Nga Kryepiskopi Anastas
Të vërtetat, që trajtuam në pjesën e parë të kësaj omelie teologjike – të botuar në numërin e kaluar – (shih fragment nga pjesa e parë në kuadër më poshtë), në pamje të parë paraqiten teorike, megjithatë si të gjitha dogmat e Kishës, kanë referim të drejtpërdrejtë në probleme konkrete dhe praktike të jetës sonë, ashtu si ekuacionet teorike matematike japin zgjidhje për shumë probleme praktike të fizikës.
Qëllimi thelbësor i misionit shpëtimtar të Zotit nuk qe të shtonte disa parime morale apo të sqaronte disa pikëpamje të Dhiatës së Vjetër, por të përtërijë ontologjikisht “të gjitha”: të ngrejë të rrëzuarin, ta bëjë të paprishshëm, të lavdërojë të mëkatuarin, të hyjnizojë njerëzoren. Pikërisht kjo mbetet zemra e mesazhit ungjillor, se Iisu Krishti u trupëzua, “bëri strehë te ne” predikoi Mbretërinë e Perëndisë në fjalë dhe fuqi, pësoi për ne, u ngjall e u ngrit në qiell, duke i hapur njerëzimit Mbretërinë e Perëndisë. Transformoi natyrën njerëzore, të cilën mori, natyrën tonë, dhe përfundimisht e lartësoi me trupin e lavdëruar të personit së tij prej Perëndinjeriu në qiell, aty ku Perëndia është i pranishëm në mënyrë absolute.
a) Ngritja e trupit njerëzor me Ngritjen në qiell të Krishtit, thekson pikërisht vlerën kolosale të botës materiale dhe të njeriut, si unitet trupor shpirtëror. Përbën një pranim të mahnitshëm të gjithë njeriut. Trupin njerëzor shenjtëron Krishti, atë shndërron, atë ngjall, atë lartëson në qiejt: trupin e Perëndinjeriut, trup i cili që para Ngjalljes së tij, punoi, eci, shërbeu, u mundua, u kryqëzua dhe ka “shenjat e peronave”. Zbulesa e krishterë nuk flet për një çlirim të frymës dhe të shpirtit nga vargonjtë e trupit, si filozofi apo sisteme të tjera fetare. Eshtë kundër çdo idealizmi të papërcaktuar dhe çdo humanizmi ateist. Predikon ngjalljen dhe ngritjen e gjithë natyrës njerëzore. Pas sjelljes tek Ati, natyra e rilindur njerëzore, arriti në kulmin e zhvillimit të saj. Njeriu dhe bota fitojnë një dinjitet dhe rëndësi të papërshkrueshme. Të gjithë sa merren me respekt për çështjet njerëzore, për sigurimin e shëndetit, të lirisë, të drejtësisë, të dinjitetit të gjithë figurave njerëzore, gjenden të sintonizuar me qëllimin e madh të ngritjes së qenies njerëzore. Pikërisht kjo realizua nga Krishti i ngjallur dhe i ngritur në qiell. Për të qenë me të vërtetë njeri dikush duhet të jetë “si Perëndi”. Krishti mbetet gjithmonë masa e plotësisë. Siç jemi shpesh robër të një tendence teologjike pasaugustiniane, që të nënvleftësojmë dhe të dërrmojmë qenien njerëzore, është nevojë të rigjejmë respektin për njerëzimin dhe të kuptojmë mundësitë e mahnitshme të natyrës njerëzore, horizontet e pakapshme, që u hapën për të nga Krishti i ngritur në qiell.
b) Vepra e Kishës, në të cilën shërbejmë, nuk është thjesht shpallja e ndonjë predikimi moral apo thirrja në shpëtim vetëm e disa individëve, por ftesa në një marshim, në një liturgji transformimi të gjithë botës, në aktivizimin e mundësisë njerëzore për lartësimin, “ngritjen në qiell”, të gjithë brumit njerëzor, deri te “froni i Perëndisë”, në hyjnizim nëpërmjet hirit, me pjesëmarrjen e tij në jetën e dashurisë së Shën Triadhës së lumur.
Me veprën e Kishës Tij njerëzit nuk ftohen thjesht të njohin Krishtin, të mblidhen rreth Tij, apo të nënshtrohen në vullnetin e Tij; por ftohen të marrin pjesë në lavdinë e Tij, “të lavdërohen bashkë me Të” (Rom. 18,17), të familjarizohen me mundësitë e paana që ju dhanë njerëzimit me trupëzimin dhe ngjalljen e Krishtit, për të marrë pjesë në plotësimin e jetës, “që të kenë jetë dhe ta kenë tepër” (Joan. 10:10). Pjesëmarrja jonë në këtë jetë, në këtë lavdi, do të arrijë në zhvillimin e plotë të saj në kohët e fundit, në Ardhjen e Dytë: “Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë dhe ju bashkë me Atë do të shfaqeni në lavdi”. (Kol. 3;4). Kjo lavdi hyjnore rrezaton vazhdimisht në të gjithë botën, në të gjithë krijesën. Krishti i ngritur në qiell është “plotësuesi i gjithësisë”. Mbretëria e Perëndisë, e cila që tani ka filluar brenda nesh dhe drejt plotësimit të së cilës kemi shikimin, përjetohet në këtë mënyrë me një shpresë dinamike të mahnitshme.
