Intervistë e “Ancient Faith Radio” në SHBA me Mitropolitin e Korçës, Hirësi Joanin (22 dhjetor 2022)
Mikrofoni udhëtues i Ancient Faith Radio (AFC) shkon deri në Korçë, për të intervistuar Mitropolitin Joan. Ai u rrit në Shqipërinë komuniste, e gjeti Krishtin në mënyrë të mrekullueshme, u bë pjesë e kishës së krishterë të fshehtë dhe asokohe ilegale dhe tani është anëtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nën udhëheqjen hierarkike të Kryepiskopit Anastas. Është një histori e fuqishme e hirit dhe ofrimit të Zotit në rrethana shumë të vështira. (Intervistuesi – gazetari John Maddex)
… John Maddex: Pra, po restauroni një kishë të vjetër, që do të thotë se ajo ka një histori. Kur nis historia e saj?
H. Joani: Ndoshta kisha ka qenë këtu me shekuj, por vetëm dy ngjarje janë regjistruar. Njëra në shekullin e 18-të, një kishë e madhe pasbizantine, dhe tjetra, prishja dhe rindërtimi nga themelet në fillim të shekullit të 19-të, të cilën po e rindërtojmë tani. Kjo është një katedrale e madhe dhe do të shërbejë jo vetëm si tempull, por një lloj qendre kulturore për shërbimin të të krishterëve orthodhoksë, por e hapur për të gjithë.
Në kohën e regjimit komunist, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë, kishte shumë martesa ndërfetare, por që ndanin të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, duke e ditur që të gjithë shqiptarët para pushtimit osman ishin të krishterë. Pra, ata kanë diçka të përbashkët. Kësisoj, është krejt normale që të vijnë në Kishën tonë. Shumica e fëmijëve të lindur nga këto martesa ndërfetare tani po vijnë tek ne. Nuk duhet t’i gjykojmë, por t’u shërbejmë atyre.
Personalisht besoj se çdo qenie njerëzore kërkon diçka. Kur them “diçka”, nënkuptoj se po kërkojnë Zotin. Dhe kur them Zotin, kam parasysh Perëndinë e zbuluar nga Krishti. Pra, nëse ne do të jemi në gjendje t’ia paraqesim këtë të gjithë njerëzve, do të jetë shumë më e lehtë për ta që ta pranojnë. Të njëjtën gjë bëri edhe Shën Pavli kur foli për Perëndinë e panjohur. Pra, ky Zot i panjohur është “diçka-ja” që kërkojnë të gjitha qeniet njerëzore. Është detyrë e të krishterëve të paraqesin atë Zot, dhe jo Zotin që ndonjëherë mendojnë se po predikojnë. Është vërtet e rëndësishme të theksohet kjo, sepse të gjitha qeniet njerëzore ndajnë të njëjtën natyrë. Siç e diskutuam më parë, kur ju përmenda një thënie të Shën Grigor Theologut, i cili thotë: “Të thuash qenie njerëzore në shumës është një herezi; është një qenie njerëzore dhe miliona persona”. Ashtu siç është një Qenie Hyjnore dhe Tre Persona.
Pra, të gjitha qeniet njerëzore kanë një origjinë hyjnore dhe të gjitha janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Dhe nëse besimet e tyre janë të gabuara, prapë se prapë, origjina hyjnore është në ta. Është e mundur gjithmonë që çdo qenie njerëzore të njohë Perëndinë e vërtetë.
John Maddex: Po. Filozofi Blaise Pascal foli për boshllëkun që ekziston te çdo qenie njerëzore, të cilin vetëm Perëndia mund ta mbushë, dhe është përgjegjësia jonë si të krishterë, ndërsa përpiqemi të përmbushim urdhërimin e madh, t’i prezantojmë Zotin njerëzve në Personin e Jisu Krishtit.
H. Joani: Mishërimi preku gjithë qenien njerëzore, u dha mundësinë të gjithë të ndryshojnë natyrën e tyre, duke ndjekur kryqin dhe ngjalljen e Zotit tonë. Pra, kjo është një dhuratë për të gjitha qeniet njerëzore, jo vetëm për disa njerëz të zgjedhur apo disa raca të veçanta. Të gjitha të tjerat janë një devijim i kësaj. Të gjithë janë thirrur për këtë dhe Krishti u kryqëzua për të gjitha qeniet njerëzore.
