EmailFacebookKontakt

Një ditë në Varreza

Ishte ora 7 e mëngjezit kur varrezat e Durrësit ishin mbushur plot me besimtarë të moshave të ndryshme. Dallohesh ngjyra e zezë e veshjeve të grave e vajzave me qirinj në duar pranë varreve të të dashurve të ndruar jetë, që me buqeta lulesh dhe gjethe arre prisnin At Petron dhe At Spiron, të cilët sot kishën do ta falin këtu, tek varrezat. Pikërisht në truallin e Kishës së Shën Astit, e cila u prish nga diktatura, por u ruajt shumë nga besimtarët, që vazhdojnë edhe sot të ndezin rregullisht qirinj.

Të gjithë, mblidhen aty, në mes të varreve, në mes të barit të njomë, në mes të erës të lehtë pe r të nxehtë që fryn nga Jug-lindja dhe liturgjia fillon. Të gjithë dëgjojnë në heshtje të plotë dhe bashkë me njerëzit duket sikur marrin pjesë dhe të vdekurit në varre. Fjalët e Shenjta, të përziera me erën e thimiamit shpërndahen lehtë dhe ëmbël në të gjithë faqen e kodrës.

Të gjallët i luten Perëndisë për shpëtimin e shpirtërave të atyre që kanë vdekur dhe ndajnë meshë, grurë, pemë e ndokush edhe ndonjë gotë të vogël me verë. Kisha shëron sëmundjet dhe vuajtjet e Shpirtit, por a mos vallë mbaron detyra e jonë me kaq. Jo, në asnjë mënyrë jo. Le ta përsërisim edhe një herë fragmentin ku thuhet: “Falna o Zot, mëkatet që mund të kemi bërë duke menduar, duke folur, ose duke vepruar”. Le t’i analizojmë secilën prej këtyre veç e veç. Duke filluar nga vetja e jonë, do të dalim në përfundimin se s’ka ditë dhe orë që të mos biem në mëkate nga më të ndryshmet përpara Zotit. Dhe, po të mendojmë se një ditë kjo lutje do të bëhet edhe për ne, ndërsa ne vetë do të pendohemi për ato që kemi bërë, atëherë le të luftojmë t’i kufizojmë në maksimum mëkatet tona që çdo mendim të padenjë, çdo fjalë të pamatur dhe çdo veprim të keq të mos shfaqim kurrë në jetë.

Mbas Liturgjisë së Shenjtë njerëzit, me At Petron dhe me At Spiron, shpërndahen në të gjithë varret me rradhë, për të bërë përshpirtjen e veçantë të secilit. Përshpirtja e parë u bë tek varri i ish priftit të nderuar dhe shumë të respektuar të Durrësit, Atë Jerazmi Jorgos e pastaj me radhë!

Sa mirë është kur njerëzit të kujtojnë me respekt dhe dashuri, një ngushëllim i madh për njerëzit e familjes, por dhe një lutje e madhe para Perëndisë që na ndjek, na sheh dhe na mbron në çdo hap tonin.

Lluka Tutra
E shtunë, 10 qershor 1995