Në malësinë e Moravës në zonën e Devollit, në një luginë midis dy lumenjve, shtrihet fshati shumë i bukur dhe piktoresk, Gjyresi.
Një bekim shumë i madh, një gëzim dhe një ngjarje e veçantë për të gjithë banorët e fshatit ishte përurimi para pak kohësh i kishës së re të Shën Thanasit. Punimet për ndërtimin e saj filluan në vitin 2001. Fondet për ndërtimin e kishës u dhuruan nga besimtarë të ndryshëm fshatarë dhe qytetarë, që ndihmuan secili sipas mundësisë. Por është për t’u vlerësuar shumë ndihma që u dha nga një familje shumë besimtare e këtij fshati, zonja Olimbi dhe zoti Stefan, të cilët nuk kishin fëmijë dhe dëshira e tyre më e madhe ishte që të ndërtohej kjo kishë. Ata dhuruan një shumë të madhe parash prej një milion e katërqind mijë lekë të vjetra, që të ndërtohej kisha. Dhe kjo dëshirë kaq e madhe u bë realitet dhe solli një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët.
Kisha ndodhet në një kodër shumë të bukur të fshatit dhe rreth e rrotull saj ka plot lisa madhështorë që e bëjnë vendin shumë të këndshëm dhe i japin kishës një hijeshi të veçantë. Në ndërtimin e kishës duhet vlerësuar shumë puna e madhe e at Viktor Konomit, priftit të enorisë, i cili ishte dhe nismëtari për ndërtimin e kësaj kishe, ku punoi edhe vetë duke bërë dyshemenë, ikonostasin dhe kishte nën kujdesin e tij çdo punë që bëhej. Puna e at Viktorit është vërtet shumë e madhe, sepse brenda këtyre viteve nën kujdesin e tij janë ngritur tetë kisha si: katër në Ziçisht, dy në Gjyres, një në Bradvied dhe një në Poloskë, ku ka punuar edhe vetë si marangoz. Merita e tij e madhe dhe mjeshtëria e tij duket edhe tek ikonostasi shumë i bukur që ka bërë në kishën e tij, në Ziçisht.
Për përurimin e kishës, që u bë po nga at Viktori, kishte një pjesëmarrje shumë të madhe. Kishin ardhur të gjithë fshatarët, madje edhe ata fshatarë që ishin larguar nëpër qytete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe shumë qytetarë. Për të gjithë ishte një gëzim shumë i madh. Ishte një ditë e veçantë edhe për fshatarët që kishin ardhur nga larg dhe sidomos për brezat e rinj që panë fshatin e tyre dhe morën pjesë në këtë gëzim të madh. Shumë besimtarë kishin sjellë ikona dhe dhurata për kishën e re. Kurse ikonat e ikonostasit ishin dhurata nga Selaniku dhe Mali i Shenjtë.
Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët u mblodhën së bashku në natyrën e bukur jashtë kishës për të festuar këtë ditë me këngë dhe valle tradicionale, duke e kthyer kështu datën 17 gusht në një panair që do të festohet çdo vit në kishën e re të Shën Thanasit në Gjyres. Kjo ngjarje kaq e madhe, ky bekim dhe ky gëzim kaq i madh, do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat e besimtarëve që së bashku me një zë lavdërojnë dhe falënderojnë Zotin për të gjitha të mirat që u ka dhënë. Lavdi Pesëndisë për gjithçka!
Ilia Nençe