John Maddex: Faleminderit Zotit! Ka kaq shumë për të cilat mund të flasim, Hirësi, për Korçën, për kishën këtu. Ajo që vërtet mendoj se dëgjuesit tanë do të donin të dëgjonin ka të bëjë më shumë me ju personalisht dhe takimin tuaj të parë me Krishtin, si përmbushje e nevojës suaj për Perëndinë. Mund të na tregoni ku keni lindur dhe në çfarë kulture?
H. Joani: Kam lindur në Tiranë në 1 janar 1956. Isha pjesë e një familjeje të madhe. Ishim tetë fëmijë. Gjatë kësaj kohe feja ishte e ndaluar, çdo lloj feje. Por megjithatë, nuk mund ta mbyllnin derën e Zotit. “Unë hap dhe askush nuk mund ta mbyllë” – thotë Zoti. Kur isha fëmijë, isha shumë i lumtur. Një familje e madhe, një familje tradicionale. Më pëlqenin aq shumë përrallat, legjendat, mitet, leximi, të gjitha këto gjëra. Më vonë, kuptova se kjo dëshirë ishte një udhëtim, ishte një kërkim, duke kërkuar diçka.
Kur shkova në gjimnaz, dalëngadalë gëzimi u zhduk, sepse ishte ndikimi i leximit të disa filozofive, ku filloni të mos u besoni gjërat që ishin për fëmijë. Por besimi nuk ishte në njëfarë mënyre doktrinore, sepse nuk kishte kishë, nuk kishte xhami, nuk kishte asgjë. Ishte më shumë një lloj ekzistence e diçkaje të përtejme.
Isha në vitin e katërt të gjimnazit dhe sapo kisha mësuar frëngjisht. Një mik i vëllait tim tha: Kam një libër në frëngjisht në shtëpi, do t’jua sjell ta lexoni. Ai nuk e dinte se çfarë lloj libri ishte dhe ma solli mua – ishte Dhiata e Re. Ishte viti 1974, në Shqipëri ishte shumë më e lehtë të gjeje dinamit sesa ungjill, sepse nëse të kapnin me një të tillë do të dënoheshe me të paktën tetë vjet burg.
Kur lexova Ungjillin, ndjeva diçka ndryshe. E ndjeva atë gëzim që kisha si fëmijë që mu rikthye. Fjalët e para që i drejtova Perëndisë ishin: “Faleminderit që ma ktheve sërish këtë gëzim”. Dhe, kështu, fillova të interesohem më shumë, për të lexuar diçka më shumë rreth këtyre gjërave. E lexoja shpesh dhe e dija në atë kohë thuajse përmendsh të gjithë Ungjillin në frëngjisht. Pas kësaj e gjeta edhe në shqip.
Nëpërmjet një miku tim u lidha me një grup të vogël të një kishe të nëndheshme. Kishte disa grupe shumë të vogla, sepse frika ishte e tmerrshme. Mbaj mend në kohën që disa u pagëzuan fshehurazi, një prift katolik u ekzekutua vetëm sepse bëri shërbesën e Pagëzimit.
… Këto i them që të kuptoni se si ishte situata. Asokohe ishte një prift hero, një prift i shenjtë, atë Kozmai nga Vlora. Gjatë gjithë jetës së tij mund të ketë kryer mbi 3000 pagëzime. Edhe ai ishte pjesë e këtij grupi të vogël të kishës së nëndheshme.
Shkova në shtëpinë e tij për t’u pagëzuar. I biri ruante jashtë derës, për të parë se mos vinte dikush. Ishim në bodrum, vetëm tre vetë: prifti, unë dhe kumbari im. Por gëzimin që ndjeva në atë kohë, nuk e kam përjetuar më kurrë. Në atë kohë kishim etje, por nuk kishim ujë. Sot ka shumë ujë, por njerëzit nuk kanë më etje. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.
