EmailFacebookKontakt

Një jetë e kushtuar Perëndisë

Më 21 shtator 1996 u nda nga gjiri i familjes dhe besimtarëve orthodhoksë korçarë dhe të gjithë Shqipërisë, motra jonë Dhimitra Cico.

E lindur në vitin 1911, motra jonë Dhimitra ishte një besimtare e virtytshme, që gjithë jetën e saj ia kushtoi lutjes tek Zoti. E edukuar nga prindër besimtarë, së bashku me motrën e saj, Marikën, vendosën t’ia kushtonin jetën Zotit. Me nismën e tyre në vitin 1939, u krijua Kori i Kishës së Shën Gjergjit, ku morën pjesë deri në mbylljen e Kishave nga regjimi komunist. Ditë të vështira erdhën për besimtarët me ardhjen në pushtet të ateistëve. Dhe dëshira e këtyre motrave, që s’mund t’i ndash nga njëra-tjetra, nuk u realizua. Ato s’mundën të bëheshin murgesha. Por, siç u shpreh dhe Kryepiskopi Anastas, në ceremoninë e varrimit të të ndierës sonë: “Dhimitra s’mundi të shkonte në Manastir, por Manastiri erdhi në shtëpinë e tyre.” Gjatë gjithë jetës së saj Dhimitra ia kushtoi lutjes. “Ishte një kandil për Korçën në errësirën e thellë ateiste”.

Në shtëpinë e saj mblidheshin gratë e bënin lutje të gjata, vinin priftërinj e meshonin. E njoha motrën Dhimitra në ato vite para ardhjes së demokracisë. Ishim një grup grash, burrash e djemsh, që bëmë përpjekjet e para për t’u hapur kisha në Korçë. E kishim motrën Dhimitra mësuesen e parë, e cila na drejtonte, na mësonte, na jepte libra fetarë. Sa herë i shkonim në shtëpi, ajo fliste mbi të vërtetën e Krishtit dhe orët kalonin pa u ndjerë.

Me hapjen e kishave, motra Dhimitra punonte pa u lodhur. Organizoi korin e parë të grave në Kishë dhe u bënte atyre katekizëm çdo javë. Lutej ditë e natë, që Kisha jonë, me në krye Fortlumturinë e Tij, Imzot Anastasin, të kalonte vështirësitë. Ishte nismëtare për mbajtjen e agripnive. Organizonte ndihmë per të varfërit. Gjatë gjithë jetës së saj këtu në tokë, goja e saj predikoi pa u lodhur Mbretërinë e Qiejve. E përulur, e duruar, me besë të fortë tek Zoti ynë Iisu Krisht, ishte një shembull, një ikonë e orthodhoksit të virtytshëm, që tërhiqte pas vetes së saj shumë gra që e imitonin. Mësonim nga ajo dhe ne priftërinjtë. Ishte një jetë lutje e agjërim, një shembull virtyti. Ishte si ajo fara e grurit, që ra në tokë të mirë dhe dha fryte, nga një – njëqind.

Motra jonë Dhimitra, ju e mbaruat vrapin në këtë botë, duke lakmuar jetën e përjetshme. I lutemi Zotit tonë Iisu Krisht që shpirtin tuaj ta prehë në Qiell. Atje ku s’ka dhimbje as psherëtimë, por vetëm jetë të pambaruar. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o Motra jonë e Lumërueshme.

Protopresviter Jani Trebicka

Motra jonë e dashur Dhimitra

Motra e jonë e dashur Dhimitra Cico, u nda nga ne në një kohë që ende kishim shumë nevojë për të. Ajo ishte frymëzuesja e shpirtit orthodhoks të grave e të të rejave. Megjithëse në moshë të kaluar dhe e sëmurë, asnjëherë s’e ndërpreu punën e saj fisnike në dobi të Kishës Orthodhokse, që e donte aq shumë.

E pajisur me virtyte të rralla dhe me dhunti nga Zoti për t’i shërbyer Kishës, ajo ishte e pranishme në të gjitha shërbesat fetare, në të gjitha festat e panairet, si dhe organizonte agripni e lutje. Ajo lutej me gjithë shpirt së bashku edhe me gratë e tjera, që e kishin si nënë të dashur, që të përparonte Kisha jonë, të çlirohej nga pengesat dhe vështirësitë, që Zoti t’i jepte shëndet e jetë Kryepiskopit tonë Anastas. Dhe lutjet e saj Perëndia kurdoherë i ka pranuar, sepse dilnin nga shpirti i një besimtareje të flaktë, që diti ta ruajë dhe të përhapë besën orthodhokse edhe në kohët më të vështira që kemi kaluar.

Për motrën Dhimitra mund të themi se Zoti e krijoi atë për t’i shërbyer atij, sepse që në moshë shumë të re ajo i ishte përkushtuar Kishës. Ishte natyrë e qetë dhe e dashur me të gjithë. Nuk kursehej kurrë të ndihmonte të tjerët, sidomos ata në vuajtje dhe vështirësi. Fjala e saj e ëmbël ishte balsam për një shpirt të plagosur. Zëri i saj melodioz, që nuk pushonte kurrë së shoqëruari këngët kishtare, të çlodhte shpirtërisht. Lexonte dhe shkruante shumë. Njihte shumë mirë jetën e veprat e shenjtorëve dhe të gjithë këtë kulturë fetare ua transmetonte edhe të tjerëve me mënyrën e saj të të shprehurit aq bukur, sa të gjithë ata që e dëgjonin dhe ndodheshin bashkë me të në netët pa gjumë që kalonin nëpër kisha, jo vetëm që nuk e ndjenin lodhjen, por mezi i prisnin rastet e tilla.

Me gra dhe besimtare si motra jonë Dhimitra u hapën kisha të reja, që nuk mund të prisheshin, sepse ishin ndërtuar në shpirtrat e njerëzve që ditën t’i bëjnë ballë asaj stuhije të furishme pa u trembur dhe pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej. Në radhët e para të këtyre njerëzve qëndronte Dhimitra Cico me shoqet e saj. Nuk mund të mos kujtojmë në këtë shkrim edhe motrën e saj të dashur Marika, sepse sa thuhen për Dhimitrën i përkasin edhe asaj, sepse nuk ishin dy motra, por një qenie e vetme, me të njëjtin shpirt dhe përkushtim. Shtëpia e tyre u bë baza e orthodhoksisë. Aty qaheshin hallet dhe lindinin shpresat për një të ardhme më të mirë. Aty ruhej e përhapej fjala e Zotit, për të ndriçuar dhe forcuar shumë besimtarë të tjerë. Kështu që kjo flakë mbeti e ndezur në zemrat e njerëzve, prandaj edhe rihapjen e kishave ato u mbushën plot e përplot me besimtarë dhe kjo valë nuk do të ketë të sosur.

Zoti ia prehtë shpirtin në paqe.

Berta Dhimitri, Korçë