Një jetë pranë Kishës
Jorgji Kristo Kori – figurë e njohur e orthodhoksisë korçare
S’duhet të mbetet anonim një figurë e shquar e qytetit të Korçës, i cili midis shumë veprimtarish ka dhënë një kontribut të shquar edhe në shëndoshjen e orthodhoksisë në disa kisha të saj në dioqezën e Korçës. Kjo figurë, si shumë të tjera që ka orthodhoksia, duhet të jetë shembull sot për intelektualët dhe gjithë orthodhoksët. I tillë ishte Jorgji Kristo Kroi, mësues teologjie e filozofie, përkthyes i talentuar, muzikant në fushën e muzikës kishtare bizantine, i cili lindi në Korçë 125 vjet më parë.
Me origjinë nga Vithkuqi i Korçës, familja Kroi i dha mundësi Jorgjit të mbaronte me sukses studimet e mesme dhe pastaj të përfundonte Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Athinës në vitin 1896. I mbrujtur me një kulturë të gjerë, ka punuar dhe ndikuar për përhapjen dhe gjallërimin e ideve përparimtare në fushën e teologjisë e muzikologjisë kishtare dhe në fusha të tjera. Punoi për 18 vjet rresht si profesor teologjie në Shkollën Teologjike të Mitropolisë në Korçë. Violina e tij e dashur nuk iu nda nga dora edhe në vitet e pleqërisë. Por, edhe pas daljes në pension ai rifilloi përsëri punën si teolog i fesë orthodhokse, me urdhër të kryesisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale. Kështu vazhdoi deri në vitin 1935 duke u marrë njëkohësisht edhe me përkthime të shumta teologjike. Ai zotëronte greqishten e vjetër dhe të re, italishten dhe latinishten, turqishten dhe frëngjishten. Ai përktheu edhe libra fetare, që shërbyen si tekste mësimore në shkollat tona para luftës.
Jorgji drejtoi korin e kishës së Mitropolisë në Korçë nga vitet 1922-23, kor kishtar i përbërë nga nxënës dhe nxënëse të shkollave të qytetit. Edhe në kohën e mbretërisë drejtonte një kor kishtar pranë Mitropolisë, me vajza dhe djem të moshave të rritura. U ngarkua të jepte mësime teologjike në një shkollë teologjike që u ngrit pranë Mitropolisë së Korçës deri në vitin 1939, e cila u mbyll nga pushtimi italian. Kur Kisha e vjetër “Burimi Jetëdhënës”, e cila i përkiste shek. XVIII, u prish dhe mbi të u ngrit Katedralja e Mitropolisë nga vitet 1928, Jorgji Kroi, bashkë me piktorin e popullit Vangjush Mio, bashkëstudentë në universitetin e Athinës dhe miq të ngushtë, kanë ngulur këmbë që të mos prishej kisha e vjetër. Kisha e vjetër “Burimi Jetëdhënës” kishte ikona dhe afreske murale, pra një kishë e rrallë për nga vlerat që mbarte. Të gjitha këto ishin bërë nga piktorë dhe ikonografë të shquar korçarë.
Jorgji Kroi, me një kulturë të gjerë në fushën e muzikës ishte edhe krijuesi dhe aranxhuesi i pasionuar i këngëve karakteristike të Korçës. Në këto këngë gërshetohen më së miri dashuria dhe pasioni për bukuritë e natyrës korçare, me dashurinë për Zotin. Mjafton të përmendim këngët, të cilat edhe sot këndohen kudo, si “Mulliri”, “Burimi i çardhakut”, “Çelni ju lule”, “Dua”, “I verbëri”, “Vallja e vëllazërisë”, “Besa jonë” etj., lista e të cilave do të ishte shumë e gjatë. Vdiq më 25 janar 1945, fill mbas lufte, pa ju bërë nderimet që i meritonte, por miqtë e tij, shokët e nxënësit iu ndodhën pranë deri në çastet e fundit.
Thoma Piluri