Gjatë asaj kohe mora dhe kungimin tim të parë. Dëshira dhe synimi im ishte të bëhesha murg, por në atë kohë në Shqipëri ky mendim ishte marrëzi, sepse njerëzit pandehnin se regjimi nuk kishte për t’u ndryshuar kurrë.
Në vitin 1990, kur filloi një lloj hapjeje dhe shumë shqiptarë patën mundësinë të shkonin jashtë vendit, unë isha një prej tyre. Fillimisht shkova në Itali dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. Në Amerikë kam studiuar në Kolegjin kishtar “Kryqi i Nderuar”, i ndihmuar nga Kisha Orthodhokse Shqiptare në Boston. Megjithatë, atyre u thoja se nëse në Shqipëri do të hapen përsëri kishat, do të kthehesha. Ata ranë dakord, por pa menduar se do të doja të kthehesha vërtet. Kur mbarova shkollën, mendova se në Shtetet e Bashkuara, një prift më shumë, një më pak, do të ishte njësoj. Në Shqipëri ishte një nevojë e madhe, sepse ishte shkatërruar gjithçka. Kështu, vendosa të kthehem.
John Maddex: Më lejoni të kthehem tek momenti i konvertimit. Ju folët për leximin e Dhiatës së Re për herë të parë, se u rrëmbyet dhe u ndikuat fort nga fjalët e Zotit Krisht dhe mesazhi i Ungjillit. Kjo kishë e nëndheshme që gjetët dhe frekuentonit, a ishte kishë orthodhokse?
H. Joani: Po. Ndoshta u përgjigja në një mënyrë të shkurtër. Kur lexon Ungjillin, është diçka që unë e quaj një lloj të vërtete psikologjike. Nga mënyrën se si është shkruar, siç e kam kuptuar dhe e kam ndjerë, bindesh se është e vërteta. Këtë nuk e bën arsyeja, por e ndjen përbrenda. Kështu, që kur e lexova herën e parë, nuk kisha asnjë dyshim se ishte e vërteta.
Ky grup i vogël që përmenda – të gjithë ishin orthodhoksë – disa prej tyre ishin në Korçë. Bënin pjesë disa motra të shenjta, në moshë të kaluar. Gjithashtu atë Kozmai nga Vlora dhe disa nga Tirana. I kam vizituar shpesh motrat në Korçë. Ne i quajmë motra, sepse ishin motra nga gjaku. Kam vizituar edhe priftin në Vlorë, ku u pagëzova dhe mora Kungimin e parë.
Me këtë prift kam madje edhe një histori të bukur. Pasi u ktheva në Shqipëri dhe u dorëzova episkop, edhe ai u dorëzua episkop pas meje. Unë isha një nga tre episkopët që morën pjesë në dorëzimin e tij. Nuk mendoj se ka rastisur asnjë herë tjetër që, priftin që të ka pagëzuar, do të ishe një ndër episkopët që e dorëzojnë në po këtë gradë!
Gjatë kësaj kohe, megjithëse ishte shumë e vështirë të gjeje këtë lloj letërsie në Shqipëri, do të tregoj historinë që nëse ka shumë dëshirë për të gjetur diçka, Zoti do t’ju japë mundësinë. Pra, askush nuk është i privuar nga mundësia për të gjetur Perëndinë, por gjithmonë, nëse ekziston dëshira – dhe unë isha kaq i etur për të gjetur Dhiatën e Vjetër.
Në atë kohë më interesonin shumë, si shumë të rinj, gjuhët e vjetra dhe etimologjia e fjalëve. Po kërkoja një libër nga Champollion që kishte të bënte me hieroglifet egjiptiane. Shkova në Bibliotekën qendrore në Tiranë dhe bëra aplikimin për të. Kur erdhi libri, bibliotekarja po fliste me dikë tjetër dhe ma dha librin pa e parë. E mora, duke menduar gjithmonë se ishte libri për gjuhën e Egjiptit të lashtë. Por, kur e hapa librin, pashë se ishte Bibla e plotë në frëngjisht. E kam akoma atë libër, dhe tani po mendoj t’ia kthej përsëri bibliotekës. Në atë kohë askush nuk e ka kërkuar atë libër, sepse nëse merrje një libër nga biblioteka dhe nuk e ktheje, dërgonin një njoftim. Por këtë libër nuk e kërkoi kush. Ndoshta kishin frikë, sepse po ta deklaronin të humbur, do u thoshin: “Pse e keni dhënë atë libër të ndaluar?” Nuk e di se si ndodhi kjo, por ju mund të shihni se si një dëshirë e madhe për të gjetur diçka në vendin më të vështirë në botë, përsëri mund të realizohet. Siç përmenda më parë, nëse Zoti ka hapur, askush nuk mund ta mbyllë atë.
