EmailFacebookKontakt

Një datë e përbashkët për Pashkën

Një propozim i cili do të sjellë unitet në kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, u aprovua në një takim ekumenik i ftuar në Mars nga Kisha Orthodhokse e Sirisë. Kishave të mbarë botës do t’u kërkohet të kooperojnë në një përpjekje ndërkombëtare për t’i dhënë fund ndarjes 400-vjeçare mbi datimin e të kremtes më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, duke filluar nga viti 2001. Metodat e ndryshme të datimit të Pashkës janë rrjedhoja të mosmarrëveshjeve mbi sistemin kalendarik paraqitur prej Papa Gregorit XIII në 1582-shin.

Përfaqësues të traditave më kryesore të Krishtërimit nga e gjithë bota ranë dakord të ndjekin formulën për llogaritjen e datës së Pashkës aprovuar nga Sinodi i I Ekumenik i Nikeas më 325 (sipas të cilit Pashka duhej të kremtohej të dielën e parë që pasonte hënën e plotë të parë pas ekuinoksit pranveror), por duke përdorur njohuritë shkencore astronomike më të sakta të përdorura deri më sot, që kanë si pikë referimi meridianin e Jerusalemit.

Takimi i mbajtur nga data 5-10 Mars në Alepp, Siri, u sponsorizua nga Këshilli Botëror i Kishave (KBK) dhe Këshili i Kishave të Lindjes së Mesme.

Konsulta vendosi që KBK të organizojë një takim para vitit 2001, për të marrë përgjigjet e Kishave dhe për të diskutuar zbatimin e mundshëm. Viti 2001 është parë prej shumë kohësh si viti ideal për të inaguruar një marrëveshje seti datash, sepse në këtë vit 15 Prilli qëllon të bjerë data e kremtimit të Pashkës për të gjitha kishat e krishtera.

At Thomas Fitzgerald, prift orthodhoks dhe theolog, i cili kryeson programin për Unitet dhe Ripërtëritje të KBK vuri në dukje se ndarja e Krishterë rreth çështjes së Pashkës ishte “një skandal i brendshëm…”. Jemi duke folur rreth Ngjalljes së Krishtit, një shenjë e unitetit dhe pajtimit tonë. Nuk ka të kremte më të madhe, dhe ne sërish e festojmë atë në mënyrë të ndarë.

“Në kishën e hershme mosmarrëveshja për Pashkën, çoi përfundimisht në një konsensus të rëndësishëm, në Sinodin e Nikeas. U njoh thellësisht se kremtimi i Ngjalljes nuk duhet të jetë një shenjë ndarjeje midis të krishterëve.”

Ndërmjet pjesëmarrësve në takimin e Aleppit qenë përfaqësuesit e Patrikanës Ekumenike, Patriku i Moskës, Patriku i Antiokisë, Kisha Orthodhokse e Armenisë, Kisha Orthodhokse e Amerikës, Këshilli Pontifik i Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë, Kisha Anglikane, Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme dhe Këshilli Botëror i Kishave.