EmailFacebookKontakt

Një jubile i gëzuar për komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë

Më 2 gusht 1992, në katedralen orthodhokse të Ungjillëzimit në Tiranë u zhvillua ceremonia e fronëzimit të Imzot Prof. Dr. Anastasit, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH).

1. Kujtimet e një dëshmitari okular

Fronëzimi u bë në praninë e një publiku të gjerë të komunitetit orthodhoks të Tiranës dhe të besimtarëve të ardhur nga dioqezat e tjera. Mdrnin pjesë dhe delegacionet e kishave të tjera Orthodhokse, si dhe shumë të ftuar nga Greqia, Europa perëndimore dhe SHBA. Ceremonia e fronëzimit u krye nga dy peshkopë të Patrikanës Ekumenike të Konstandinopojës. Mungonin vetëm autoritetet e larta shtetërore, megjithëse u ishin dërguar me kohë ftesat zyrtare. Ceremonia u ndoq me shumë kureshtjë dhe interest sepse jo vetëm ishte e panjohur për publikun, por dhe sepse bëhej për jerarkun që do të merrte në dorë drejtimin e KOASH, pas shkatërrimit komunist dhe triumfit të demokracisë në Shqipëri. Pra, ishte një moment historik që do të përcaktonte ringjalljen e KOASH dhe rrugën e zhvillimit për të ardhmen. Ceremonia po zhvillohej plot solemnitet, dhe në çastin kulmor të konsakrimit, të dy peshkopët ekumenikë lëshuan thirrjen kanonike: AKSIOS (i denjë) të përsëritur tre herë. Në përgjigje të saj, si në një kor gjigand, besimtarët në mes të brohoritjeve dhe të duartrokitjeve, përsëritën tre herë me zë të lartë formulën e konsakrimit. Mirëpo, në atë çast një grup i vogël njerëzish pranë derës, me në krye një deputet të besimit mysliman (U.B), shpërtheu papritur tërë mllef protestën e vet. Populli reagoi me forcë, duke brohoritur në unison: “Po, Po, Po,” që ishte një gjëmim i vërtetë dhe që mbyti zhurmën e protestës. Te turpëruar, ata u larguan dhe ceremonia festive vazhdoi zhvillimin e saj deri në fund. Ky akt bëri të qartë pse në këtë ceremoni të rëndësishme mungonin autoritetet e larta shtetërore, pa pëlqimin e të cilëve nuk do të kishte guximin askush të ndërmerte një veprim të tillë. Po kështu, mbasdite u dha një deklaratë e papergjegjshme dhe s’dihet nga kush, që gjoja anullonte aktin kur këtë të drejtë e ka vetëm Sinodi i Patrikanës Ekumenike.

Të nesërmen, që në mëngjes, nisen të mbrijnë në rezidencën e Kryepiskopit telegrame urimi nga të gjithë primatët e Kishave Orthodhokse dhe Kishave të tjera, një sfidë ndërkombëtare për autoritetet shtetërore.

2. Fushata denigruese

Incidenti në kishë dhe një deklaratë në TVSH, në retrospektivën e kohës, doli se ishte preludi i një fushate denigruese kundër Kryepiskopit dhe bashkëpunëtorëve të tij në veprën e ringjalljes së KOASH. U hodh dhe u mbështet mendimi nga rrethet shovene, se qënia e një kryepiskopi grek në krye të kishës vinte në rrezik Autoqefalinë, krijonte premisa për helenizimin e saj me komplikacione të rënda politike për vendin. Në këtë fushatë, të mbushur me akuza fallso dhe me shpifje nga më të ultat, mocën pjesë disa gazeta dhe gazetarë të paskrupullt, të cilët heshtja e organeve shtetërore i bënte përherë edhe më agresivë dhe gojështhurur. Në fakt, po t’i shikoje me vëmendje artikujt dhe diskutimet, më tepër i referoheshin të kaluarës historike, para dhe pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, sesa veprimtarisë konkrete të Kryepiskopit, i cili nuk mund ta ndjente veten fajtor për asgjë. Prandaj ai vazhdonte i vendosur misionin e tij apostolik.