John Maddex: Disa nga dëgjuesit tanë, si unë, që jam pak më i rritur, kujtojmë vitet e komunizmit dhe ne luteshim për vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin që ishin nën sundimin komunist, që Zoti t’i mbronte, që t’u jepte një mënyrë për të shprehur besimin të sigurt… Na tregoni, çfarë mbani mend nga vajtja në këtë kishë të nëndheshme si i ri dhe rreziku që lidhej me këtë? A ka pasur ndonjë moment kur keni pasur frikë?
H. Joani: Kur u pagëzova, nuk i tregova menjëherë familjes, jo sepse ishin kundër, por nuk doja që të frikësoheshin, sepse kishte shumë frikë në atë kohë. Me një fjalë, ndoshta do të dënoheshe. Nuk mund ta shpjegoj më mirë, por ndoshta Zoti na ruajti në atë kohë, sepse isha shumë i ri dhe për këtë flisja me miqtë e mi më të mëdhenj.
Kam një histori. Kam punuar në Spitalin Psikiatrik për një kohë të gjatë. Më pas, kur isha në Shtetet e Bashkuara, takova atje sekretarin e partisë komuniste që ishte në gjithashtu spital. Ai më tregoi se një ditë erdhën dy persona nga Sigurimi – Ata donin të kontrollonin dollapin tim në punë. Por rregulli ishte i tillë që duhej të ishin të pranishëm drejtori i spitalit dhe sekretari i partisë me qëllim të vijonin kontrollin. Biblën e mbaja pikërisht në atë dollap. Mrekullisht qëlloi që drejtori ishte komunist dhe nip i një anëtari të Byrosë Politike. Kushëriri i tij i parë ishte drejtor i policisë në Tiranë. Ai nuk i lejoi dhe u tha: Jo, ai është punëtori im më i mirë këtu. Madje telefonoi kushëririn dhe ky i fundit u tha punonjësve të sigurimit të ktheheshin. Por unë nuk e dija këtë, e mora vesh më pas. Pra, Zoti na mbrojti.
Duke punuar në psikiatri, duke lexuar disa jetë shenjtorësh dhe, i frymëzuar prej tyre, u përpoqa ti imitoja. Isha shumë i ri. Kur rritemi, ndoshta kemi më shumë frikë! Disa nga pacientët i laja vetë, sepse nuk mund të laheshin dot. I kam marrë shumë herë në shtëpi për drekë apo për t’i shëtitur. Ndoshta, duke parë këto, mund të kenë menduar: “Ai nuk është mirë mendërisht”. Qëndrimi me këta pacientë në Psikiatri, ndoshta kjo më ka mbrojtur, nuk jam i sigurt. Perëndia gjen forma të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë dikujt. Ose nuk isha i përgatitur për të dhënë dëshmi, nuk e di; Zoti i di.
Por mund të them me siguri se gëzimin që pata gjatë asaj kohe, nuk e kam përjetuar më. Pas vitit 1990 ishim të lirë, kishat i kishim të hapura, por asgjë nuk krahasohet me gëzimin e asaj kohe. Më kujtohet një diskutim me të ndjerin Mitropolitin Kallistos (Ware), për këtë temë. Ai më tha se gëzimi nuk lidhet me temperamentin e njeriut, por është dhuratë nga Zoti. Nëse është dhuratë, kjo do të thotë se nuk është merita jonë. Por, ne duhet të kuptojmë se kjo dhuratë vjen kur Zoti është i pranishëm në jetën tonë. Bëhet i pranishëm kur ne jetojmë sipas vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit. Nëpërmjet sakrificës mund të gjejmë gëzim. Pa kryq, nuk ka as gëzim.
