Në një atmosferë të ngrohtë, më 28 janar, në sallën e madhe të Universitetit të Athinës, u krye një tjetër dekorim i Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, për prurjen në mendimin akademik dhe kontributin e tij shpirtëror. Ishte “Qendra e Studimeve e Kërkimeve Evropiane”, që i dorëzoi Fortlumturisë së Tij medalionin e nderit “Ioanis Kapodistrias”. Me këtë rast, sallën e kishin mbushur figura të shquara të shkencës dhe mendimit, të artit dhe kulturës…
Së bashku me Kryepiskopin Anastas u dekoruan edhe akademikët Kostandinos Dhespotopullos e Francesko Rodriger Atrantos (nga Spanja).
Gazeta me qarkullim të gjerë “Eleftherotipia”, shkruante në reportazhin e saj: “…Fisnik, i butë, i thjeshtë, njeri i ëmbël dhe bujar. U dekorua i pari për prurjen e tij të paçmuar në Letra, në Arsim dhe në Orthodhoksi, duke marrë dekoratën me emocion, në mjediset e Universitetit ku studioi dhe më vonë dha mësim..”
Veçanërisht për veprën e ringritjes në Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale dhe ringjalljen e shpresës në orthodhoksët e Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi është bërë simbol i mrekullisë së Hirit të Perëndisë. Duke qënë një bari shpirtëror kaq i kujdesshëm në përballimin e problemeve të komplikuara të Kishës sonë, njëherësh vazhdon veprimtarinë e tij prodhuese duke pasuruar me ide sa Mendimin Theologjik aq edhe për problemet e shoqërisë bashkëkohore.
Në ceremoni, për personalitetet që u nderuan folën z. Leonidha Kongesof, ish-rektor i Universitetit të Thrakës, z. Emanuil Mitrojanaqis, Dekan i Fakultetit Filozofik dhe z. Vasilis Folias, Prof i sociologjisë.
Në fjalën e Tij përshëndetëse dhe falenderuese, Kryepiskopi vuri theksin në faktin që ende ngelet shumë për të bërë. Ndër të tjera ai tha, se: “Ky dekorim, që sonte kishit mirësinë të më dorëzoni, përbën për mua më shumë një urim për të ardhmen se sa një referencë për arritjet. Perëndia të na bëjë të denjë të gjithëve, që, të frymëzuar nga serioziteti, vetmohimi dhe vepra frymëzuese e Joan Kapodistrias, të vazhdojmë me besim, me vizion dhe konseguencë përpjekjet tona të përulura, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie të drejtësisë, të paqes e të dashurisë, në rajonin më të gjerë ku jetojmë”.
Korresp. i “Ngjalljes”