Ziçishti, është një fshat i vogël, por me kulturë dhe tradita të ruajtura brez pas brezi, një fshat ku besimi për Zotin ka hyrë në zemrën e çdo njeriu.
Këtu ndodhet dhe Kisha e Shën Marisë, e cila këto vitet e fundit ka marrë një bukuri të veçantë, falë dhe punës së priftit të këtij fshati, At Viktor Konomit.
Këtë bukuri e shtojnë më tepër dhe motrat orthodhokse, të cilat vijnë nga Follorina dhe japin mësime mbi Zotin e fenë. Çdo të shtunë fëmijë dhe gra vijnë në kishë dhe me interes dëgjojnë fjalën e motrës Mari. Nga mësimet një temë e veçantë ishte ajo mbi pagëzimin. Themi e veçantë, se mori brenda vetes shumë gra të reja, të cilat ishin ende të papagëzuara.
Asnjëherë s’është vonë për t’u pagëzuar. Kisha pranon gjithnjë në gjirin e saj edhe ata njerëz që vendosin të pagëzohen në minutat e fundit. Ndaj, të mos ngurojmë asnjëherë për t’u pagëzuar e të bashkohemi me Zotin Jisu Krisht, Kishën tonë. Ishin këto fjalët e At Vasilit, i cili bën një punë të palodhur me motrat.
Dhe erdhi dita e pagëzimit një ditë e veçantë. Flladi erëmirë, malet që prekin qiejt, ujërat si pasqyrë e pakufishme, ku çdo krijesë zgjohet në një jetë të re dhe gëzueshëm këndon lavdërimet e Tua.
Në kishën e mbushur plot si asnjëherë tjetër, zotëronte një atmosferë festive. Nën dritën e qirinjve e në psalmet kishtare gratë e reja veshin fustanin e pagëzimit. Shërbesa u krye nga At Vasil Skordileva dhe At Viktor Konomi. 12 gratë e reja u pritën nga Kisha e Shën Marisë dhe varën kryqet dhuratë nga At Vasili.
2 vajza dhe midis tyre një djalë i vogël, u pritën nga duart e nunës Evangjeli. Të gjithave u shkëlqente fytyra për këtë ngjarje të shënuar në jetën e tyre. Larmi solli dhe prania e motrave, që tashmë janë bërë një me ne: Maria, Margarita, Evangjelia etj. Për nder të kësaj ceremonie u shtrua dhe një drekë, ku u kaluan disa orë të gëzueshme. Bukurinë kësaj dreke ia dhanë tingujt e telave të kitarës së At Viktorit dhe zërit të tij aq të ëmbël, i shoqëruar dhe nga prania e çifteve që u pagëzuan.
Kjo ditë mbeti e paharruar, jo vetëm për ato që u pagëzuan por për të gjithë banorët e fshatit Ziçisht.
Mariano Themeli, Elena Sido