EmailFacebookKontakt

Një këndvështrim i shkurtër Orthodhoks mbi ëndrrat

Mos vrapojmë në “profetë” të rremë

Mendimi për të shkruar këtë shkrim të shkurtër mbi ëndrrat më lindi nga një emision që ka filluar të transmetohet në Radiotelevizionin Shqiptar, me titullin “Feja dhe ëndrrat”. Rreferuesi kryesor i këtij emisioni, duke mos qenë një njohës i mirë i fesë, shpeshherë përmend citate të shkëputura nga Ungjilli ose thënie të Etërve të ndryshëm, duke transformuar apo deformuar mendimin e krishterë mbi to.

Dimë, se dy janë burimet kryesore të besimit Orthodhoks a) Shkrimi i Shenjtë dhe b) Tradita e Shenjtë. Kështu që, do mundohem që këtë temë ta trajtoj brenda këtij këndvështrimi.

Në kohët e hershme ëndrrat konsideroheshin si ngjarje shumë të rëndësishme për jetën e njeriut. Në fe të ndryshme egzistonte mendimi, se shpirti i njeriut gjatë natës braktiste trupin dhe ngjitej në një realitet tjetër, në një “botë mbinatyrore”. Me kalimin e kohës, në Lindje besonin se ëndrrat e natës ishin mesazhe që dërgoheshin nga perënditë e ndryshme, për t’i lajmëruar njerëzit. Të një rëndësie të veçantë ishin ëndrrat e mbretërve, priftërinjve ose atyre njerëzve që kishin poste të larta. Tregohet, se mbretërit, kur donin të merrnin ndonjë mesazh nga “zotërat” flinin me ditë të tëra në tempuj.

Dhjata e Vjetër: Mendimi që egzistonte në lashtësi, se Perëndia me anë të ëndrrave dhe vegimeve të ndryshme komunikon me njerëzit, për t’u zbuluar atyre Vullnetin e Tij, gjendet dhe në Dhjatën e Vjetër, si p.sh. Zn. 20:3-6, 31:10-11, Num. 12:6 etj. Gjithashtu, egzistojnë dhe vargje, ku ëndrrat shprehen si ngjarje thjesht psikologjike, të lidhura me dukuri fiziologjike që ndodhnin gjatë ditës, si: uri ose etje (Isai.29:7-8), kujdesi për të jetuar (Pred. 5:3), lodhja dhe mundimet (Urt. e Sirah 40:5) etj.

Endrrat që vijnë nga Perëndia shpeshherë ndahen në Dhjatën e Vjetër në dy grupe: a) Të thjeshta, të cilat trasmetojnë një mesazh të qartë nga Perëndia, i cili kuptohej nga njerëzit dhe ata duhet ta zbatonin menjëherë, “literalisht” (Zn. 3, 46:1-4, C Mbr. 3:4-15 etj). Si dhe b) ëndrrat simbolike, të cilat, që të bëheshin të kuptueshme, kërkonin shpjegim nga njerëz specialistë, “ëndërrshpjegues” (Zn. 28, 36:5-10). Një ndër ta ishte dhe Josifi, (një nga 10 djemtë e Jakovit), ndërsa më vonë përmendet dhe profeti Daniel, i cili shpjegon ëndrrën e mbretit Nabukodonosor (Dan.2).

Në kohë të ndryshme, por veçanërisht kur filloi aktivitetin e tij profetik i shenjti Jeremia, shumë profetë të rremë filluan të shpjegonin ëndrrat tek izraelitët, duke thënë se “flisnin në emër të Zotit”. Por, vetë Perëndia i demaskoi ata me gojën e Jeremisë: “Kam dëgjuar atë që thonë profetët, që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: “Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr”. Duke vazhduar se: “Profeti i rremë që pa një ëndërr le ta tregojë atë, por të tjerët që kanë fjalën time, le ta thonë atë me besnikëri, thotë Zoti”(Jer. 23: 25, 28).

Dhjata e Re. Në Dhjatën e Re ëndrat janë shumë të rralla, kanë vetëm formën e paralajmërimit të njerëzve të veçantë. Të gjitha ëndrrat janë të thjeshta dhe në asnjë rast nuk përmenden në Dhjatën e Re ëndra me karakter simbolik ose me kuptim alegorik. Prandaj, nuk kërkohet shpjegimi i tyre. Zakonisht, paralajmëtar bëhet një ëngjëll, si në rastin e Josifit të drejtë (Mat. 1:20, 2:13, 19, 22) apo të “magëve”. Tek Libri i “Veprave të Apostujve” përmenden dhe ëndrrat që pa Apostull Pavli, por karakteristike është se në Letrat e tij Apostulli në asnjë vend nuk i përmend ato. Endrrat nuk gjenden në qendër të Zbulesës së Dhjatës së Re, por janë thjesht ngjarje kalimtare. Asnjë nga shkrimtarët e Dhjatës së Re nuk e bazon mësimdhënien e tij për Zbulesën e Perëndisë, duke pasur për bazë ëndrrat. Sepse Perëndia me anën e Isu Krishtit, u Zbulua tek ne si njeri i vërtetë.

Etërit e Shenjtë. Sipas Etërve të Shenjtë, kemi tri lloje ëndrrash: a) Ato që vijnë nga Perëndia; b) Të rreme, pra, që burimin e kanë tek fuqia e djallit; c) ato që lidhen me gjendjen emocionale e shpirtërore të njerëzve (psikologjike).

Këto të fundit ndodhin, sepse veprimtaria e trurit vazhdon edhe gjatë natës. Jo të gjitha qelizat e trurit flenë. Ekzistojnë akoma vatra, që janë ende në aktivitet e shkaktojnë ëndrra nga më të ndryshmet.

Por, Etërit e Kishës ishin gjithmonë të kujdeshëm dhe skeptikë në shpjegimin e ëndrave, duke theksuar me këmbëngulje, se duhet pasur gjithmonë kujdes nga “lëkura e ndritshme” që vesh shpeshherë djalli, (duke u shfaqur tek njerëzit si ëngjëll i ndritshëm), për t’i bërë besimtarët skllevër të tij. Por, edhe sikur ëndrrat të vijnë nga Perëndia dhe ne nuk u japim rëndësi, me përulësinë tonë, duke thënë se: “S’jam i denjë të vish tek unë, o Zot, se jam mëkatar”, siç thoshin shpesh Shenjtorë të ndryshëm të Kishës sonë, është e sigurt, që Perëndia e Tërëmirë nuk do të zëmërohet me krijesat e Tij. Etërit e shenjtë tregimin e ëndrrave nga persona të ndryshëm e kanë quajtur shfaqje të theksuar egoizmi dhe mungesë përulësie nga ana e njerëzve. Prandaj, sa herë, vëllezër, kemi ndonjë ëndërr apo vegim që na shqetëson, le të mos vrapojmë në “profetë të remë”, por t’i rrëfejmë ato tek Etërit tanë Shpirtërorë që, si ndërmjetës të Perëndisë, të na drejtojnë drejt Shpëtimit.

Jorgo Papadhopulli