EmailFacebookKontakt

Një Krishtlindje nën persekutim për miliona të krishterë

Vetëm në vitin 2022 u dogjën dhe u shkatërruan mbi 2000 kisha dhe më shumë se 5200 të krishterë kanë humbur jetën për shkak të besimit të tyre. Gjendja vijon më e rënduar për vitin 2023.

Njëkohësisht me luftën në Ukrainë e Gaza, dy vitet e fundit është zhvilluar edhe një konflikt i zjarrtë, ndaj të cilit është treguar shumë pak vëmendje. Bëhet fjalë për Nagorno Karabakun, një territor ku vendet e shenjta dhe manastiret janë që nga shekujt e parë, si simbol i thelbit të krishterë të rajonit. Në këto dy vite, 130 mijë të krishterë kanë qenë të detyruar të lënë këto troje të lashta, por tragjedia e tyre mbeti e shurdhër.

Kjo tragjedi hyn në tragjedinë e pamasë të komuniteteve te krishtera të persekutuara. Shifrat e saj nuk janë më pak dramatike se ato të luftërave. Mbi 360 milion të krishterë përjetojnë nivele të larta persekutimi e diskriminimi për shkak të besimit tyre. Dhe viktimat shtohen vit pas viti. Në vitin 2022 më shumë se 5200 të krishterë u vranë për besimin e tyre, mjaft të tjerë u rrëmbyen dhe mijëra janë arrestuar ose burgosur. Ndërsa mbi 2000 kisha dhe objekte fetare u dogjën apo u shkatërruan.

Midis vendeve që i respektojnë më pak të drejtat e besimeve janë ato me numër më të madh banorësh; Kina, India, Pakistani, Bangladeshi, Nigeria etj. Kështu, këto shkelje prekin drejtpërdrejt ose jo 5 miliard njerëz.

Kjo situatë nuk ka si përgjigje një ndërgjegjësim të Evropës dhe asaj që quhet “bota e lirë”, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e vëllezërve tanë të krishterë.

Të pranosh deri edhe vdekjen për të mos mohuar besimin përplaset me relativizmin politik dhe ideal që ka shpërthyer në shoqëritë e sotme të vendeve të zhvilluara. Të pranosh p.sh. se 120 mijë të krishterë historikë të rrafshnaltës së Ninevisë, në Irak, kanë braktisur gjithçka vetëm për të mos hequr dorë nga besimi tek Krishti dhe identiteti i tyre do të thotë përballesh me një ide të lirisë fetare që Perëndimi nuk e kupton më. Madje e ka vënë në një nivel inferior ndaj lirisë seksuale apo të ndryshimit të gjinisë. Dhe kjo është një tallje e pamëshirshme me vëllezërit tanë, që persekutohen.

Shfaqje e këtij mosinteresimi patologjik për dramën e vëllezërve tanë në besim fshihet edhe mes shifrave të flukseve të emigrimit nga Afrika e Veriut. Kur shikon kombësitë e emigrantëve, dallon shumëfishimin eksponencial të largimit të të krishterëve para shtrirjes së ekstremizmit fetar.

Të krishterët e Irakut, në vitet 2000′ kalonin 1 milion e gjysmë, janë sot pak më shumë se 150 mijë. Edhe në Siri shifrat janë të ngjashme: nga 1 milion e gjysmë të krishterë, sipas censit të vitit 2010, pas 12 vjetësh lufte civile kane mbetur vetëm rreth 500 mijë. Në Alepo, zemra e komunitetit, ata kanë kaluar nga 150 mijë në 25 mijë.

Në Lindjen e largët nuk është më mirë. India, një vend me 1 miliard e 450 milion banorë, ka në 12 shtete (nga 36), ligje kundër ndryshimit të fesë, që dënojnë shumë ashpër këdo që kthehet në krishterim. Pa përmendur reprezaljet dhe dhunën ndaj tyre dhe kështu me radhe në Kinë, në Korenë e Veriut, në Pakistan etj.

Bazuar në një shkrim të Gian Micalessin-it, “Il Giornale”, Itali