EmailFacebookKontakt

Ngjallja e Krishtit – shpresë për ngjalljen e të gjithëve

“Nëse Krishti nuk u ngjall, atëhere predikimi ynë është i kotë dhe besa juaj është e kotë” (I Kor. 15:14)

Nga At Joan Pelushi

Ngjallja e Krishtit është e vërteta themelore e besimit të krishterë. Eshtë eksperienca qendrore dhe predikimi esencial i Kishës. “Nëse Krishti nuk u ngjall atëhere predikimi ynë është i kotë dhe besa juaj është e kotë” (I Kor. 15:14), – thotë Apostulli Pavël. Pashka është agimi i një ditë të re dhe pa mbarim. Ngjallja përbën çlirimin më rrënjësor të njerëzimit. Fitorja më e madhe e Krishtit dhe, nëpërmjet tij, e tërë njerëzimit, ishte mundja e vdekjes, e armikut të përbashkët të gjithë rracës njerëzore. Ngjallja është më tepër se predikimi i një doktrine; edhe para Krishtit ishin predikuar doktrina nga profetët. Ngjallja është më tepër se bërje mrekullish; edhe profetët e Dhiatës së Vjetër kishin bërë mrekullira. Me Ngjalljen u hap rruga e mbyllur e jetës. Të gjitha të tjerat janë mjete për të ndihmuar pikërisht për të fituar jetën e për të mundur vdekjen. Akti i Ngjalljes pohon autenticitetin e jetës së shquar tokësore të Krishtit, është garancia e shpëtimit tonë dhe për këtë arsye nuk ka festë më të madhe në Orthodhoksi se Pashka.

Ngjallja bëri të mundur mrekullinë e Kishës. Përvoja e thellë e një besimi të patundur në Zotin e ngjallur i bëri të aftë Apostujt të ungjillëzonin tërë botën dhe fuqizoi kishën të mundte paganizmin. Ngjallja zbuloi fuqinë e pathyeshme dhe urtësinë e padepërtueshme të Perëndisë. Ajo shpërndau mitet iluzive dhe sistemet e rreme të besimeve pagane, me anë të cilave njerëzit, të zhveshur nga dituria hyjnore, përpiqeshin më kot të gjenin qëllim dhe kuptim për egzistencën e tyre. Krishti i ngjallur dhe i lavdëruar, çliron tërë njerëzimin nga mashtrimi i idolatrisë. Në Të njerëzimi i robëruar nga varri, zbulon dhe mbushet me një shpresë pakrahasim. Ngjallja dhuron ndriçim, energjizon shpirtërat, sjell falje, transfiguron jetën, krijon shenjtore dhe jep gëzim.

Ngjallja e Krishtit është themeli dhe qëndra e krishtërimit. Eshtë me të vërtetë shtylla e vetme që mban tërë superstrukturën e besimit të krishterë. Trupëzimi i Krishtit, mësimi i Tij, vdekja e Tij dhe Ngjallja e Tij; këto janë katër kollonat e mëdha të shërbesës së Krishtit. Tri të parat marrin kuptim dhe jetë nga e katërta. Pa Ngjalljen, lindja e Krishtit nuk është trupëzim, por është një mit. Pa Ngjalljen, mësimi i Krishtit nuk do të kishte më shumë autoritet se mësimi i një njeriu tjetër të vdekshëm. Pa Ngjalljen, vdekja e Krishtit nuk është shpëtim, por një tragjedi. Kështu është e katërta – shtylla e madhe e Ngjalljes së Tij, që mban sipër tërë superstrukturën e besimit tonë orthodhoks, që i jep vlefshmëri trupëzimit, mësimit dhe vdekjes së Tij.

Nëse Krishti nuk u Ngjall, atëherë besa jonë është e kotë, mëkatet tona nuk janë falur, të dashurit tonë që kanë fjetur në Zotin janë të humbur, ne nuk kemi më shpresë dhe dashuria e Perëndisë nuk arrin përtej varrit. Kjo është arsyeja që për të krishterin orthodhoks Pashka është qendra e tërë vitit kishtar. Eshtë festa më e lartësuar dhe më e madhja, festa e festave. Eshtë thënë që krishteri i vërtetë orthodhoks është ai që jeton nga Pashka në Pashkë.

