EmailFacebookKontakt

New York: Mbledhje e episkopatit amerikan

Kisha orthodhokse në Amerikën e Veriut përbën një kishë dhe jo një mozaik të veçantash. Ky është afirmimi kryesor që u përpoq të shprehte Asambleja e episkopëve Orthodhoksë, e cila u mblodh me inisiativën e Konferencës së Përhershme të Episkopëve Orthodhoksë Kanonikë në Amerikë (SCOBA). 28 episkopë, përfaqësuan gjithë juridiksionet dhe 9 morën pjesë si vëzhgues. Episkopët adoptuan një dokument final, i cili përbën një kontribut të rëndësishëm në favor të vendosjes së një kishe orthodhokse të bashkuar në Amerikë dhe vendosën të rimblidhen çdo vit në një “asamble episkopale”.

Prej vitesh ekzistojnë struktura të përbashkëta midis Kishave të veçanta, si Konferenca Permanente e Episkopëve (SCOBA), Qendra orthodhokse e ndihmave humanitare (IOCC), Qendra misionare orthodhokse në Amerikë, Shoqata e shkollave të teologjisë orthodhokse dhe Komisioni i edukimit orthodhoks, që përbëjnë bazën solide mbi të cilën do të ndërtohet Kisha Orthodhokse në Amerikë.

Megjithë pati zëra që e kundërshtuan, shumica e episkopëve nënshkruan dokumentin final, duke synuar si etapë të parë një kishë “administrativisht të bashkuar”. Kundërshtimet e disa episkopëve kishin të bënin në lidhje me rezervat për marrëdhëniet me “kishat mëma”.

Gjithashtu, u aprovua edhe një dokument i dytë, për misionin dhe ungjillëzimin, ku bëhej thirrje për t’u mobilizuar në gjirin e Orthodhoksisë për të kontribuar në “ungjillëzimin ose në riungjillëzimin”, sa në kontinentin amerikan, aq dhe pjesën tjetër të botës.