EmailFacebookKontakt

Një letër-protestë ndaj Këshillit Bashkiak, Berat

“Një letër-protestë ndaj Këshillit Bashkiak, Berat”

Mësuam se më 8 qershor 2010, Këshilli Bashkiak i Beratit ka dekoruar zotin Sejfi Protopapa me medaljen “Nderi i Qytetit”. Motivacioni është sikur ai ka qenë “pjesëmarrës i Luftës II Botërore, fizikant i shquar i NASA-s në SHBA dhe mbrojtës i Kishës Ortodokse nga Janullatosi”.

Ju vëmë në dijeni se ky motivacion rezulton në opinionin publik i pabazuar në të vërtetën dhe vendimi për dekorim ka shkaktuar një jehonë plot çudi e indinjatë. Z. Protopapa ka qenë vërtet pjesëmarrës në luftë, fillimisht me rininë antifashiste, porse shpejt ndërroi mendim dhe kaloi në anën e kundërt. Ai akuzohet prej bashkëkohësve të tij si organizator i arrestimeve dhe i dënimeve të të rinjve antifashistë beratas që luftonin për çlirimin e Atdheut.

Gjithashtu, në Roskovec, z. Protopapa akuzohet si vrasës i një banori të zonës në atë kohë. Për t’i shpëtuar ndëshkimit, ai u largua nga Shqipëria në të njëjtën kohë kur tërhiqeshin edhe trupat hitleriane. Për të saktësuar vërtetësinë e këtyre akuzave duhet që Këshilli Bashkiak t’i drejtohet Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste të Beratit.

Në lidhje me famën si “fizikant në Amerikë”, z. Protopapa nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi që të vërtetojë se ai ka qenë fizikant i shquar me kontribut shkencor në NASA. Kërkesa për një dëshmi të tillë mund të na provohet ose mohohet edhe nëse Këshilli Bashkiak i kërkon një informacion Ambasadës së SHBA në Tiranë, ndonëse një dëshmi e tillë edhe po të na paraqitet nuk e fshin dot të kaluarën e palavdishme.

Për sa i përket mbrojtjes së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, ai nuk ka pse të ndërhyjë në punët e saj, sepse nga origjina i përket një besimi tjetër dhe duke vepruar si i tillë ai ngjall përçarje ndërmjet

shqiptarëve. Kryepeshkopi Anastas erdhi në Shqipëri me kërkesën e orthodhoksëve shqiptarë për mungesë kuadrosh fetarë, ashtu sikundër erdhën në Shqipëri misionarë të shumtë katolikë nga Papati i Romës dhe islamikë nga vendet arabe dhe Turqia. Ardhja e Kryepeshkopit Anastas në Shqipëri u miratua nga qeveria dhe Presidenti i Shqipërisë, Patriarkana Ekumenike e Konstandinopolit, Konferenca Evropiane e Kishave dhe autoritetet e larta të Këshillit të Evropës. Prej 19 vjetësh ky klerik i huaj vazhdon të drejtojë KOASH-in dhe se si ai ka punuar e vepruar deri më sot Këshilli Bashkiak duhet të marrë për saktësi e paanësi edhe mendimin e mërgimtarit tjetër në Amerikë, pasuesit të Fan Nolit, kancelarit të Kishës Ortodokse të Bostonit, atë Liolinit.

Për arsyet e sipërpërmendura, ne qytetarët e poshtëshënuar të Beratit e quajmë të nxituar vendimin e Këshillit Bashkiak “Nderi i Qytetit” për zotin Sejfi Protopapa dhe kërkojmë pezullimin e tij. Vetëm pas marrjes së përgjigjeve prej institucioneve të sipërpërmendura Këshillit Bashkiak të Beratit i lind e drejta të rishqyrtojë propozimin nëse z. Protopapa meriton apo nuk e meriton të jetë “Nderi i Qytetit” të Beratit.

(Botuar në shtyp më 01/07/2010)

Qytetarët e Beratit: Albert Capo, Mihal Pjetri, Petraq Stefa, Romeo Çilingiri, Adrian Jançe, Xhovan Kajana, Lorenc Buda, Miltiadh Veveçka, Llazar Kajana, Palush Pushi, Kristaq Kolani, Stavri Bobo, Dhori Maskuti, Vasil Heqimi, Sotiraq Tapia, Petrit Bano, Sotir Stasa, Josif Pushi, Naun Dyshniku.