Me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas propozimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, më 9 dhjetor 2024 u lartësua në gradën episkopale Arkimandriti Anastas (Mamaj).
Episkopi i ri mban titullin e episkopit të Krujës – episkopatë historike dikur e ndritshme, dhe është anëtar me të gjitha të drejtat i Sinodit të Shenjtë. Paraprakisht, Këshilli Kleriko-Laik u mblodh dhe miratoi propozimin për zgjedhjen e një Episkopi. U përzgjodhën tri kandidatë: krahas Hirësi Anastasit të Krujës tanimë, hieromonak Ignati dhe hierodhjakon Joani.
Pas shpalljes së vendimit të Sinodit të Shenjtë, në prani të gjithë anëtarëve të tij dhe Kryepiskopit Anastas, në Kishëzën e Ngjalljes të Selisë Kryepiskopale u lexua Mesazhi i Vogël nga ana e të zgjedhurit Episkop të Krujës, hirësi Anastasi.
Hirotonia e Episkopit të ri u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, më 15 dhjetor, ku Kisha jonë kujton shën Elefterin e Vlorës, qyteti i lindjes së hirësi Anastasit. Hirotonia u kryesua nga Kryepiskopi Anastas dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë, bashkë me mjaft klerikë të shumtë nga brenda dhe jashtë vendit.
Shërbesa u krye në atmosferë përjetimi hyjnor dhe adhurimi plot dritë, sikundër do të vërente me mallëngjim Kryepiskopi Anastas, duke kërkuar nga grigja e besimtarëve të pranishëm të luten për të, që Perëndia ta denjësojë për këtë rrugëtim të shenjtë. Me dashuri atërore dhe porosi të një hierarku të sprovuar, Fortlumturia iu drejtua Episkopit të ri Anastas, duke mëshuar në karakteristikat bazë që përcaktojnë kryepriftin orthodhoks: dashurinë, besimin, përulësinë dhe durimin, të cilat shprehen më së miri në himnin e dashurisë të apostull Pavlit (1 Kor. 13:1-8).
Duke iu referuar periudhës së vitit kishtar në të cilën ndodhemi, në pritje të Lindjes së Zotit Jisu Krisht, Kryepiskopi Anastas veçoi dy momente bazike: nga njëra anë, ardhjen në botë si njeri të Birit të Perëndisë dhe, nga ana tjetër dhe të lidhur me të parën, qëllimin e ardhjes së Tij, për hyjnizmin e natyrës njerëzore. “Për të arritur këtë qëllim ka vetëm një rrugë, e cila është dashuria” – u shpreh Fortlumturia. Duke vijuar më tej, ai porositi Hirësi Anastasin të jetë njeri plot me besim dhe dashuri dhe, si kryeprift dhe kryebari, t’u mësojë besimtarëve rrugën e shpëtimit, duke qenë, sikundër shën Ignati përcakton për episkopin, në ikonën dhe tipin e Krishtit. Kryepiskopi e uroi gjithashtu episkopin e ri, duke lutur Perëndinë që të bëhet për të sipas vargjeve të apostull Pavlit drejtuar Kolosianëve: “Prandaj unë bie në gjunjë para Atit, prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij përmes Shpirtit të tij, (1) ju bëftë më të fortë shpirtërisht. (2) Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri, (3) të mund të kuptoni bashkë me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia e thellësia e dashurisë së Krishtit. Lutem (4) që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë. Dhe Perëndia që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron ndër ne, atij qoftë lavdia përmes kishës e përmes Krishtit Jisu për të gjitha brezat, në jetë të jetëve! Amin!” (Efes. 3:14-21).
Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi, në fjalën e tij të rastit shprehu mirënjohje të thellë ndaj Zotit, i Cili e denjësoi për këtë gradë të lartë të kryepriftërisë. Falënderoi përzemërsisht Kryepiskopin Anastas, për dashurinë dhe mbështetjen e vazhdueshme si edhe besimin e treguar për ta pasur bashkëpunëtor më Krishtin në veprën hierapostolike të ringritjes së Kishës sonë, por edhe për ta propozuar si Episkop dhe anëtar të Sinodit të saj të Shenjtë. Kujtoi gjithashtu me mallëngjim Episkopin e parafjetur të Apollonisë, Hirësi Kozmain, që ishte mësuesi i tij i parë në besim, si edhe të parafjeturin Mitropolit të Beratit, Hirësi Ignatin, që me dashuri të veçantë dhe kujdes personal e frymëzoi në zgjedhjen e përkushtimit të plotë dhe në vendimin që t’i bashkohej radhëve të klerit orthodhoks.
Në sallën e Qendrës Sinodike vijoi dreka e rastit për hirotoninë e episkopit Anastas, ku të pranishmit, klerikë dhe laikë, nga vendlindja e tij, Vlora, Kryepiskopata e Tiranës dhe të gjitha mitropolitë, familja dhe rrethi miqësor, patën rastin e urimeve për të qenë i denjë në kryepriftëri, plot me zell pune e mundimi, frymë sakrifice dhe vetëmohimi në dobi të përparimit shpirtëror të mbarë grigjës së Kishës sonë.
Jetëshkrim i shkurtër i Episkopit të Krujës, Hirësi Anastasit
Episkopi Ndihmës i Krujës, z. Anastas (para Pagëzimit, Enkeled Mamaj), lindi më 6 gusht 1979 në Vlorë, ku kreu shkollën 9-vjeçare dhe të mesme. Në vitin 1999 ndoqi studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës. U diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të qytetit të lindjes dhe mori diplomë në Administrim Biznes (MSc) gjatë viteve 2001-2005.
Në vitet 2005-2009 ka pasur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare, ndërsa nga viti 2009-2017 ka pasur poste drejtuese në Union Bank. Njëkohësisht, përgjatë viteve 2006-2014 ka qenë anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat, deri në ndarjen e tij nga jeta. Në vitin 2017 ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe, më vonë, në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar “Logos”, ku u diplomua (BSc) në Studime Teologjike dhe Shkenca Sociale në vitin 2023.
Më 22 janar 2018 u dorëzua Dhjakon nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas. Më 20 tetor 2019 u hirotonis prift dhe më 9 gusht 2020 mori titullin e Arkimandritit. Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe në aktivitetet ekonomike të Kishës sonë. Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Gjithashtu, është këshilltar në Institucionin Arsimor “Frymë Dashurie”.
Nga data 3 dhjetor e këtij viti shërben edhe si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Përveç gjuhës amtare, hirësi Anastasi flet edhe gjuhën greke, italiane dhe angleze.