EmailFacebookKontakt

Nisma ndërtimi dhe kolendra në Mitropolinë e Korçës

Me bekimin e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës z.Anastas, dhe nën kujdesin e përkushtuar të priftit përgjegjës, Atë Mihal Sanellarit, kanë nisur punimet shtesë për përmirësimin e kushteve pritëse në Manastirin e Hirshëm të Fjetjes së Hyjlindëses Mari, në Boboshticë të Korçës.

Vitet e fundit, ky vend i shenjtë ka përjetuar një ringritje të plotë përmes restaurimeve të shumanshme, rikthimit të ikonografisë dhe përmirësimeve të infrastrukturës së brendshme e të jashtme. Falë këtyre përpjekjeve, Manastiri është shndërruar gjithnjë e më tepër në një qendër shpirtërore ku zhvillohen konferenca, kampe për fëmijë e të rritur, si dhe pelegrinazhe që ushqejnë shpirtin e besimtarëve. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme rritja e kapaciteteve akomoduese, në mënyrë që ky vend i paqes dhe ngushëllimit të mund të presë me dinjitet të gjithë ata që vijnë me zemër të hapur për t’u ushqyer me dritën e Krishtit.

Ka nisur tashmë faza e parë e punimeve, falë kontributeve bujare të besimtarëve, por nevojat mbeten të mëdha që gjithçka të përfundojë sa më shpejt dhe me hirin e Zotit. Ftohen të gjithë besimtarët e mirëdashës të kontribuojnë sipas mundësive, në mënyrë që së bashku ta shndërrojmë këtë manastir në një oaz të vërtetë shpirtëror – një strehë paqeje, lutjeje dhe rritjeje në besimin tek Zoti ynë, Jisu Krisht.

Në prag të Krishtlindjes u zhvilluan kolendrat nga nxënësit e shkollave “Omiros”, “Platon” dhe nga grupet e katekizmit. Ato i filluan kolendrat në Mitropoli, ku u pritën nga Hirësi Anastasi dhe më pas shkuan në familje të ndryshme.

Ditën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 2025, Mitropoliti Anastas drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Korçë, duke vijuar më tej me pritjen zyrtare, ku autoritete, përfaqësues të pushtetit lokal dhe mjaft besimtarë u mblodhën për të kremtuar dhe uruar Mitropolitin.