EmailFacebookKontakt

Një jetë për Kishën – Ikonom At Marko Papajani

Një jetë për Kishën

Ikonom At Marko Papajani

Që i vogël më është ngulitur në mendje figura e një njeriu shtatmesatar, prift me veshje të rregullt dhe shumë i pastër, aq sa siç thonë, “as qimja nuk i ngjitej!” E shihja në rrugë, ku ecte avash-avash, por shumë i vëmendshëm, përshëndeste ose u kthente përshëndetjen me mirësi të njohurve, të cilët ishin të shumtë…, por edhe kur na vinte në shtëpi e bisedonte, predikonte apo lutej me zërin e tij të ëmbël e qetë-qetë. Ky njeri “model i klerikut” ishte At Marko Papajani ose Papa Markoja siç e thërrisnim.

Kish lindur më 1.7.1905 në Pelevan të Pogradecit në një familje prifti. Që i vogël e ndiqte të atin-prift në të gjithë shërbesat fetare, si në fshatin e tij, ashtu edhe në fshatrat e tjerë, gjë që ndikoi shumë në vitet e mëvonshme, pasi u bë klerik.

Arsyet ekonomike të familjes e shtynë të punojë që i vogël në profesione të ndryshme, por kudo e kurdo, duke mos harruar besimin ndaj Perëndisë Hirplotë. Vendoset në Tiranë, ku më 28.11.1930 hirotoniset dhjak, më vonë prift e që nga ajo kohë shërbeu në Kishën e Ungjillëzimit për orthodhoksët ë Tiranës.

Gjatë gjithë kohës u karakterizua nga thjeshtësia, sinqeriteti, devotshmëria ndaj Kishës, sepse zbatonte porositë e shenjta: kleriku të jetë i thjeshtë, i urtë e mbi të gjitha shpresëtar-shembull për njerëzit.

Kjo u duk edhe pas vitit të kobshëm 1967, kur u ndalua feja. Në këto momente tragjike, kur kishat u mbyllën e u përdhosën ai mori në fshehtësi të shenjtat, miron edhe rrobat e meshimit e librat e tij, në mënyrë që këto të paktën të mos përdhoseshin nga vandalët, por edhe me besimin se një ditë kisha do të hapej e këto do të duheshin. Megjithatë i përdori në fshehtësi të madhe; në një dhomë të shtëpisë kryente përditë shërbesat, madje ndonjëherë edhe me psalt.

Besimtarët e shumtë, që e njihnin nga afër e që i u kish shërbyer gjithnjë, me besim të plotë e reciprok, vinin e i kërkonin zbatimin e riteve fetare. E ky nuk u shmangej, duke vënë kështu shpesh vehten e familjen në rrezik, por natyrisht dhe mjaft i kujdesshëm në veprimet e tija. Kungatat, pagëzimet, kurorat apo përshpirtjet arrinin në një bukuri të veçantë, pavarësisht se nuk bëheshin me solemnitetin e kërkuar dhe në ilegalitet. Kjo arrihej sepse ai ish i përkushtuar të përhapte fjalën e Perëndisë dhe të mbante ndezur në zemrat e besimtarëve fenë. Shërbesat i kryente me pasion, dashuri e përkushtim.

Lidhjet që mbante me Th. Popën, Dh. Bedulin, V. Seminin, K. Feshtin etj., si edhe me besimtaret E. Papajani, E. Xhimitiku, K. Prifti çonin në këmbime të librave për lexim, hartime e shpërndarje kalendarësh e organizime të ndryshme fetare. Të tëra këto bënë që ai të mos i ndahej detyrës së tij të shenjtë në orët e fundit të jetës, ashtu siç thuhet në psalmet: “Do t’i shërbej Zotit sa të rroj. Do t’i psal Perëndisë sime sa të jem gjallë”.

Në shënimet e z. Dh. Beduli lexojmë:

“Sot, më 3 shkurt 1990, ora 8 e mëngjesit fjeti Ikonom At Marko Papajani, ish zv. Mitropoliti i fundit i Mitropolisë së Tiranës, njeri modest, i ndershëm, shumë i përkushtuar në detyrën e meshtarit, që kryente në Komunitetin Orthodhoks të Tiranës. Ka lënë kujtime shumë të mira dhe gëzonte respekt të merituar nga të gjithë që e kanë njohur.

I përjetshëm qoftë kujtimi.”

Kristofor Beduli