Për ty, o nënë, që u kujdese dhe prite nëntë muaj të tërë në barkun tënd këta engjëj të gëzuar të shtëpisë sate.
Për ty, o nënë, që në kohën e shtatzanisë tënde kalove kaq ditë të vështira, duke mbartur në të brendshmet e tua një qenie të re.
Për ty, o nënë, që pate dhimbje në lindjen dhe e ëmbëlsove dhimbjen në pamjen e fëmijës sate të bukur.
Për ty, o nënë, që për shumë net nuk mbylle sy në jastëkun e fëmijës tënde, sepse nuk duroje të qarët e saj.
Për ty, o nënë, që kur fëmija jote shkrinte nga temperatura, t’i shkrije nga agonia e ankthi, që t’i freskosh shpirtin e tij (e saj).
Për ty, o nënë, që i dhe të pijë fëmijës sate në gjirin tënd, duke dhënë gjakun tënd të bardhë dhe ndjeje kaq kënaqësi.
Për ty, nënë, që punove ashpër dhe duart e tua të buta u mbushën me xhunga, që t’u japësh kohë fëmijëve të tu, të bëjnë një jetë të rehatshme.
Për ty, nënë, që i udhëhoqe fëmijët e tu në rrugën e virtytit dhe u mësove rrugën, që çon në Kishë dhe në takimin me Krishtin.
Për ty, nënë, që sajove ëndërrat më të bukura për fëmijët e tu, për familjen tënde dhe tani ndien të rrëzohen si kala prej letre.
Për ty, o nënë që pranon nga fëmijët e tu kundërshtimet e para, që shënon mosbindjet e para, që mbetesh si e goditur prej rrufeje në sjelljen provokuese e të pabesë të fëmijëve të tu.
Për ty, o nënë, që zemrën tënde të njomë e plagosin fjalët e para të ashpra të fëmijëve të tu, po, për ty doja të them… mos u dëshpëro. Ky është çmimi i dashurisë sate. Ky është kryqi yt. Kjo është prova jote. Duro dhe këmbëngul, të rrish drejt dhe pranë fëmijëve të tu. Kurrë të mos shikosh sesi sillen të tjerët me ty. Mëso gjithnjë të sillesh ti me saktësi ndaj të tjerëve. Ke të drejtë. Eshtë gjë e tmerrshme të shohësh fëmijët e tu ti rrëmbejë bota, t’i vjedhë mëkati, t’i fitojë Djalli, t’i tërheqë në labirinthin e ateizmit dhe ti të mos mundesh t’i ndihmosh.
Nënë, o nëna e krishterë, ngrije pa rënkuar kryqin tënd. Ndofta ky është kryqi më i rëndë. Mos moho, që të përqafosh gjithnjë me të njëjtën dhembshuri fëmijën tënde të dashur. Rrethoje me dashurinë tënde dhe me lutjen tënde. Më në fund, ti do të jesh e fituara.
P. Xhuveli