EmailFacebookKontakt

Një klerik i devotshëm – Episkop Dhaniel Çuli (1905 -1975)

Në këtë shkrim jemi përpjekur të flasim për jetën e Hirësi Dhanielit me materiale dhe dëshmi. Por mirëpresim çdo informacion të ri nga studiues apo persona që mund ta kenë njohur nga afër.

Dhaniel Çuli lindi në Tiranë më 20 qershor 1905, ku dhe ndërroi jetë në vitin 1975. Emrin laik e kishte Dhimitër, por kur u hirotonis prift e ndryshoi në Dhaniel. U rrit në një familje të devotshme orthodhokse.

Hirësi Dhanieli iu përkushtua plotësisht Besimit Orthodhoks. Më 26 gusht 1935 u dorëzua në dhjakon dhe shumë shpejt e caktuan si protodhjakon. Më 4 qershor 1942 u hirotonis në gradën priftërore nga Kryepiskopi Kristofor Kissi. Pas pak kohësh mori ofiqin e arkimandrit dhe, në kohën kur Kryepiskop i Shqipërisë ishte Pais Vodica, u dorëzua episkop ndihmës (si dhe protosingjel) i Kryepiskopatës.

Veprimtarinë e tij si prift e ka ushtruar në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, por edhe në kisha të tjera, si Katedralja e Ungjëllizimit të Hyjlindëses, kisha e Shën Prokopit etj.

Në vitin famëkeq 1967, kur regjimi komunist mbylli apo shkatërroi të gjitha objektet e kultit dhe ndaloi çdo formë të praktikimit të besimit, Episkop Dhanieli u detyrua të heqë rrobën e klerikut dhe mjekrën, dhe të braktiste Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, ku shërbente për shumë vite.

Sipas dëshmitarëve, thuhet se e qethën me detyrim dhe i thanë të dilte nëpër rrugët e Tiranës që ta shihnin të gjithë, për ta poshtëruar dhe më tej. Më pas, filloi punë në kombinatin e drurit “Misto Mame”, por nuk qëndroi për shumë vjet dhe doli në pension.

Në dëshmitë e familjarëve, Petrit Qendro dhe Jeton Qendro, si dhe të të njohurve të tjerë, thuhet se jetonte në paqe me të gjithë në shtëpinë e tij, të rrethuar me mure të larta dhe me një oborr të mbushur me lule. Vendndodhja e shtëpisë ishte në rrugën “Kostandin Kristoforidhi”, ku banonte me motrën e vogël dhe nipin.

Shtëpinë e kishte bërë si një manastir të vogël, rrobën e zezë kishte filluar ta vishte përsëri dhe të rriste përsëri mjekrën. Gjithë ditën qëndronte në shtëpi dhe kujdesej për lulet, gjë që i jepte shumë gëzim. Rrezatonte urtësi të madhe, ishte i mençur dhe gojëmbël. Të gjithë fëmijët e lagjes dhe banorët e mbanin mend, sepse i mblidhte pranë vetes, u jepte karamele dhe u tregonte histori të ndryshme nga besimi ynë. Edhe pse i izoluar në shtëpi, gjithmonë ishte në vëzhgimin dhe i përgjuar nga Sigurimi i Shtetit.

Një tjetër dëshmi e bukur dhe me interes për veprimtarinë e Episkop Dhanielit është edhe një pagëzimi që kreu në fshehtësi. Eshtrat e të lumurit prehen në varrezat e Tufinës.

Përgatiti:
Antonio Poshnjari