T’u ofrosh njerëzve gëzim, t’u lehtësosh atyre barrën shpirtërore, t’u ndodhesh pranë në vështirësi apo t’u ofrosh qoftë një buzëqeshje të pastër, është një lumturi për të dy anët.
Ata që janë braktisur në jetë, jetojnë të vetmuar në shpirt e që kanë humbur çdo shpresë e kuptim të jetës, e ndjejnë më shumë nevojën që të duhen nga të tjerët dhe t’i shfaqet dashuri e sinqertë. Disa prej këtyre njerëzve ne i kemi gjetur në Shtëpinë e të moshuarve (Azilin) në Tiranë. Janë rreth 30 të moshuar, me të cilët bashkëpunojmë prej më se 3 vjetësh. Një herë në muaj i vizitojmë dhe i gatuajmë ushqimin e drekës, duke marrë pjesë gjithashtu në problemet e shqetësimet e tyre. Me rastin e festës së Fjetjes së të Trëshenjtës Mari, organizuam me ta një eskursion në Manastirin e Shën Vlashit.
Ditën e martë të 22 gushtit, 4 mikrobuza të Kryepiskopatës, të mbushur me pleqtë e personelin e Azilit, si dhe të shoqëruar nga tri gra të grupit të Grave Orthodhokse, u nisën për në kompleksin e Manastirit. Atje takuam ekonomatin, zotin Mihal, i cili pasi shprehu me shumë përzemërsi mirëseardhjen për të moshuarit, na drejtoi në fillim në Kishën e Shën Vlashit. Të gjithë të pranishmit dëgjuan me shumë vëmendje historinë e jetës së Shën Vlashit, dëshmorit të madh të Krishtit dhe mjekut mrekullibërës, për të gjithë ata që luten me besë.
Gjithashtu u fol dhe për historikun e Manastirit dhe për punën kolosale për rindërtimin e tij dhe ngritjen e Akademisë Teologjike, nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.
Në fund të bisedës, të ngazëllyer e me fytyra të ndriçuara, të moshuarit dolën nga Kisha duke u lutur me qirinj të ndezur në dorë e zemra të ndezura me shpresë.
Pasi vizituan nga jashtë shkollën dhe ambiente të tjera të Manastirit, Mihali na drejtoi në mensë. Atje bashkë me ushqimin e shijshëm të gatuar me mjeshtëri nga kuzhiniere Liza, ndamë midis nesh edhe ushqimin shpirtëror, të marrë në këtë vend të shenjtë.
Të gjithë të ftuarit e veçanërisht të moshuarit, shprehën se ajo ditë u dhuroi një gëzim fëminor e lumturi të veçantë dhe do të mbetej e paharruar në kujtesën e tyre. Dëshira për të zhvilluar përsëri veprimtari të tilla lexohej qartë në sytë e tyre. Ndaj dhe ne i siguruam që mjafton që të dëshirojmë mirësira dhe me fuqinë e Perëndisë dhe me lutjet tona, çdo e mirë realizohet në jetë.
Zoica Koja
Marika Vllahu
Nga Grupi i grave
“Shërbimi i Dashurisë”
Tiranë