EmailFacebookKontakt

Nga mësimet e Shën Kozmait

Në Egjipt, në Misir jetonte një mbret jobesimtar. Kishte dhe një vezir, që s’i donte të krishterët. Në atë kohë Patrik i Aleksandrisë ishte Joaqimi. Njeri i shenjtë, i urtë dhe i virtytshëm. Duke dëgjuar se Patriku ishte njeri i shenjtë, mbreti e donte shumë. Një ditë veziri i tha mbretit: Si shumë e do Patrikun. Mbreti u përgjigj: Patriku Joaqim është njeri i mirë dhe i drejtë. Atëhere veziri i tha: Thirre Patrikun, mbreti ynë, të debatojë me mua dhe të shikosh se si do ta lë pa gojë. Mbreti thirri Patrikun. Duke ditur Ungjillin, veziri i tha Patrikut: Dua të debatojmë për disa çështje besimi. Me urdhrin tënd, mbret, tha Patriku, jam gati të derdh edhe gjakun për besimin tim. Duke filluar të debatojë me vezirin Patriku me oratorinë e tij e linte atë pa gojë. Atëhere veziri i tha Patrikut: Përse humbasim kohën në debat? Kam dëgjuar se Krishti juaj thotë në Ungjill se, kush ka besim sa një farë sinapi zhvendos malin nga vendi. Po është e vërtetë se ashtu thotë Ungjilli, – u përgjigj Patriku. Nëse je i denjë pra, i tha veziri, urdhëro edhe ti të zhvendoset mali dhe atëhere të besoj edhe unë. Patriku kërkoi tri ditë dhe tri netë kohë. Me kalimin e tyre, Patriku vajti dhe i tha mbretit: Jam gati të zbatoj urdhërin tënd.

Tri orë larg Egjiptit ndodhej një mal. Veziri tha: mbret, urdhëro Patrikun të zhvendosë atë mal. Atëhere Patriku filloi të thirjaste malin duke bërë kryqin tri herë dhe, duke thënë emrin e Zotit dhe Perëndisë Iisu Krisht, tha: “Të urdhëroj mal të zhvendosesh dhe të vish këtu”. Çfarë mrekullie! Mali u nda më tresh në formën e Shën Triadhës dhe filloi të zhvendosej. Mbreti filloi të thërriste: Për Zotin, ndihmona se humbëm. Kur Patriku bëri përsëri lutjen mali ndaloi gjashtë milje larg Egjiptit dhe që atëhere e quajtën “dur dag”, që do të thotë ndalu mal. Veziri prapë nuk u bind dhe i tha mbretit: Krishti në Ungjillin e tij thotë se ai që ka besim, edhe nëse e sjell nevoja të pijë helm vdekjeprurës, nuk vdes. Urdhëro, pra, Patrikun të pijë helmin që do t’i përgatis unë dhe po nuk vdiq, të besojmë edhe ne. Por, të dish edhe këtë, mbret, se të krishterët kanë kryqin dhe duke bërë kryqin i shpërndajnë gjithë të ligat edhe të hidhurën e bëjnë të ëmbël. Veziri ndenji tri ditë duke përgatitur një helm që sapo ta vinte në gojë Patriku të vdiste menjëherë. Ai e çoi helmin dhe i tha mbretit: Urdhëro Patrikun që ta pijë dhe të mos bëjë kryqin as mbi veten dhe as mbi kupën e helmit. Patriku si i urtë dhe i shenjtë që qe, duke dashur të tallë vezirin, i ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë mori në dorë kupën me helm dhe tha: Mirë më dhe këtë kupë për ta pirë, o mbret, po nuk më the nga ta pi, nga cila anë. (Duke treguar katër anët e kupës me dorën e djathtë në formën e bekimit Patriku kryqëzoi kupën pa e kuptuar ata.) Pije nga të duash, iu përgjigj veziri. Dhe duke pirë helmin çfarë mrekullie! Perëndia i Tërëmirë hapi një brinjë në anën e djathtë të trupit të Patrikut nga rrodhi i gjithë helmi dhe ai mbeti shëndoshë e mirë. Atëhere Patriku i tha mbretit: Unë e piva të gjithë helmin, urdhëro vezirin tënd hebre që të shpëlajë kupën me pak ujë dhe ta pijë. Nëse nuk pëson gjë, të besojmë edhe ne në besimin e tij. Veziri nuk donte ta pinte, por mbreti e detyroi dhe e piu. Sa e vuri në gojë, plasi dhe shkoi në ferr, ku digjet përjetë.