U them shumë njerëzve diçka që besoj se është e rëndësishme, sepse sot na mungojnë sakrificat. Sot kemi egoizëm: secili për vete, unë i parë, vendi im i pari. Në të gjithë botën ekziston kjo. Etimologjia e fjalës sakrificë vjen nga dy fjalë latine: sacra – e shenjtë dhe folja ficare – bëj, pra fjalë për fjalë do të thotë të bësh të shenjtë, të shenjtërosh. Nuk mund të bëhesh i shenjtë pa sakrificën, por sakrifica nuk është destinacioni përfundimtar: Është ngjallja! Është gëzimi!
…Nëse nuk e sheh Zotin në çdo qenie njerëzore, nuk e ke parë kurrë Atë. Shën Joan Gojarti kishte të drejtë kur thoshte se nëse nuk e gjeni Krishtin te lypësi në shkallët e kishës, nuk do ta gjeni në kungatë. Këto gjëra mund t’i zbulojmë vetëm përmes dashurisë. Të gjitha ideologjitë që bazohen në urrejtje janë shkatërruese. Të ndikuara nga ato, njerëzit do të shkatërrojnë veten dhe të tjerët përreth. Ashtu siç ndodh me një njeri të shenjtë, i cili shpëton veten, por dhe njerëzit përreth tij.
Në botën e sotme njerëzit kanë nevojë për këtë dashuri. Etërit e Kishës, në mënyra të ndryshme, kanë shprehur të njëjtën gjë. Kryepiskopi Anastas ka thënë se “e kundërta e dashurisë nuk është lufta, por egocentrizmi”. Ne po jetojmë pikërisht në epokën e egocentrizmit, secili vetëm për vete. Kështu të gjithë do të mbeten të vetmuar, sepse egoja na ndan nga të tjerët.
Kur Zoti tha t’i duam të tjerët si veten tonë, kjo është për të mirën tonë, sepse njeriu është një qenie komunitare, si Trinia e Shenjtë. Ekziston një Qenie në Tre Persona, dhe qeniet njerëzore janë në të njëjtin model. Një i krishterë nuk mund të jetë vetëm për veten e tij. Që në shekullin e dytë, Tertuliani tha shprehjen e famshme: Unus Christianus, nullus Christianus – Një i krishterë vetëm për veten e tij nuk është i krishterë.
Kjo është ajo që ne duhet t’u predikojmë të tjerëve. Çdokush ka rrugën e tij dhe të gjitha rrugët drejt Zotit janë të bukura. Të gjitha këto do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë, sepse jeta është një proces. E kaluara ndikon në të tashmen tonë dhe na përgatit për të ardhmen. Në këtë rrugëtim duhet të përpiqemi të ndjekim Ungjillin fjalë për fjalë, sepse ndonjëherë kemi këtë prirje për të pranuar gjërat që na pëlqejnë dhe jo të tjerat. Ne nuk duhet të gjykojmë Ungjillin…
Njëherë, Shën Joan Gojarti u tha njerëzve në kishë, – kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne – këto fjalë: “Nëse dikush nga ju mendon se është i drejtë, le të dalë jashtë Kishës. Unë nuk kam një Ungjill për të drejtët”. Por cili është kuptimi i kësaj? Do të thotë se Ungjilli është një mjekim dhe mjekimi u jepet të sëmurëve. Shenjtorët ishin njerëzit që e kuptuan se ishin të sëmurë dhe e përdorën në veten e tyre mjekimin – Ungjillin – dhe u shëruan. Fjala “i shëruar” dhe “i shenjtë” janë pothuajse të njëjta në çdo gjuhë. I shenjtë dhe i shëruar është e njëjta gjë…
Intervistën e plotë e gjeni në rrjetet sociale të Mitropolisë së Korçës dhe të Radios “Ngjallja”
Pamje nga Katedralja e Shën Gjergjit, Korçë, e cila u shkatërrua nga regjimi komunist.