EmailFacebookKontakt

Nga Përshëndetja e Patrikut Ekumenik Vartholomeu I

Fort i lumtur dhe i Hyjnderuar vëlla i shenjtë, Kryepishop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, zoti Anastas.

Duke pritur zyrtarisht sot për herë të parë Fortlumturinë Tuaj shumë të dashur në Patrikanën Ekumenike dhe posaçërisht në këtë Kishë të nderuar të Institutit tonë të shquar e të lartë të shkencës së hirshme, ndjejmë mallëngjim dhe kryelartësi më Perëndinë, dhe këtë me të drejtë. Sepse Kisha e martirizuar e Shqipërisë, në krye të së cilës qëndroni me mëshirën e Perëndisë e në mënyrë luftarake, pasi kaloi të gjithë stadet e provës e të martirizimit në këtë botë, me hirin e Perëndisë u rilind kohët e fundit pothuaj prej hirit të saj, e radhitur përsëri në korin e kishave të Tërëshenjta Orthodhokse si më e reja nga gjiri i Kishës Mëmë të Madhe e të Shenjtë të Krishtit, e ngritur dhe e bërë nga bijë, motër.

Duke pasë njohur, o vëlla, nga jeta dhe veprimtaria juaj e mëparshme në Kishë, dhurëtitë e shumëllojshme me të cilat Perëndia stolisi Fortlumturinë Tuaj të dashur, por dhe përpjekjet e saj të mëdha që Ajo bëri për të shumëfishuar talentin dhe për të marre nga Zoti lavdërimin e shërbëtorit të mirë dhe besnik, me të drejtë mendja na vajti së bashku me vëllezërit e Sinodit tonë të Shenjtë e të Hirshëm në personin Tuaj të dashur, kur së pari e dërguam Atë si Eksark Patriarkal tonin ne Shqipëri dhe në vazhdim kur erdhi koha që të vendosnim atje Kryepiskopin e kësaj Kishe të shumëpërplasur, për rindërtimin e të gjithë jetës kishtare duke e pajisur si duhet me kryepriftërinjtë e tjerë lokalë dhe me funksionarë të tjerë.

Por edhe faktin që këte bashkëmeshimin tonë të hirshëm e bëjmë sot në Kishën e Shkollës Theologjike të Halkit, ushqenjëses tonë historike, e konsiderojmë madje si një hollësi të një rëndësie të veçantë, sepse me anën e këtij evenimenti nderojmë dhe cilësinë Tuaj akademike.

Po gëzimin tonë të këtij takimi të bekuar në emrin e Zotit e kthen me të drejtë në një nxitje të brendëshme hyjnore të shpirtit dhe në një dhoksologji së thelli fjala e Perëndisë, me anën e Apostullit të kombeve Pavli, i cili më tepër se kushdo tjetër kreu dhe nderoi rrugën hierapostolike të Kishës në botë, duke na lënë në këtë mënyrë dhe ne të gjithëve që e pasojmë një shembull të shkëlqyer për ta patur si model në luftën hierapostolike.

Ky punëtor i madh dhe i palodhur i vreshtit të Zotit, në letrën që u dërgoi Romakëve kish theksuar: “lavdi dhe nder dhe paqe mbi cilindo që punon të mirën, mbi Judenë më parë dhe pastaj mbi grekun, sepse te Perëndia s’ka të mbajtur anë” (Rom. 2, 10-11).

Duke analizuar shkurtimisht këtë shprehje të Pavlit, konstatojmë të regjistruara në pak fjalë të vërtetat më themelore të krejt veprimit të Perëndisë në botë. Me një pakicë fjalësh predikuesi i shquar i Korit te Apostujve, i cili në mënyrë tepër të çuditshme përvëlohej nga dashuria e Perëndisë, arriti t’i mësojë secilit që dëshironte t’i pëlqente Perëndisë se, kur njeriu i përkushtohet pa kursim thirrjes që lartazi, atëhere nuk ekziston as lodhje, as dëshpërim, as kufi e dallime për ata ku ai dërgohet. Bindja qysh më përpara se çdo njeri që vepron të mirën do të lavdërohet dhe do të nderohet nga Perëndia në këtë botë të vuajtur nga dyshimet e vazhdueshme që dalin nga të gjitha anët, vë në lëvizje këmbët në çdo drejtim për të kërkuar dhe për t’i shërbyer çdo njeriu, sepse te Perëndia s’ka anësi.

Madje, atëhere këmbët bëhen “të bukura”, apo shpallin kujdesin e Perëndisë kur janë këmbë të atyre që shpallin paqen, që shpallin të mirat.

Duke i shprehur Fortlumturisë Tuaj të Hyjnderuar lavdërimin e drejtë të Kishës për të gjitha sa janë kryer gjer tani, e ndjejmë për detyrë që edhe një herë sot në formë më zyrtare, të deklarojmë njëkohësisht edhe për ata që ndofta ende dyshojnë se ne, megjithëqë mund të mos disponojmë asnjë virtyt a dituri sipas botës, por edhe vetëm duke ditur se bij të ç’fryme jemi, e ndjejmë vetveten plotësisht të armatosur më Perëndinë për të kryer shenjtërim dhe paqe me të gjithë njerëzit për lavdi të Tij.

E dimë, o vëlla, se vepra e ringritjes dhe e ndërtimit më Perëndinë në Kishën e Tërëshenjtë të sapoformuar rishtas të Shqipërisë, nuk është vetëm jashtëzakonisht e rëndë, por dhe e penguar me shumë mënyra e për arsye të ndryshme dhe prandaj për asnjë moment nuk pushuam së faluri bashkë me Ju edhe për Ju. Dhe është e sigurtë që Perëndia e dhëmbshurive hodhi sytë mbi përulësinë tonë të përbashkët dhe foli gjëra të mira në zemrat e udhëheqësve të çdo kohe, kështu që sot të jenë më të lehtë temperatura dhe të korrurit…

Këto duke pohuar me mirënjohje ndaj Perëndisë por edhe me falenderim për funksionarët e pushtetit politik që ju kanë ndihmuar me çdo lloj mënyre, nuk harrojmë sigurisht se rruga që mbetet ende para jush gjersa të plotësohet si duhet kuadri i Kishës tuaj të Tërëshenjtë me kryepriftërinjtë vëllezër, të domosdoshëm për formimin e Sinodhit të Shenjtë dhe të organizmave të tjerë ligjorë për kryerjen sa më lehtë të veprës së shumanshme dhe me shumë përgjegjësi të Kishës, është e gjatë…

Urojmë që vitet e Fortlumturisë Tuaj shumë të dashur të jenë të shumta e të bekuara e me shëndet të plotë edhe për Kishën e Tërëshenjtë të Shqipërisë që ju drejtoni çdo bekim e mbarësi për të mirën edhe të mbarë popullit shqiptar.

Halki 23 korrik