EmailFacebookKontakt

Një kontribut i ri për raportet fetare në Shqipëri

Kur pyetet për raportet fetare në Shqipëri, përdoren shifra të shumë viteve të shkuara, në mungesë të atyre të viteve të fundit. Kështu për shembull, disa shifra të kohës së pushtimit italian thonë, se në Shqipëri ka 68 për qind myslimanë, 22 për qind orthodhoksë dhe 10 për qind katolikë.

Madje, këto shifra dhe të tjera edhe më të vjetra se ato, i gjen edhe në shumë botime të huaja, që flasin për Shqipërinë dhe mbi bazën e tyre bëhen komente e nxirren përfundime.

Megjithë relativitetin e tyre, shpesh ky përdorim është justifikuar me mungesën e burimeve të tjera. Por, kohët e fundit është botuar në shtypin e përditshëm, me burim arkivat sekrete ruse (të hapura vitet e fundit), një bisedë e fshehtë e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, me Stalinin, e datës 23 mars 1949. Më poshtë po riprodhojmë një pasazh të saj:

“Sh. Stalin pyet, në se ka shumë ortodoksë në Shqipëri, si dhe njerëz me fe të ndryshme nga ajo e myslimanëve.

E. Hoxha përgjigjet, se ortodoksët në Shqipëri përbëjnë 30-35 për qind, ndërsa katolikët 10-15 për qind…”

Pra, një kuadër mjaft i ndryshëm nga ai që përdoret e afirmohet zakonisht. Ku i kishte gjetur diktatori shifrat. Eshtë vështirë të thotë dikush se Hoxha nuk e njihte gjendje apo do kishte guximin të gënjente Stalinin… Atëherë?

Atëherë, përfundimi i vetëm që mund të nxirret, është se ky shembull dëshmon, që nuk mund të ketë kush të drejtën e monopolit të shifrave për raportet ndërfetare.

Deri sa të ketë një regjistrim te ri të përkatësive religjioze të shqiptarëve (gjë që duket se nuk do të ndodhë së afërmi), përdorimi i shifrave për këtë qëllim, do kenë një karakter subjektiv dhe nuk mund të merren si kriter i së vërtetës, për të pasqyruar realitetin e vendit tonë. Aq më shumë, që në këto vite janë shtuar kategori të reja në përbërjen fetare, si ajo e ateistëve, e martesave mikste, e protestantëve…