonaku Kozma.
Përfaqësia mbërriti në mëngjesin e së premtes, më 7 maj dhe u prit me mjaft ngrohtësi në aeroport nga episkopi i Vranjës, Pahomi dhe klerikë të tjerë. Hapja e festimeve u bë të shtunën me një dhoksologji dhe Mbrëmësoren e Ngjalljes, në prani të primatëve dhe përfaqësive të Kishave Orthodhokse. Për nder të tyre u shtrua një darkë në parlament nga kryetari i parlamentit dhe princi Karl. Të dielën u celebrua mesha në një manastir, në periferi të Beogradit nga kryepiskopi i Polonisë Ilia, Nikollai i Çekisë dhe hierarkë të tjerë. Dreka e së dielës u shtrua në pallatin mbretëror, që më parë kishte qenë pallati i Titos, më pas i Sllobodan Milosheviçit, por që tani e kishte në kujdes vetë Princi trashëgimtar. Në të ndodhej një kishë ku ateistët kur kishin hyrë në të kishin qëlluar me plumba ikonën e Krishtit Pantokrator në pjesën e fytyrës.
Mbasditen e së dielës, me mbërritjen e vetë Patrikut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij, Vartholomeut, u bë litania e sjelljes së lipsanit të Shën Savës nga qendra e kryeqytetit deri tek kisha katedrale, e shoqëruar nga psalme me shumë nderime dhe e pasuar nga mijëra e mijëra besimtarë, ku dhe u vendos atje. Vetë kryetari i bashkisë dhe princesha Karaxhoxheviç shtruan një darkë madhështore, duke nderuar kështu të gjithë pjesëmarrësit.
Të hënën në mëngjes celebroi vetë Patriku Ekumenik, Vartholomeu, së bashku me primatë të tjerë të Kishave Orthodhokse, si dhe përfaqësitë e Kishave motra Orthodhokse. Në të morën pjesë 40 episkopë si dhe shumë priftërinj. Të pranishëm ishin rreth 12 mijë besimtarë aq sa është dhe kapaciteti i vetë kishës katedrale.
Të martën, përfaqësuesit e Kishës sonë bënë vizita në disa manastire 60 km larg qytetit, ku ndërmjet tyre ndodhej dhe manastiri në të cilin ndodhet lipsani i Shën Angjelinës, vajzës së Gjergj Arianitit dhe motër Donikës, gruas së Gjergj Kastriotit. Na thanë se shenjten e thërrisnin në gjuhën e tyre Majka Angjelina, Nënë Angjelina.