EmailFacebookKontakt

Një ditë festive në Mitropolinë e Beratit

Me bekimin dhe nën kujdesin e Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit dhe me bashkëpunimin e Zyrës Kombëtare Rinore më 31 maj, në qytetin e Vlorës u zhvillua Festivali i Tretë Rinor i Dioqezës së Beratit. Në këtë festival morën pjesë 13 grupe, të cilat (për të ftuarit dhe publikun vlonjat), u paraqitën me një këngë kishtare dhe një këngë popullore. Në përgjithësi të gjitha grupet, falë punës së përkushtuar të drejtuesve të papërtuar, kishin një nivel artistik të lartë, i cili ishte rritur dukshëm po ta krahasojmë me dy festivalet paraardhëse.

Të bënin përshtypje grupet debutuese, të cilat u paraqitën denjësisht, si grupi i Gorresë e i Sqepurit dhe grupi rinor i Këmishtaj, i cili pati një paraqitje mjaft të suksesshme me vallen e tyre, valle e cila mbylli dhe programin, duke i dhënë më shumë jehonë atmosferës festive.

Vazhdimisht Kisha me programet e saj përpiqet që të zgjojë tek të rinjtë ndjenjën fetare dhe atë kombëtare. Ajo përpiqet të tregojë se muzika është e dobishme, është e bekuar për aq kohë sa ajo i shërben Zotit, por ajo të çon në shkatërrim kur i kalon caqet e vëna, apo kur i mungon nektari shpirtëror. Kisha përpiqet të tregojë se shpirti i njeriut kënaqet më shumë nga ajo muzikë e cila lavdëron, falënderon dhe kërkon Perëndinë, krijuesin e tij.

Në fjalën e tij, Mitropoliti i Beratit theksoi: “Kënga është e domosdoshme për cilindo individ, për cilëndo familje, për cilëndo shkollë dhe për çdo veprimtari argëtuese. Grupimet pa këngë janë si foleja pa zogj, si kopshti pa lule, si shtëpia pa fëmijë. ‘Këndojini Perëndisë tonë, këndojini; Këndojini mbretit tonë këndojini; Këndojini me urtësi;’ na këshillon Hyjprindi David melodiozi, ndërsa shën Joan Gojarti lavdëron muzikën serioze duke thënë: Asnjë gjë tjetër s’ka mundësi të gjallërojë shpirtin, t’i japë krahë, ta çlirojë nga toka dhe ta detyrojë të filozofojë, ashtu si bën kënga e shenjtë.”

Në mbyllje të programit fjalën e mori drejtori i shkollës së muzikës të qytetit mikpritës, i cili në emër të jurisë shpalli si fitues të këtij festivali grupin e Vlorës. Vendi i dytë iu dha grupit të Beratit dhe në të tretin u radhitën grupi i Bubullimës dhe ai i Libofshës.

Duhet të theksojmë se një ndihmesë mjaft të madhe në realizimin e këtij festivali dhanë klerikët e Vlorës, këshilli i Kishës, psaltët dhe besimtarë, të cilët duhen falënderuar për kontributin e tyre.

Shpresojmë dhe urojmë që ky organizim, ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në programet e tjera, që Kisha ka për të realizuar.

Përgatiti: Aleksander Hamlla