Pas një periudhe të gjatë persekutimi të egër, gjatë së cilës shteti ateist kryqëzoi fenë në Shqipëri dhe luftoi me mani ta zhdukë përgjithnjë, besimi përsëri po ngjallet me plot shkëlqim.
Me hymnin traditional “Krishti u ngjall” filloi Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ringritjen dhe riorganizimin e saj në këtë epokë të re. Me hymnin e Ngjalljes lufton të mbështesë dashurinë, guximin dhe durimin e popullit të shumëvuajtur.
Predikimi për Iisu Krishtin, Kryqin dhe Ngjalljen e Tij përbën boshtin qëndror të Mesazhit Kristian. Çdo të dielë në Shërbesën e Orthrit ne orthodhoksët panegjerizojmë në veçanti Ngjalljen e Krishtit, duke u frymëzuar prej saj për përpjekjen e javës që fillojmë. Ngjallja mbetet zemra e spiritualitetit orthodhoks dhe ndryshimi llojësor i tij.
Prandaj dhe gazeta e parë që boton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në këtë fazë të re të historisë së saj mban titullin e shumërëndësishëm “Ngjallja”.
Mesazhin, paqen dhe frymën e Ngjalljes do të përpiqet të transmetojë me çdo numër të saj. Triumfi i dashurisë mbi urrejtjen, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i shpresës mbi zhgënjimin dhe frikën, është aspirata e saj. Dritën e Ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë me artikujt dhe lajmet e saj.
Tema, vizioni dhe frymëzimi i saj – Ngjallja. Ngjallja që bashkekziston mistikisht në jetën e kryqëzuar me Krishtin; Ngjallja që u falet gjithëve sa besojnë te Ai që siguron: “Unë jam Ngjallja dhe jeta” (Joan 11:25). Ecja e Ngjalljes së individëve dhe popujve me fuqinë dhe hirin e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Kontributi i çmuar “i dëshmitarëve të Ngjalljes së Tij” (Pun. e Ap. 1:22) në përparimin dhe ngritjen e njerëzimit. Ngjallja si aspiratë e historisë individuale dhe botërore.
+ A.