… Në këtë deklaratë do të donim që veçanërisht t’i referoheshim Deklaratës së Bernës, mbajtur në 26 nëntor 1992, e cila na ka dhënë themelin për të ndërtuar. Kjo Deklaratë, veçanërisht thekson, që “një krim i kryer në emër të fesë është një krim kundër fesë”.
… Ne, qysh prej 26 nëntorit 1992 kemi parë shumë krime të kryera në emër të fesë, prandaj ne pjesëmarrësit e Konferencës dëshirojmë të flasim hapur kundër tyre: Siç kanë treguar ngjarjet e sapo ndodhura, krimet kundër njerëzimit vazhdojnë në Bosnjë, në Armeni-Azerbajzhan, Gjeorgji dhe Taxhikistan. Mizoritë kanë vazhduar të pafrenuara prandaj ne kërkojmë që t’u jepet fund këtyre mizorive.
…Ne, që kemi nënshkruar, nuk pranojmë asnjë orvatje që do të prishi parimet e besimit tonë me anë të interpretimeve të rreme dhe të nacionalizmit të pafrenuar. Ne qëndrojmë të vendosur kundra atyre që dhunojnë shenjtërimin e jetës njerëzore dhe që ndjekin një politikë që bie ndesh me vlerat morale. Ne nuk pranojmë konceptin që veprimet në një konflikt të armatosur të justifikohen me emrin e Zotit.
…Ne do të donim t’i kujtonim fort të gjithë besimtarët e tre feve monoteiste se shkrimet e tyre flasin për paqen, si për vlerën më të madhe. “Lum ata që bëjnë paqe se do të quhen bij Perëndie”, “Allahu fton në banesën e paqes”, “Rrugët e Tij janë rrugët e paqes”.
…Ne ritheksojmë që lufta në ish Jugosllavinë nuk është një luftë fetare dhe thirrjet e simboleve fetare për të rritur nacionalizmin agresiv janë një tradhëti e universalitetit të besimit tonë. Ne theksojmë me forcë domosdoshmërinë e lirisë së ndërgjegjes dhe të lirisë fetare për çdo minoritet. Ne bëjmë thirrje për ndalimin e konfiskimit, dhunimit, dhe shkatërrimit të objekteve të kultit dhe të vendeve të shenjta, të çfarëdolloj feje. Ne hedhim krejtësisht poshtë dhe dënojmë pastrimin etnik, si dhe përdhunimin dhe vrasjen e grave dhe të fëmijëve. Kërkojmë heqjen e pengesave që ndalojnë ndihmën humanitare të arrijë tek ata që po vuajnë.
… Ne e pranojmë që të gjithë ata që vuajnë janë viktima, por kryesisht viktimat më tragjike dhe më të pafajshme janë fëmijët.
…Ne e dimë që ekzistojnë gjithashtu tensionet ndërmjet feve dhe prandaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të këtyre feve që të gjejnë rrugë paqësore për zgjidhjen e çështjeve që i ndajnë.
… Ne i studjuam me vëmendje dhe ramë të gjithë dakord që vrasjet e paarsyeshme duhet të ndalojnë, dhe ata që vazhdojnë të kryejnë vepra të tilla të urryera janë kriminelë, dhe ndonëse nuk kemi mjete luftimi e as armë për të luftuar, kemi një forcë më të madhe – forcën e fuqisë shpirtërore. Ne dënojmë plotësisht ata që kryejnë këto mizori; vrasjet, përdhunimet, gjymtimet, dëbimet me forcë dhe rrahjet njerëzore.
…Ne, pjesëmarrësit në konferencë, vendosëm ngritjen e Komisionit të Zgjidhjeve të Konflikteve në Thirrjen e ndërgjegjes. Ky komision do të merret me konfliktet etnike, dhe do të përbëhet nga përfaqësues prej të gjitha feve dhe nga të gjitha vendet që morën pjesë në këtë Konferencë. Komisioni do të jetë përgjegjës për informimin e anëtarëve të tij dhe do të rekomandojë mënyrat dhe mjetet që duhen për tu marrë me murtajën e nacionalizmit ekstrem dhe të konfliktit etnik.