Enoria e Shën Gjerasimit funksionon që prej vitit 2011, në Kishën e Shën Gjerasimit dhe të Gjithë Shenjtorëve pranë kompleksit “Nazaret”, në lagjen “Kombinat”. Në këtë enori zhvillohen rregullisht shërbesat kishtare gjatë javës dhe të dielave. Pas shërbesave, të gjithë besimtarët e enorisë, si komunitet dashurie në Krishtin, mblidhen së bashku në sallën e takimeve, duke kaluar kohë të bukur me njëri-tjetrin, në shoqërinë e bisedave shpirtërore drejtuar nga priftërinjtë dhe katekistët.
Me hirin e Zotit, nga dita në ditë shtohen besimtarët dhe enoria e Shën Gjerasimit po rritet në Krishtin. Të kremteve dhe të dielave, oborri i shtëpisë së Zotit gjallërohet nga zërat e gëzueshëm të fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët, pas shërbesave adhuruese, marrin pjesë në aktivitetet e Kishës, e cila ofron programe formuese dhe argëtuese për rritjen shpirtërore dhe edukimin e tyre me frymën e besimit dhe ndjenjën e komunitetit. “Hyni në portat e Tij me falënderim dhe në oborret e Tij me ngazëllim, kremtojeni, bekoni emrin e Tij” (Ps. 100:4).
Në enorinë e Shën Gjerasimit zhvillohen aktivitete të larmishme, si programe katekizmi për fëmijë, adoleshentët dhe gratë. Gjithashtu, ka mësime të veçanta për katikumenë që duan të pagëzohen dhe të bashkohen me Krishtin. Pjesë e veprimtarive të enorisë janë vizitat baritore në familjet në nevojë, ekskursionet dhe pelegrinazhet, olimpiadat dhe nisma të ndryshme. Tërësia e këtyre aktiviteteve tregon që në këtë kishë të vogël po gjallërohet jeta shpirtërore dhe po krijohet një komunitet që i bashkon dashuria e Krishtit. Kisha e Shën Gjerasimit dhe e Gjithë Shenjtorëve mbetet një fole e ngrohtë për të gjithë besimtarët e lagjes “Kombinat”, por jo vetëm.
Elisabeta Shqau