EmailFacebookKontakt

Nga Letra e parë e Apostull Pavlit Korinthianëve (Kap. 15)

(Ngjallja e Krishtit)

Dhe nëse predikohet se Krishti u ngjall prej së vdekurish, si është e mundur që disa ndër ju thonë se nuk ka ngjallje prej së vdekurish? Po nëse nuk ka ngjallje prej së vdekurish, as Krishti nuk u ngjall; dhe nëse Krishti nuk u ngjall, pa fjalë, predikimi ynë është i kotë, e edhe besimi juaj i kotë. Dhe ne qenkemi edhe dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë se Ai e ngjalli Krishtin; të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë e vërtetë se të vdekurit nuk u ngjallkan. Sepse, po të mos ngjalien të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. Dhe nëse Krishti nuk është ngjallur, besimi juaj është i kotë; dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja. Pra, edhe ata që kanë fjetur në Krishtin, janë të humbur. Në paçim shpresuar në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve.

Por tani Krishti u ngjall prej së vdekurish, duke u bërë frut i parë i atyre që flenë. Sepse, ashtu si vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja nga të vdekurit erdhi me anë njeriu. Sepse, sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe do marrin jetë të gjithë në Krishtin; por secili sipas radhës së vet: Krishti, fruti i parë; pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj do të vijë fundi, kur t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit; kur të asgjësojë çdo autoritet, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse duhet të mbretërojë ai deri sa të vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja. Sepse “i vuri të gjitha nën këmbët e tij”; po kur thotë se të gjitha ia nënshtron atij, poshtë dj, është e qartë se përveç Atij që ia nënshtroi të tëra. Dhe kur të gjitha t’i nënshtrohen, atëherë dhe Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjitha.

Sepse, ç’do të bëjnë ata që u pagëzuan për të vdekurit? Nëse të vdekurit nuk u ngjallkan me të vërtetë, pse, pra, u pagëzuan për ta? E pse edhe ne jemi në rrezik çdo çast? Çdo ditë jam përpara vdekjes; po, vëllezër, siç është e vërtetë që mburrem me ju në Krishtin Jisu, Zotin tonë. Nëse paskam luftuar vetëm për qëllime njerëzore me bishat në Efes, ç’dobi kam prej kësaj? Në qoftë se të vdekurit nuk u ngjallkan, le të hamë e të pimë, se nesër do vdesim. Mos u gënjeni: Fjalët e këqia prishin zakone të mira.

Zgjohuni në jetë drejtësie, dhe mos mëkatoni…