Ngjallja solli një ndryshim në ekzistencën njerëzore. Një person historik mundi vdekjen (I Kor. 15:21-22). Njerëzimi i dënuar me vdekje qysh prej Adamit, nëpërmjet Ngjalljes së Perëndi-Njeriut, u çlirua. Ngjallja e Zotit i ktheu përsëri jetën e humbur tërë njerëzimit në përgjithësi, tërë krijimit; duke i dhënë mundësinë çdo personi, çdo individi, ta mundë vdekjen dhe të fitojë ngjalljen nëpërmjet dhe në Ngjalljen e Krishtit. Restaurimi dinamik i plotësisë së egzistencës njerëzore u krye njëherë dhe për të gjithë.

Shën Joan Damaskini thotë: “Ndonëse Krishti vdiq si një njeri dhe shpirti i Tij i shenjtë u nda nga trupi i Tij i pastër, hyjnishmëria e Tij qëndroi me shpirtin dhe trupin, duke vazhduar të jetë i pandarë nga të dy”. Duke zhvilluar këtë ide At Xhorxh Florofski thotë që vdekja e Krishtit “ishte një vdekje brenda hipostazës së Fjalës, vdekja e humanitetit të “inhipostazuar”. Vdekja në përgjithësi është një ndarje, dhe ne vdekjen e Zotit trupi i Tij i çmuar u nda nga shpirti. Por hipostaza e Fjalës së Trupëzuar (dy natyrat e Krishtit të bashkuara në një person) nuk u nda, “bashkimi hipostatik” nuk u thye apo u prish. Me fjalë të tjera, ndonëse të ndarë nga vdekja, shpirti dhe trupi mbetën të bashkuar nëpërmjet hyjnishmërisë së Fjalës… Kjo nuk ndryshon karakterin ontologjik të vdekjes, por ndryshon kuptimin e saj. Kjo ishte një vdekje pa prishje”. Trupi i Krishtit nuk pësoi prishje, siç ndodh me trupat tanë në vdekje. Trupi i Tij kurrë nuk u bë një kufomë. Por prishja dhe vdekja u mundën nga virtyti i bashkimit hipostatik, i cili është burimi i ngjalljes. Kështu vdekja e të Trupëzuarit zbulon ngjalljen e natyrës njerëzore.

Ngjallja nuk e ka prishur akoma realitetin e vdekjes, por e ka treguar atë të pafuqishëm (Hebr. 2:14-15). Ne vazhdojmë të vdesim si pasojë e Rënies. Vdekja ndërpret unitetin themelor të personit njerëzor, i krijuar nga Perëndia si një organizëm i vetëm psikofizik i bërë nga dy elemente, shpirti dhe trupi, duke krijuar një shtrembërim ontologjik të natyrës njerëzore. Që të jetë një njeri i plotë duhet të jetë një unitet i shpirtit dhe i trupit. Kështu me vdekjen, me ndarjen dhe prishjen e këtij uniteti kemi prishjen e integritetit të natyrës njerëzore, largimin e “imazhit të Perëndisë tek njeriu”. Teologu i shquar orthodhoks At Florofski, shkruan për këtë: “Një njeri i vdekur nuk është plotësisht human. Një trup pa shpirt është një kufomë, dhe një shpirt pa trup një hije, një fantazmë. Njeriu nuk është një hije pa trup dhe një kufomë nuk është pjesë e njeriut”. Prandaj pikërisht në Ngjalljen ne zbulojmë kuptimin dhe rëndësinë themelore të Ngjalljes së Zotit, si prishje të Hadesit dhe riintegrimin e natyrës njerëzore. Hadesi, ky vend terri dhe çtrupëzimi u asgjesua nga ngjallja e Krishtit. Në Krishtin e tërë natyra njerëzore është kuruar plotësisht nga vdekja dhe nga mosplotësia. Restaurimi do të realizohet në shtrirjen e tij të plotë në ngjalljen e përgjithshme. Kështu, për të krishterin vdekja nuk është më një disfatë. Vdekja e trupit bëhet një “fjetje” dhe vetë vdekja një derë e jetës. Ngjallja e Krishtit jep shpresën për ngjalljen e të gjithëve.

“Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amëshuar”, themi në Simbolin e Besës. Krishti i ngjallur është “fryti i parë”, thotë shën Pavli. Të gjithë do të ngjallen në Ardhjen e Dytë të Krishtit dhe do të paraqitemi para gjykatores së Tij. Historia ka një kuptim, jeta ka një qëllim: ne po shkojmë diku, drejt ardhjes përfundimtare të Jisuit. Ne nuk po lëvizim drejt Trupëzimit, por drejt Ngjalljes. Ngjallja e të vdekurve është i vetmi dhe destinacioni unik i tërë botës, i tërë Kozmosit. Ngjallja e përgjithshme është përfundimi i fitores së Zotit mbi vdekjen dhe prishjen. Himnet e festës tregojnë çlirimin tonë nga fuqia e të ligut dhe nga vargonjtë e vdekjes: “Sot Hadesi rënkon dhe thërret: M’u përpi mbretëria. Bariu u kryqëzua, dhe e ngjalli Adamin; i humba nënshtetasit, mbi të cilët sundoja, se i Kryqëzuari i zbrazi varret, edhe forca e vdekjes u dërrmua. Lavdi Kryqit tënd o Zot, edhe Ngjalljes sate” (Mbrëmësorja e Madhe e Pashkës).

Kështu Krishti është bërë Vendi i të Gjallëve për ata që besojnë tek Ai, pavarësisht se në cilën anë të vdekjes banojnë. Të gjallët dhe të vdekurit formojnë një trup, dhe nëpërmjet së njëjtës lutje janë të bashkuar para fronit të Perëndisë. Përvoja e këtij uniteti shihet në çdo kohë në tërë ciklin e jetës së kishës. Krishti mbretëron në tërë Kishën, në të gjallët dhe në të vdekurit, sepse “Perëndia nuk është Perëndi e të vdekurve, por e të gjallëve”.

Mrekullia e Ngjalljes së Krishtit, me premtimin dhe dhuratën e përjetësisë dhe të plotësisë, është gjithmonë e arritshme për të gjithë. Por, shpëtimi kryhet gjithmonë në liri të plotë, nëpërmjet një vepre besimi. Askush nuk mund të detyrohet me forcë të besojë apo ta dojë Perëndinë. Për të marrë hirin e misterit Paskal dhe për ta mbajtur atë veprues tek ne, duhet të angazhohemi në një jetë fetare. Frytet e vdekjes shpëtimtare dhe Ngjalljes së Krishtit na janë dhuruar dhe kryhen kryesisht nëpërmjet mistereve të Kishës së bëra me besë. Nëpërmjet tyre jeta e re shtrihet dhe jepet tek anëtarët e trupit të Tij, Kishës. Misteret e përgatisin besimtarin për jetën e ngjalljes dhe njëkohësisht e bëjnë atë jetë një realitet të gjallë në këtë jetë.

Përshëndetja e gëzuar e Pashkës “Krishti u Ngjall”, me të cilën ne përshëndesim njëri-tjetrin, është një pohim i vazhdueshëm i besimit tonë në Ngjalljen, në restaurimin e tërë krijimit, në mundjen e vdekjes dhe në Perëndinë tonë si “Perëndi e të gjallëve”. Shën Serafimi i Sarovit e përdorte këtë përshëndetje tërë vitin dhe jo vetëm gjatë dyzet ditëve të periudhës së Pashkëve. Kështu, së bashku me shenjtin e madh të Sarovit, le ta shtrijmë lajmin e mirë dhe më të madh në tërë vitin dhe në tërë krijimin: Krishti u Ngjall!