EmailFacebookKontakt

Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej (Analipsi)

Nga Shën Athanasi i Paros

Kjo është e kremtja e gëzueshme, të cilën Zoti ynë Jisu Krisht ua dhuroi besnikëve bashkë me Ngjalljen dhe Ngjitjen e Tij në Qiej. E shikoni lartësinë qiellore, në të cilën u ngjit Zoti kur fluturoi në qiej dhe lavdinë e përmbilavdëruar me të cilën u lavdërua në mish? E arriti me përulësi, duke mos synuar lavdi. Siç thotë edhe apostulli për të “e përuli veten e tij duke u bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq, prandaj Perëndia e ngriti dhe i dha një emër më të lartë se çdo emër tjetër, që në emrin e Jisuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiej e mbi dhe e nën dhe, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filip. 2:8-11).

Nëse lindja e Krishtit është fillimi dhe rrënja, kjo festë është fundi dhe kulmi. Zoti, pas ngjalljes, qëndroi dyzet ditë në tokë. Iu shfaq apostujve disa herë, në vende dhe kohë të ndryshme. Sa herë që shfaqej para tyre, ai fillimisht u jepte atyre bekimin dhe paqen që “kapërcen çdo mendje” (Filip. 4:7). Pastaj, si u mësoi mësimet e Tij të larta për Mbretërinë e Qiejve, u tha atyre se nuk duhet të qëndronin më në Jerusalem, por të përhapnin Ungjillin në të gjitha skajet e dheut. Për herë të fundit përpara se të ngjitej në Qiej, Zoti iu paraqit nxënësve në malin e Ullinjve, jashtë Jerusalemit. Aty e panë për herë të fundit.

Të gjithë ishin mbledhur për ditën e Ngjitjes në qiell. Ishin njëmbëdhjetë nxënësit, shtatëdhjetë apostujt, si dhe mjaft gra, me në qendër të procesionit Virgjëreshën Mari. Të gjithë së bashku, njëqind e njëzet shpirtra.

Zoti ngriti duart dhe i bekoi për herë të fundit. Trupi i tij, më i lehtë se ajri, filloi të ngrihej lart. Një moment i shenjtë dhe prekës.

E çuditshme, do të thuash, por si është e mundur që trupi i njeriut të ngrihet lart?

Por nëse njeriu, i cili është një hije e tij, arrin të gjejë mënyra për t’u ngritur lart e për të fluturuar mbi re me krahët e një avioni, apo për të kaluar hapësirën me raketat, pse të jetë e vështirë për Zotin e madhërishëm, i cili krijoi mendjen e njeriut?

Krishti, pa asnjë mjet mekanik, u ngjit në Qiej. Një re, e cila është një simbol i hyjnisë, e mbuloi atë. “Retë e pranuan” (Vep. 1:9). Kjo ngjarje e mrekullueshme solli një botë të jashtëzakonshme. Krishti u ngjit lart. Ai kaloi yjet, kaloi diellin, kaloi galaktikat, kaloi gjithë krijimin material. Dhe kur ai arriti kufijtë dhe preku botën shpirtërore, pastaj dëgjoi zërin që Isaia dëgjoi në mënyrë profetike: “Kush është ky?” (Is. 63:1). Kush është ky që është lyer me gjak? Sepse rrobat e tij janë të kuqe. Kush është ky njeri, kush guxoi të kalonte qiejt dhe të arrinte këtu? Dhe engjëj të tjerë u përgjigjën, ashtu si psalmisti, në mënyrë profetike: “Ai është i fuqishmi në luftë”. Ai zbret nga toka, ku luftoi një betejë historike botërore dhe fitoi; ai mundi skribët dhe farisenjtë, mbretërit e tokës, djallin, mëkatin, madje edhe vetë vdekjen. Kështu, ngjitet tashmë si fitimtar dhe triumfues. Dhe pastaj u dëgjua një zë tjetër: “Ngrini dyert, o ju të parët…”, hapni dyert e qiellit, që të hyjë “mbreti i lavdisë” (Ps. 23,7-10).

Sa për engjëjt mbi qiell, ata festojnë, poshtë në tokë nxënësit përjetojnë emocione të tjera. Ata janë edhe të lumtur, por edhe të trishtuar, sepse e donin Krishtin. Për hir të tij ata lanë punët e tyre, shtëpitë, fëmijët, gratë, prindërit e tyre dhe e ndoqën atë kudo. Dhe tani Ai largohet, ngrihet në lartësi. Kjo është arsyeja pse në himne Kisha këndon: “Mos na lë jetimë…”. Dhe vërtet, Krishti nuk i la apostujt jetimë. Pas dhjetë ditësh u dërgoi atyre Shpirtin e Shenjtë. Dhe kjo i informoi ata – sepse Shpirti i Shenjtë mbush zemrën – se Krishti është me siguri shumë lart, në qiej, por është dhe kaq afër, më afër se çdo tjetër, siç pohoi edhe vetë: “Edhe ja unë do të jem me ju gjithë ditët, deri në fund të kohërave” (Mt. 28:20).

Pra, nëse Perëndia e lartësoi Krishtin për shkak të përulësisë së skajshme, çnderimit, tundimeve, pasi duroi kryqëzim të dhimbshëm dhe vdekje për hirin tonë, si do mundemi ne të shpëtojmë, të lartësohemi e të lavdërohemi bashkë me Të, nëse nuk zgjedhim përulësinë, nuk tregojmë dashuri për të afërmit tanë, nuk i ndërtojmë shpirtrat tanë nëpërmjet durimit në sprova, apo nëse nuk ndjekim udhën e ngushtë, e cila të çon në jetën e përjetshme? “Sepse edhe Krishti pësoi për ne, duke na lënë një shembull të paqortueshëm, që të ndjekim gjurmët e tij” (I Petr. 2:21).

Urtësia e pamatë e Atit të lartë, Fjala e parajetshme, që nga njeridashja u bashkua natyrën tonë dhe na shpëtoi, na bëjnë tani pjesëmarrës në një të kremte shumë të lartë. Tani kremtojmë ngjitjen e natyrës sonë, jo nga thellësitë e tokës drejt sipërfaqes, por nga toka drejt qiellit dhe përtej fronit të Zotit të të gjithave.

Zoti jo vetëm që qëndroi, njësoj si pas ngjalljes, mes dishepujve të tij, por u nda prej tyre, dhe ndërsa e shikonin, u ngjit në qiell dhe hyri me të vërtetë në të shenjtat e të shenjtëve “dhe u ul në të djathtë të Atit përmbi çdo autoritet e pushtet e ofiq e zotërim që njihet jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që vjen.” (Efes. 1:20).

E bëri këtë që ta dëftejë veten të plotë, të shëndetshëm e të padëmtuar, që të ecë qëndrueshëm, me këmbët që duruan vrimat e gozhdëve, si dhe duart me shenjta e gozhdëve, brinjën e çarë me shtizë, të cilat ngjitën lart shenjta e plagëve, si vërtetim i pësimit shpëtimtar.

Me fjalët “qëndroi në mes të nxënësve” tregohet se këta u forcuan në besim me praninë dhe bekimin e Tij. Sepse nuk qëndroi vetëm fizikisht mes tyre, por edhe në zemrën e gjithsecilit, duke u dhënë fuqi e guxim për të përballuar ato që do të vinin.

***

Le të shkojmë dhe ne në “dhomën e sipërme” të mendjes dhe zemrës sonë duke u lutur, të pastrojmë veten, që të fitojmë Ngushëllimtarin dhe t’i falemi Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Përktheu: Eleni Pani