3. Përballimi i fushatës denigruese

Si mundi ta përballonte Kryepiskopi këtë fushatë-denigruese, për një kohë të gjatë? Mendoj, se mbi të gjitha ishte bindja e tij e patundur, se në të gjitha rrethanat pa rrugëdalje Perëndia i kishte hapur gjithmonë shtigje të panjohura. Misioni në Shqipëri i ndezi imagjinatën dhe e lumturoi se e pa veten të shkelte në gjurmët e apostullit të madh të kombeve, Shën-Pavlit, i cili që nga Jeruzalemi përhapi krishtërimin deri në viset e Ilirisë. Ky ishte një frymëzim i madh për vepra të mëdha! Kur zbriti nga avioni në Rinas nuk mund ta përfytyronte, se në Shqipëri do të ndeshej në pengesa të paimagjinueshme në misionin e tij apostolik, megjithëse ai sillte me vehte dashurinë kristiane pakufi dhe mesazhin e miqësisë dhe vëllazërimit midis dy popujve fqinjë.

Kjo fushatë u përballua me sukses nga këta faktorë:

Së pari, Kryepiskopi qëndroi dhe vazhdon të qëndrojë larg politikës dhe politikanëve dhe jo për oportunitet, por në bazë të parimeve që përcaktojnë raportet e Kishës me shtetin dhe politikën. Kisha është një institucion hyjnor që merret me jetën shpirtërore të njerëzve, për t’i pastruar dhe ruajtur nga mëkatet, për t’i lartësuar moralisht dhe për t’i bërë të denjë për t’iu afruar Perëndisë. Këtë gjë ai e përsëriti edhe në deklaratën e fundit në shtyp, me rastin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 29 Qershorit, me synim që të ruante nga gabimet eventuale klerikët e rinj të porsa dalë nga bangat e seminarit. Ai përsëriti se Kisha nuk merret me politikë, prandaj nuk ka arsye pse t’i ftojë besimtarët të votojnë për këtë ose atë forcë politike. Ata, në bazë të bindjeve që kanë krijuar vetë dhe në bazë të simpative, janë të lirë të votojnë për partitë politike që duan.

Së dyti, pastërtia morale dhe transparenca e plotë në shpalosjen e planeve dhe programeve të tij për ringjalljen e KOASH. Projektet për këtë qëllim janë shtruar e diskutuar në Këshillin e Përgjithshëm të Kishës, gjatë vizitave pastorale në të gjitha dioqezat, në takime dhe mbledhje me shoqatat e intelektualëve, grave dhe rinisë orthodhokse; në intervistat, artikujt dhe deklaratat në shtypin e Kishës dhe në shtypin e huaj. Besimtarët orthodhoksë kanë mbështetur pa rezerva projektet e Kryepiskopit për ringjalljen e KOASH. Dashuria dhe respekti i besimtarëve për Kryepiskopin e tyre u bë për atë burim i pashtershëm gëzimi dhe kënaqësie që i shumëfishuan energjitë dhe vendosmërinë, duke zbutur në mënyrë të ndjeshme streset që i krijonin padrejtësisht subnet e njëpasnjëshme të fushatës së egër denigruese.

Së treti, urtësia, kthjelltësia, durimi, guximi dhe trimëria disa tipare të karakterit të tij. Ai nuk ka frikë nga askush, por vetëm nga Perëndia. Atë nuk e trembin as kërcënimet, as presionet, as shpifjet dhe intrigat e kundërshtarëve të tij. Kushdo që të ishte në vendin e tij do të jepte, më në fund dorëheqjen dhe i lodhur dhe i çgënjyer do të pranonte të shkonte kudo, vetëm të ishte i qetë dhe të punonte për lavdinë e Orthodhoksisë. Për botëkuptimin e tij, dorëheqja do të ishte një dezertim nga misioni apostolik dhe njëkohësisht një mohim flagrant i vetvetes.

4. Vepra e ringjalljes së KOASH, vepër kolosale

Kudo, në mbarë vendin, në qytete dhe fshatra janë ndërtuar dhe po ndërtohen kisha madhështore, katedrale dhe të zakonshme, në të cilat meshon brezi i ri i klerikëve i përgatitur në seminarin e Durrësit gjatë këtyre pesë vjetëve. Në to meshohet dhe predikohet në gjuhën e bukur shqipe dhe as greqisht, as latinisht, as italisht dhe as arabisht. Kishave orthodhokse iu kthye jeta hyjnore e dikurshme, por me një shkëlqim të ri: me lokale të reja dhe me klerikë të rinj. Çdo të djelë dhe të kremte besimtarët mbushin mjediset e tyre për t’u falur, për t’u kunguar, për të vënë kurorë dhe për të pagëzuar fëmijët e porsalindur; për të varrosur me rite fetare të dashurit e tyre, për t’i përkujtuar në përvjetorët e tyre ose në Ditën e të vdekurve. Vetë Fortlumturia e tij kudo që shkon nëpër enoritë e ndryshme, meshon në gjuhën shqipe.