c) Pas Ngritjes në qiell të Krishtit, nxënësit “u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh” (Luk. 24;52), plot siguri, fuqi, vizion, shpresë. “Ky Iisu”, thanë ëngjëjt, “që hipi prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, sikundër e patë, duke vajtur në qiell” (Vepr. e Ap. 1:11-). Ai, vetë Krishti, me natyrën e Perëndinjeriu. Ekziston një gëzim i thellë që shpërthen nga kuptimi dinamik i ardhjes së Mbretërisë së Perëndisë, nga siguria se njohim këtë mesazh, më vendimtarin për historinë njerëzore.
Ekziston një ngazëllim brenda fuqisë, të cilën premtoi Krishti: “Do të merrni fuqinë, kur të vijë Fryma e Shenjtëruar mbi ju” (Vepr. e Ap. 1:8). Gëzim që buron nga roli vendimtar që na besoi si “bij të Mbretërisë” të bashkëpunojmë si “bashkëpunëtorë Perëndie” për përhapjen e kësaj dëshmie shpëtimi “gjer në fund të dheut” (Vepr. 1:8).
Transferimi i Mbretërisë në kufij të rinj nuk është një veprimtari njerëzore. Eshtë Shpirti i Shenjtë ai që vazhdon veprën e Krishtit në kohë dhe në hapësirë me nxënësit e tij “si Krishti”, duke e bërë Mbretërinë të pranishme e aktive “brenda nesh”, në çdo person, në Kishë. Por, kryesisht, ky gëzim i madh derdhet në jetën tonë, sikurse jemi duke vështruar mundësitë kolosale që ngritja në qiell e Krishtit hapi në jetën e njeriut dhe gjithë botës. Aktivizohet edhe në momentet tona të vështira; kur pasojmë Krishtin në rrugën e tij, në arën e të korrave, në rrugët e Jeruzalemit shpirtëror, në Malin mistik të Metamorfozës, në përplasjen e tij me udhëheqësit e fuqishëm fetarë apo politikë të epokës së Tij, në rrugën e Golgotasë. Sepse e dimë se vetë kjo rrugë përfundon në Ngjalljen, në Ngritjen në qiell, “në gji të Atit”. Ky gëzim nuk është i mbyllur, personal. Zhvillohet në Kishë, është lavdërimi i komunitetit të besimtarëve, shpallje dinamike e mundësive të reja të njeriut.
Vitet e fundit dëgjohen shumë shpallje për të drejtat e njeriut. Duke parë njeriun dhe veprën tonë brenda dritës së Ngritjes në qiell të Krishtit, ndërgjegjësohemi gjithmonë edhe më tepër se misioni ynë i krishterë përbën shpallje dhe përpjekje për të drejtën njerëzore sublime, – domethënë që njeriu të bëhet ajo për të cilën u krijua, të bëhet “si Krishti”, Perëndi nëpërmjet hirit, të realizojë natyrën e tij të vërtetë. Gjithë të drejtat e tjera të njeriut burojnë nga kjo. Të gjitha gjejnë në të plotësimin e tyre. Çdo mendim që injoron apo mënjanon këtë të drejtë sublime të njeriut, përfundon në çorientim të tij, e bën indiferent për elementin thelbësor të qenies së tij: origjinën hyjnore dhe destinacionin hyjnor.
Detyra jonë sublime kishtare përmblidhet në shpalljen dhe përjetimin e faktit, se çdo figurë njerëzore, ka të drejtën, por edhe detyrën të aktivizojë mundësitë e pafundme që i ofrohen më Krisht, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, me qëllim që të avancojë në plotësimin e qënies njerëzore, në lavdinë hyjnore, në atë që në gjuhën teologjike të Kishës Lindore u quajt “hyjnizim” në “fund”, që ngritja në qiell e Zotit na e zbulon në një mënyrë të guximshme e të hareshme, duke kapërcyer çdo mendim njerëzor të stabilizuar dhe statik.
Vepra e Kishës, në të cilën shërbejmë, nuk është thjesht shpallja e ndonjë predikimi moral apo thirrja në shpëtim vetëm e disa individëve, por ftesa në një marshim, në një liturgji transformimi të gjithë botës, në aktivizimin e mundësisë njerëzore për lartësimin, “ngritjen në qiell”, të gjithë brumit njerëzor, deri te “froni i Perëndisë”, në hyjnizim nëpërmjet hirit, me pjesëmarrjen e tij në jetën e dashurisë së Shën Triadhës së lumur.