EmailFacebookKontakt

Nga fjala e Kryepiskopit Anastas, në shërbesën e Hirotonisë në Episkop të Imzot Kozmait

Fort i shtrenjti, z. Kozma

Këto thotë i Biri i Perëndisë: “I di punërat e tua, edhe dashurinë, edhe shërbesën, edhe besën, edhe durimin tend, edhe punërat e tua të pastajme, se janë më të tepërta se të parat” (Ap. 2:19).

Ke kaluar një jetë të tërë plot sprova, hidhërime e varfëri, një jetë totalisht të përkushtuar te Krishti. Gjatë 23 viteve tragjike të persekutimit të pamëshirshëm ateist, ti nuk u përkule dhe vazhdove pa zhurmë, me besim të palëkundur, me durim mahnitës, veprimtarinë tënde hieratike, duke meshuar dhe duke pagëzuar rreth 3 mijë njerëz. Edhe Mitropoliti i dorëzuar së fundi, i përndershmi z. Joan, prej teje e mori pagëzimin gjatë atyre viteve, kur të gjithë besimtarët e Shqipërisë ecnin nën hijen e vdekjes. Sapo u dha liria për shprehjen e besimit te Perëndia, ti shpejtove me entuziazmin, përulësi dhe urtësi, në përpjekjen për rimëkëmbjen e Kishës sonë nga gërmadhat. Që në vitin 1991, sapo mbërrita në Shqipëri, pata rastin të vlerësoj bashkëpunimin tënd të zellshëm në postet e përgjegjshme, si përfaqësues arkihieratik i Mitropolisë së Beratit Kaninës dhe Vlorës dhe si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kishtar; gjithnjë i butë dhe i përulur në zemër, i gatshëm për çdo mision të përgjegjshëm.

Dhe tani së fundi, në një kthesë të vështirë të ecjes së Kishës sonë… ti pranove një formë të re sakrifice… Duke vlerësuar lart gjithë jetën tënde të kontributit, të shërbesës dhe dashurisë për Krishtin, Kisha jonë, në mbledhjen e parë të Sinodit të saj, të zgjodhi Episkop të Apolonisë, ndihmës të Kryepiskopit.

Me këtë vendim, nderohen në personin tuaj edhe të gjithë priftërinjtë e bekuar dhe heroikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët gjatë viteve të persekutimit mbartën peshën e përgjegjësisë së tyre hieratike, me konseguencë, besnikëri dhe përkushtim.

“Vlera e re arkihieratike” dhe misioni ynë, që të rezervoi providenca e Perëndisë, po vjen në një moshë shumë të pjekur. Por “Hiri Hyjnor, ai që shëron të sëmurët e plotëson ato që mungojnë”, ai që jep frymë të re, rezistencë, ndriçim dhe fuqi, atij i mbështesim me besnikëri absolute veten tonë dhe njeri-tjetrin…

Në vitet e persekutimit, për të mbajtur familjen tënde, krahas shërbimit që bëje në fshehtësi si prift, punove si vreshtar e punëtor, duke mirëmbajtur dhe sheshuar rrugët. Sot, dashuria e Perëndisë të ngarkon që të mirëmbash vreshtën e Kishës dhe si Pararendësi, të përgatitësh shpirtrat “për rrugën e Zotit”, që t’i bësh atë të sheshta.

Uroj me gjithë shpirt, që Perëndia Triadik të të rinojë “ashtu si shqiponjën”, të të falë shëndet të palëkundur dhe ndriçimin me bollëk të Shpirtit të Shenjtë, që edhe me vulën e cilësisë tënde si episkop, të vazhdosh të predikosh Ungjillin e Krishtit, mesazhin gazmor të dashurisë, të shpresës dhe të durimit, të ngushëllosh dhe të shenjtërosh popullin e Perëndisë, ta çosh atë me fjalën me shembullin dhe me jetën tënde, drejt ligjeve shpëtimtare, të kontribuosh me përvojën dhe urtësinë tënde në vlerësimet dhe në vendimet e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë.

Tiranë, 23 korrik 1988