EmailFacebookKontakt

Ngritja e natyrës njerëzore

U ngjite në qiell me lavdi, o Krisht, Perëndia ynë, dhe gëzove me premtimin e Shpirtit të Shenjtë Nxënësit, të cilët u siguruan me bekimin, që Ti je Biri i Perëndisë, Shpërblyesi i botës!

Me zhvillimin e shkencave dhe të teknologjisë në shekullin tonë, shumë njerëz folën për mundësitë e mahnitshme të njeriut. U dëgjuan madje shprehje dhe deklarata fjalëmëdha si këto: “Perëndia vdiq. Perëndi jemi ne”. Zëra këto që vijnë si jehonë e drejtpërdrejtë e premtimit të lashtë të djallit në Eden: “do të bëheni si Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen” (Gjen.3:5). Por djalli nuk mund të prodhojë diçka me të vërtetë të re. Nuk është në gjendje të krijojë. Vetëm mund të shtrembërojë krijimin. Me atë propozimin e tij të vjetër shtrembëroi të vërtetën dhe e shndëroi atë në gënjeshtër. Kështu, atëherë në Eden, përdori si pikënisje një të vërtetë, thelbësore, por e formuloi në një mënyrë të tillë që shtyu njerëzimin në drejtim të gabuar: në rrugën e arrogancës dhe të vetplotësimit.

Në të njëjtën mënyrë dëshira e njeriut të lartësojë veten e tij deri në fronin e Perëndisë nuk është e gabuar në mënyrë absolute. Eshtë kryesisht shtrembërim i një tendence që ka origjinë hyjnore. Sepse Perëndia krijoi njeriun “sipas ikonës” së Tij, për të qenë bashkë me Të.

Njerëzimi gjeti përfundimit drejtimin e saktë për te froni i Perëndisë nëpërmjet Iisu Krishtit, “Adamit të dytë”. Kjo është tema thelbësore e mesazhit të krishterë, i cili arrin kulmin në të Kremten e Ngritjes në qiell të Zotit, Analipsit.

Destinacioni përfundimtar i njeriut është pikërisht hyjnizimi. Por kjo është e mundur vetëm me Krishtin i cili “Zbrazi veten e tij, dhe mori formë shërbëtori” (Fil.2-7,11).

Ky mesazh esencial teologjik rrezatohet nga e Kremtja e Ngjitjes në qiell të Zotit. Sipas ndërgjegjes kristologjike dhe nënvetëdijes adhuruese të Kishës së vjetër, të bashkuar, te Ngjitja në qiell e Krishtit shohim plotësimin, “fundin” e gjithë forcave të tjera vendimtare të rrjedhës së jetës së Perëndinjeriut. Zbritja e Fjalës Perëndi nga qielli në tokë filloi me Ungjillëzimin. Ngritja e Fjalës Perëndi nga toka në qiell plotësohet me Analipsin. Ungjillëzimi qe parathënia e Trupëzimit, ndërsa Ngritja në qiell është konkluzioni i tij. Atëhere Ai, i zhveshur nga trupi zbriti nga qielli në tokë ndërsa tani ngrihet nga toka në qiell duke bashkëlartësuar natyrën njerëzore. Dyzet ditë pas lindjes së Tij u çua në hierore dhe si i “parëlindur”, iu kushtua Zotit sipas ligjit. Dyzet ditë pas Ngjalljes së Tij, rilindjes së gjinisë njerëzore, ngjitet në hieroren mbiqiellore, si i “Parëlinduri” prej të vdekurve për të paraqitur te Perëndia dhe Ati, të Shenjtë dhe të dëlirë, natyrën njerëzore më Të, “pemën e parë” të natyrës sonë.

Celës themelor për kuptimin e plotë të mesazhit të së kremtes së ngritjes në qiell të Zotit mbetet koncepti biblik i Krishtit si “Adami i dytë” dhe “i parëlinduri” i krijesës. E gjithë ikonomia hyjnore, më Krishtin nuk sjell thjesht pajtimin midis Perëndisë dhe njeriut, por rilidh ato që mëkati i Adamit të parë i kishte ndarë: njerëzoret dhe qielloret. I rijep qënies njerëzore “lavdinë” hyjnore. Ashtu si rënia e Adamit të parë i hapi njeriut rrugën drejt Ferrit, ashtu edhe ngritja e “Adamit të dytë”, Iisu Krishtit, hapi derën për hyrjen tonë në qiell, ku sundon në mënyrë absolute prania dhe vullneti i Perëndisë.

Me lindjen e Tij Krishti u bë “i parëlindur ndër shumë vëllezër” (Rom. 8:29). Prania dhe vepra e Tij kanë dimensione universale. Eshtë “i parëlinduri i gjithë krijesës” (Kol. 1:15), “është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, që në gjithçka të jetë Ai i pari”. (Kol. 1:19) “Sepse duhej me të vërtetë atje t’i sillte therore Perëndisë natyrën tonë të parëlindur prej së vdekurish, diçka të njëshme me fillimin e sjelljes së prodhimeve të para, për gjithë gjithë gjindjen njerëzore” (Grigor i Selanikut. Fjalim i I-rë).

Qëllimi thelbësor i misionit shpëtimtar të Zotit nuk qe të shtonte disa parime morale apo të sqaronte disa pikëpamje të Dhiatës së Vjetër, por të përtërijë ontologjikisht “të gjitha”: të ngrejë të rrëzuarin, ta bëje të paprishshëm, të lavdërojë të mëkaturain të hyjnizojë njerëzoren. Pikërisht kjo mbetet zemra e mesazhit ungjillor, se Iisu Krishti u trupëzua, “bëri strehë te ne” predikoi Mbretërinë e Perëndisë në fjalë dhe fuqi, pësoi për ne, u ngjall e u ngrit në qiell, duke i hapur njerëzimit Mbretërinë e Perëndisë. Transformoi natyrën njerëzore, të cilën mori, natyrën tonë, dhe përfundimisht e lartësoi me trupin e lavdëruar të personit së tij prej Perëndinjeriu në qiell, aty ku Perëndia është i pranishëm në mënyrë absolute, përmbi dhe përtej mundësisë së konceptimit tonë, dhe megjithatë aq afër nesh.

Gjuha e vjetër klasike, e lidhur me një koncept statik të hapësirës dhe kohës “sipër” edhe “poshtë” kërcënon të na izolojë në dilema të rrema dhe të rrezikshme në lidhje me praninë e Krishtit në qiell dhe njëkohësisht, “midis nesh”. Megjithatë hapjet bashkëkohore të shkencave fizike konstatojë se hapësira nuk është statike, se gjithësia gjendet në lëvizje, se hapësira vazhdimisht zhvillohet. Universi dhe koha ndërvarren.

Marrja e natyrës njerëzore dhe lartësimi i saj janë realizuar ontologjikisht “nga vëllai i parëlindur”, Zoti ynë Perëndinjeri.

Kjo ngjarje përbën pikën më të fundit të lavdisë së natyrës njerëzore. Veçse për ne mbetet një mundësi kolosale, ende e nënzhvilluar. Cdo njeri, si person i lirë, thërritet lirisht ta pranojë, ta vëjë në veprim me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, i cili sjell Mbretërinë e Perëndisë brenda nesh dhe na çon në “krahët e Atit”.

(Pjesa e dytë vijon në numrin e ardhshëm)

+ Anastasi