EmailFacebookKontakt

Nga peticionet në mbështetje të Kryepiskopit Anastas – Telegram

TELEGRAM

Në emër të 15.000 besimtarëve që kanë firmosur dhe vazhdojnë të firmosin peticionin në përkrahje të fronëzimit të Imz. Anastasit si Kryepiskop të Shqipërisë, gjë që u shpreh edhe në takimin e intelektualëve Korçës me delegacionin e Kishës së Bostonit, kërkojmë:

1. Kemi votuar për ju dhe është detyra juaj të mbroni në parlament të drejtën tonë për qëndrimin e Hirësisë së Tij, Imzot Anastasit, si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse kjo është në dobi të Kishës sonë dhe të interesave kombëtare.

2. T’i jepet fund sulmeve kundër Kishës Orthodhokse dhe të mos shtrembërohen faktet nga ana e mjeteve të informacionit masiv.

3. Të kemi barazi të plotë me komunitetet e tjera fetare dhe të zbatohen marrëveshjet e Vjenës dhe Helsinkit mbi minoritetet fetare.

4. Në qoftë se nuk do të merren parasysh të drejtat tona, rezervojmë të drejtën t’u drejtohemi organizatave ndërkombëtare.

Nga besimtarët orthodhoksë, klerikët e qytetit të Korçës dhe këshillat kishtarë të dioqezës së Korçës.

(Vijon në faqen 8)

Peticione në emër të besimtarëve orthodhoksë kanë ardhur në mbështetje të Fronëzimit të Imzot Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, nga mjaft rrethe të vendit. Në Peticionin e besimtarëve orthodhoksë të Beratit, mbledhur në Mitropolinë e Dioqezës, thuhet se: “Ne besimtarët kristianë orthodhoksë të Beratit protestojmë ndaj provokacionit të disa elementëve jobesimtarë më 2 gusht 1992, me rastin fronëzimit të Kryepiskopit të Shqipërisë, Hirësisë së Tij Anastas. Jemi plotësisht dakord me fronëzimin e Hirësisë së Tij, Anastasit, si Kryepiskop i Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë derisa të përgatitet një kryepiskop i aftë me prejardhje shqiptare.”

Në peticionin e një grupi besimtarësh të Tiranës më 20 gusht 1992, ndër të tjera thuhet: “Kisha është Kishë dhe jo administratë politike që varet nga shteti. Në problemet e Kishës vendosin dhe duhet të vendosin vetëm besimtarët, dhe nuk janë të lejueshme deklaratat për problemet e saj jashtë këtij institucioni. Mos t’i ngatërrojnë të kompetencat që kanë, sepse nga padituria fyejnë dhe veprojnë në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe të Kishës, dhe kështu vazhdojnë t’i shërbejnë djallit të kuq.”

Në një deklaratë të të gjithë epitropëve të Mitropolisë së Gjirokastrës drejtuar Presidentit të Republikës, Kuvendit Popullor dhe Kryeministrit të Shqipërisë, midis të tjerash theksohet: “Njohim si Kryepiskop të ligjëruar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepiskopin Anastas… dhe deklarojmë se i bindemi vetëm atij.”

Deklarojmë se kundërshtojmë çdo orvatje të shkatërrimit të Kishës sonë dhe mbetemi të bashkuar me Krishtin, me Kishën dhe Kryepiskopin tonë”. Epitropët e Sarandës, Delvinës e Himarës, përveç të tjerave theksojnë gjithashtu: “Njohim Kryepiskopin tonë, Hirësinë e Tij, Anastasin, si të vetmin Kryepiskop të ligjshëm të Shqipërisë dhe i bindemi vetëm atij… Qëndrojmë të lidhur me Kishën Ortodhokse dhe me Kryepiskopin dhe asnjë përpjekje nuk mund të na përçajë…

Si qytetarë shqiptarë kërkojmë të ndalet lufta kundër Kishës sonë dhe dezinformimi nga televizioni, radioja dhe shtypi. Kërkojmë të respektohet e drejta e të krishterëve orthodhoksë nga të gjithë brenda kuadrit të shtetit demokratik të Shqipërisë.”