Përmasat dhe karakteri i veprës së ringjalljes së KOASH vihet re përditë, por një njohje më e plotë nga publiku i gjerë do të arrihej nëse Kisha do të botonte një libër me tërë realizimet, me kishat dhe manastiret e ndërtuara ose të restauruara, ndërtesat administrative, arsimore, shëndetësore dhe shoqërore (kopshte, klinika dhe poliklinika), ku të bëhen të njohura investimet kolosale në miliona dollarë për ndërtimin e tyre dhe për zhvillimin e veprimtarisë karitative në ushqime, veshmbathje, medikamente, materiale ndërtimi, në ndihma të familjeve të varfëra dhe të institucioneve arsimore të shkatërruara gjatë vandalizmave pas përmbysjes së komunizmit. Ky botim është i nevojshëm, sepse rreth kësaj vepre kolosale, shtypi dhe organet shtetërore vendosën embargon e heshtjes, një tjetër formë kjo e fushatës denigruese kundër Kryepiskopit.

Ringjallja e Kishës në plan të brendshëm u shoqërua në këta pesë vjet edhe me afirmimin dhe rritjen e prestigjit të saj në arenën ndërkombëtare. KOASH u pranua në Këshillin Botëror të Kishave, në Konferencën Ekumenike Europiane, u bë anëtare e Komisionit ndërkombëtar të dialogut për bashkimin e të dy Kishave, Orthodhokse dhe Romano-katolike, është ftuar dhe vazhdon të ftohet në të gjitha konferencat botërore dhe europiane ekleziastike. Pra, të gjitha këto janë prova të gjalla, se autoqefalia e KOASH, brenda këtyre pesë vjetëve ka njohur një konsolidim dhe zhvillim të konsiderueshëm. Edhe në plan të jashtëm gjithashtu autoqefalia e KOASH afirmohet me një shkëlqim të ri, për shkak të primatit të saj, Kryepiskopit Anastas, hierark me reputation dhe me prestigj të lartë ndërkombëtar, në Europë dhe në Botë. Këtë e kanë ndjerë të gjithë delegatët e KOASH që kanë marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare, ku janë trajtuar sikur të ishin përfaqësuesit e një Kishe të madhe orthodhokse.

Vepra e Fortlumturisë është aq e madhe në këta pesë vjet, sa që mendoj se po të ishte shqiptar dhe jo me kombësi greke ose në një vend tjetër, do të konsiderohej një nga primatët më të mëdhenj të Kishës lokale. Kam bindjen se më vonë, kur në Shqipëri do të rivendoset qetësia, rendi dhe siguria, kur të jetë vendosur në mënyrë të plotë dhe të pakthyeshme demokracia, kur të jenë shuar pasionet e njerëzve, kur brezi i tanishëm i politikanëve dhe i shpurës shovene do të jetë zhdukur, historia do të tregohet e vëmendshme dhe objektive dhe do t’i japë Kryepiskopit vendin e duhur në historinë e ringjalljes së KOASH, pas përmbysjes së komunizmit ateist në Shqipëri.

Fushata denigruese, sa e egër aq edhe dashakeqe, do të përfunonte një ditë me turp. Asaj i vuri kapak vetë presidenti i Republikës gjatë vizitës së urimit me rastin e Pashkës në rezidencën e Kryepiskopit. Duke i shtrënguar dorën ngrohtësisht i deklaroi, midis të tjerëve: “Dua t’iu shpreh edhe njëherë vlerësimin tim të madh për kontributin tuaj dhe të klerikëve të tre komuniteteve që, në këtë periudhë të rilindjes kombëtare shqiptare, dhatë një kontribut shumë të çmuar në rilindjen e vlerave fetare, pa të cilat shpr ti është një shkretëtirë. Populli thotë: “Më mirë vonë se kurrë!”

Në këtë përvjetor të shënuar, i cili është një jubile i gëzuar për Komunitetin orthodhoks të Shqipërisë, besimtarët e pranishëm me këtë rast në Katedralen e Ungjillëzimit, si në çdo përvjetor të Kryepiskopit, do të këndojnë bashkë me Korin që shoqëron meshën me tinguj kerubinesh, URIMIN që buron nga zemrat e tyre: “ANASTASIN, Kryepiskopin tonë ruaje o Zot, për shumë vjet o Kryezot.”

Theodor Papapavli
pedagog në seminarin e KOASH-it në Durrës