EmailFacebookKontakt

Nga Fjala e Kryepiskopit Anastas në dorëzimin e Hirësi Andonit

Nga Fjala e Kryepiskopit Anastas
në dorëzimin e Hirësi Andonit

Hirësi, Episkop i zgjedhur i Krujës,

Biri im Andon,

…U linde në një vend, në të cilin disa të pamend kërkuan të shuanin dritën e Diellit të Drejtësisë. Por ti e kërkove nga vitet e rinisë sate; njohe Krishtin dhe u fute në mënyrë të ndërgjegjshme në Kishën e Tij. Në vazhdim vendose t’i përkushtosh të gjithë jetën tënde, duke ndjekur Zotin tonë. Studiove thelogji, si në Akademinë tonë “Ngjallja e Krishtit” ashtu edhe në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës, me rezultate të shkëlqyera. U dorëzove klerik, duke e nderuar priftërinë tënde dhe duke fituar vlerësimin, dashurinë, besimin e atyre që të njohën.

Dhe sot, Kisha të fton të bëhesh Episkop, detyrë që nënkupton një nder të madh, por edhe përgjegjësi të madhe… Episkopi, siç shpjegon shën Ignat Hyjmbajtësi, është “në vend” dhe “sipas tipit të Krishtit” (Magna IV, I). Nuk vepron kurrë duke u nisur nga vetja. E di se është “shërbëtor i Krishtit dhe ekonom i fshehtësirave të Perëndisë”. Zoti ynë në shëmbëlltyrën e tij të njohur për kujdestarin besnik, e lidhi besnikërinë e tij me vigjilencën dhe urtësinë. (Luk. 12:35-48)…

Hyrja jote, i dashur biri im, në shërbesën episkopale, përkon me festën, sipas traditës kishtare, të Hyrjes së të Tërëshenjtës Nënës sonë në tempull. Virgjëresha është përfundimisht vetë Tempulli i gjallë dhe i përsosur, në të cilin bëhet fjalë të banojë Perëndia. Të gjithë ne, që duam të quhemi bij të Tij, dhe veçanërisht, sa shërbejmë nga një pozitë kishtare e përgjegjshme në misterin e shpëtimit, duhet të ndërgjegjësohemi se para së gjithash, ftohemi të bëhemi edhe ne vetë “tempuj të Pe- rëndisë së gjallë…” Të ecësh gjithmonë me predispozitë lavdërimi, në ngazëllim, sipas shembullit të Nënës së Zotit. “Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua më Perëndinë, shpëtimtarin tim”…

Edhe Shpirti i Shenjtë banoftë brenda teje, të përforcoftë në besim, dëlirësoftë jetën tënde, le të frymëzojë mendimin, vendimet, veprimet e tua. Deri në atë ditë që Zoti do të të thërresë pranë Tij, që të hysh, si kuj- destar besnik i mistereve të Perëndisë, në gëzimin e Mbretërisë së Tij.