EmailFacebookKontakt

Ngjallja u festua në mesnatë

Berat
Dëshmi e besimit
Ngjallja u festua në mesnatë

Në Kishën e Shën Spiridhonit, aty ku në 90-tën ranë këmbanat e para mbas shurdhimit 24 vjeçar, përsëri sivjet u bë një “çudi” e re paqendjellëse. Njerëz me vullnet të mirë, nismëtarët e parë të hapjes së kësaj kishe, që tani po rindërtohet thellësisht, iu përveshën sërish punës, për zbukurimin, ndriçimin me ngjyra e drita, për vendosjen e këmbanave në drurët e ullirit etj.

Të gjitha, që Ngjallja e Zotit tonë Isu Krisht, pavarësisht nga rrethanat që dihen, të shpallej në mesnatën e së Shtunës.

Nuk ishte vetëm një Liturgji, por një shpërthim hareje që nuk frenohej dot. Ky gëzim shpirtëror shoqërohej me përplasjen e vezëve të kuqe, me flakët e dridhshme të qirinjve, me shkëlqimin e bliceve e të fishekzjarreve, me përqafime dhe urime në sfondin e muzikës kishtare që qendra e zërit përhapte në qetësinë e natës.

Kështu u fillua kremtimi i Pashkës së Madhe me nismën e goricarëve, të cilët, ashtu si gjithë beratasit, presin me padurim që katedralja e tyre, si një tjetër lajmëtare e ringjalljes sonë shpirtërore, të shfaqet përsëri e rindërtuar, si një nuse e stolisur në ballë të qytetit të lashtë, posi një perlë me shkëlqim të ri.

Dhimitër Andon Topi