EmailFacebookKontakt

Nga Ungjilli sipas Llukait (Llukai 2; 22-35)

Dhe kur u mbushën ditët e pastrimit të saj, sipas ligjit të Moisiut, e sollën foshnjën në Jerusalem për ta paraqitur para Zotit, sikurse është shkruar në ligjin e Zotit: “Çdo mashkull që lind i pari do të quhet shenjt te Zoti”, dhe për të sjellë flinë për të cilën flet ligji i Zotit, “një çift turtujsh ose dy zogjpëllumbash”.

Dhe ja, në Jerusalem ishte një njeri me emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë e me frikë Perëndie, i cili priste ngushëllimin e Izraelit. Dhe Shpirti i Shenjtë ishte mbi të; dhe i ishte zbuluar nga Shpirti i Shenjtë se nuk do të shihte vdekje, para se të shihte Krishtin e Zotit. Dhe ai, i shtyrë nga Shpirti, erdhi në tempull; dhe pasi prindërit i sollën foshnjën Jisu për të kryer rregullat sipas ligjit, ai e mori në prehër, dhe bekoi Perëndinë, e tha:

“Tani, o Zot, lëre të shkojë në paqe shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate; sytë e mi panë shpëtimin tënd, që e përgatite para gjithë popujve, dritë për të ndriçuar Paganët dhe lavdi për popullin tënd Izrael”.