EmailFacebookKontakt

“… Nga kremtimi i lartësimit të Kryqit të Nderuar le të mbajmë dashurinë e Perëndisë…”

MITROPOLIA E GJIROKASTRËS

“… Nga kremtimi i lartësimit të Kryqit të Nderuar le të mbajmë dashurinë e Perëndisë, vetësakrifikimin e painteres dhe besimin në fuqinë e Kryqit…”

– Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi në Labovën e Kryqit –
– Shërbesa e Ajazmës, Bekimit të ujit, për institucionet arsimore të Kishës –

E Diela e “Kryqit të Nderuar”, në kishën monumentale “Lindja e së Tërëshenjtës”, në Labovën e Kryqit, ishte një festë e vërtetë. Madhështinë kësaj dite ia jepte kisha, por në veçanti edhe prania e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili kreu Liturgjinë Hyjnore. Labova, sikundër u tha besimtarëve edhe Kryepiskopi, është në veçanti e bekuar edhe nga fakti, se përkrah emrit të fshatit është epiteti “e Kryqit”, i simbolit të vetësakrifikimit të Krishtit, Perëndisë tonë dhe triumfit mbi vdekjen nëpërmjet Ngjalljes së Tij.

Dhjetëra besimtarë nga fshatrat e zonës përreth, por edhe më larg morën bekimin e veçantë të Kryepiskopit Anastas dhe veç të tjerave ndoqën edhe shërbesën e Lartësimit të Kryqit të Nderuar, të cilin Kisha jonë kremtonte atë ditë.

Kisha e Labovës së Kryqit për shekuj me radhë kishte kryqin mrekullibërës me copë nga Druri i Kryqit të Nderuar, Kryq i cili ka disa vjet që ka humbur dhe ndodhet në duar trafikantësh.

Është një arritje tjetër e mrekullisë së besimit orthodhoks, që vjen ndër mend në të tillë atmosferë ngritjeje shpirtërore: se Perëndia i bëri të krishterët të denjë, të ndërtojnë të tilla vepra madhështore, t’i zbukurojnë ato në brendësi, t’i mbushin me muzikën himnologjike dhe t’i ngrohin me nxehësinë e lutjeve përdëllimtare. Pikërisht të krishterët, me udhërrëfyes shpirtërorë si Kryepiskopi Anastas, e dinë “sekretin”, për t’i ngjallur, për t’u dhënë këtyre godinave gjallërinë e synimit për të cilën u ndërtuan.

Kisha Orthodhokse jo vetëm mund t’i mirëmbajë këto monumente, jo vetëm i rindërton, por kryesisht i mban ato gjallë, i mbush me frymën e njerëzve besimtarë, me gëzimin e fytyrave që ndriçohen nga Hiri i Perëndisë.

Në predikimin e Tij Kryepiskopi u foli besimtarëve për Ungjillin e ditës, kryesisht u foli për simbolin e Kryqit, mesazhin dhe fuqinë e Tij mrekullibërëse. Kryqi përbën simbolin që dallon besimin e krishterë nga besimet e tjera, përbën kufirin ndarës midis njerëzve që besojnë ose jo, si dhe besimeve të tjera fetare. Mesazhi që vjen për ata që i falen Kryqit të sakrifikimit dhe Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht, Perëndisë tonë, ka në thelbin e tij dashurinë e pakufishme të Perëndisë, vetësakrifikimin e painteres dhe besimin e pafund tek Fuqia e Kryqit. Këto janë gjërat që duhet të mbajmë nga kremtimi i lartësimit te Kryqit të Nderuar dhe me këto duhet të mburremi shpirtërisht të gjithë sa u pagëzuam më Kryqin dhe Ngjalljen e Tij të Lavdëruar.

Pas Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas, Mbikqyrës Mitropolit i Mitropolisë së Gjirokastrës, pati në oborrin e kishës takime me besimtarët e fshatrave të Labovës dhe të rinjtë e grupeve të katekizmit dhe koreve që kishin ardhur nga qyteza e Këlcyrës.

***

Të nesërmen, ditë kur u çelën edhe shkollat, Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Ajazmës në Shkollën e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, i cili në mënyrë kaq simbolike mban emrin e karakterit thelbësor të besimit orthodhoks, fakt të cilin Kryepiskopi e theksoi për nxënësit dhe pedagogët pjesëmarrës në ceremoni. Së bashku me nxënësit dhe mësuesit e tyre, si dhe personelin ndihmës të shkollës, në shërbesë morën pjesë edhe vogëlushët që frekuentojnë kopshtin “Foleja e Engjëjve”, me edukatoret e tyre, si dhe anëtarë të tjerë të komunitetit, që në mënyrë sistematike kanë kontribuar për thellimin e punës në Liceun “Kryqi i Nderuar”.

Në fjalën e shkurtër përshëndetëse, Kryepiskopi shprehu falënderimet e Tij për ieromonakun Niqifor, nga Mali i Shenjtë, i cili në mënyrë të veçantë kontribuoi me dhuntitë dhe njohuritë e tij pedagogjike dhe përvojën në arsimin kishtar, për stabilizimin e këtij liceu, dhe njëherësh, theksoi, se ngahera do të jemi në pritje që Perendia t’i japë shëndetin dhe lirinë nga detyrimet në vëllazërinë e tij, që përsëri të vijë dhe të ndihmojë këtu. Ai prezantoi drejtorin plotësues të liceut, teologun z. Pirro Kondili dhe përgjegjësit e tjerë, duke u theksuar përgjegjësitë për një stimulim të mëtejshëm të përpjekjes që bëhet në këtë qendër arsimore.

Për nxënësit, fjala e Kryepiskopit ishte e mbushur me këshilla atërore dhe porosi të një njeriu me eksperienca të pasura pedagogjike dhe vizionare, si dhe urime të nxehta për një vit të bekuar dhe të suksesshëm shkollor.

Në praninë e vazhdueshme të klerikëve dhe bashkëpunëtoreve të tjerë Kryepiskopi Anastas, vizitoi edhe vepra të tjera në zhvillim që do të jenë qendra të rëndësishme për forcimin e dëshmisë ierapostolike të Kishës sonë Orthodhokse në shoqërinë bashkëkohore të vendit, si klinika e Kishës në fshatin Jergucat, godina e shkollës profesionale që po bëhet pranë Gjirokastrës etj..

Në fotot: Pamje e jashtme dhe një nga kabinetet e klinikës mjekësore, të ngritur nga Kisha jonë në Jergucat

Korresp. i gazetës “Ngjallja”