Të dielën nëpër gjithë kishat gëmuan këmbanat, të cilat përkujtuan lindjen para 2000 vjetësh të Zotit tonë Jisu Krisht. Megjithëse binte shi i pandërprerë njerëzit grumbuj-grumbuj i drejtoheshin Kishës së Shën Spiridhonit në lagjen Goricë që herët në mëngjes. Fillimi i celebrimit të Liturgjisë Hyjnore nga At Vangjel Xoxe dhe dhjaku Petraq Simsia, u krye midis qirinjve të shumtë që ndriçonin atmosferën, sepse mungonte energjia elektrike. Binte në sy pjesëmarrja e mjaft të rinjve beratas, që, përkrah më të moshuarve, luteshin për këtë ditë të shenjtë, kur Perëndia dërgoi Birin e Tij, të Vetëmlindurin, Jisuin.