EmailFacebookKontakt

“Ngjallja” – gazetë e mesazhit të krishterë orthodhoks

30 vjet më parë – tetor 1992

“Ngjallja” – gazetë e mesazhit të krishterë orthodhoks

Pas një periudhe të gjatë persekutimi të egër, gjatë së cilës shteti ateist kryqëzoi fenë në Shqipëri dhe luftoi me mani ta zhdukë atë përgjithnjë, besimi përsëri po ngjallet me plot shkëlqim.

Me himnin tradicional “Krishti u Ngjall” nisi Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ringritjen dhe organizimin e saj në këtë epokë të re. Me himnin e Ngjalljes lufton të mbështesë dashurinë, guximin dhe durimin e popullit të shumëvuajtur.

Predikimi për Jisu Krishtin, Kryqin me Ngjalljen e Tij përbën boshtin qendror të Mesazhit të krishterë.

Çdo të diel, në Shërbesën e Mëngjesores ne orthodhoksët panegjerizojmë në veçanti Ngjalljen e Krishtit, duke u frymëzuar prej saj për përpjekjen e javës që fillojmë. Ngjallja mbetet zemra e spiritualitetit orthodhoks dhe ndryshimi rrënjësor i tij.

Prandaj gazeta e parë që boton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në këtë fazë të re të historisë së saj mban titullin shumë të rëndësishëm “Ngjallja”.

Mesazhin, paqen dhe frymën e Ngjalljes do të përpiqet të transmetojë në çdo numër të saj. Triumfi i dashurisë mbi urrejtjen, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i shpresës mbi zhgënjimin dhe frikën, është aspirata e saj. Dritën e Ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë me artikujt dhe lajmet e saj.

Tema, vizioni dhe frymëzimi i saj – Ngjallja. Ngjallja që bashkekziston mistikisht në jetën e kryqëzuar më Krishtin; Ngjallja që u falet të gjithëve sa besojnë tek Ai që siguron: “Unë jam Ngjallja dhe jeta” (Jn. 11:25). Ecja e Ngjalljes së individëve dhe popujve me fuqinë dhe hirin e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Kontributi i çmuar “i dëshmitarëve të Ngjalljes së Tij” (Vep. 1:22) në përparimin dhe ngritjen e njerëzimit. Ngjallja si aspiratë e historisë individuale dhe botërore.

Anastasi

Kryeartikulli i “Ngjallja” nr.1, tetor 1992