EmailFacebookKontakt

Në të gjithë vendin Pashka u kremtua me madhështi

Në të gjithë vendin Pashka u kremtua me madhështi. Pas pandemisë së gjatë dhe izolimit, jo vetëm besimtarët po kthehen edhe më të shumtë në kisha, por pas zymtësisë së “ndarjes sociale” ndihet edhe më e fortë dëshira për të festuar. Ndaj Pashka e sivjetshme iu rikthye shkëlqimit të mëparshëm, duke mbledhur shumë më tepër besimtarë, veçanërisht në procesionin e Epitafit dhe Shërbesën e Ngjalljes.

“Jisu Krishti nuk mbeti mbartës i kryqëzuar i dashurisë. Tregoi se është triumfues mbi pushtetin e vdekjes, Zoti i ngjallur, Perëndia i gjallë. Dëshmia se Krishti u ngjall dhe jeton, është Kisha. Zoti Perëndinjeri, me Ngjalljen e Tij, u tregua fitimtari i përjetshëm mbi vdekjen dhe fitoi miliona ndjekës.

“Krishti u Ngjall” dëgjohet sot në anët e dheut. E psalin të gjithë kombet dhe të gjithë popujt. E shpallin popujt e kulturuar, e përsërisin edhe të paqytetëruarit e djeshëm, të cilët u tërhoqën tek i Ngjalluri nga dëshmitarët bashkëkohorë të Ngjalljes, misionarët. ‘Krishti jeton, Krishti triumfon, Krishti mbretëron!'”

Mitropoliti i Beratit, Ignati

“Prania e Zotit të ngjallur përhap te gjithsecili që e beson, paqe, gëzim dhe shpresë. Paqja e Pashkës është fitorja e madhe e Zotit tonë Jisu Krisht mbi urrejtjen dhe armiqësinë dhe një dhuratë e çmuar për të gjithë njerëzimin. Sipas Shkrimit të Shenjtë dhe mësimit të Etërve të Kishës, paqja është dimensioni i vërtetë i ekzistencës njerëzore dhe thelbi i pajtimit me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Grindjet, konfliktet dhe lufta janë shfaqje të mëkatit njerëzor dhe i përkasin gjendjes së njeriut të rënë dhe në to nuk ka as drejtësi, as justifikim dhe aq më pak shenjtëri.”

Mitropoliti i Korçës, Joani

“Kanë menduar se e mundën Krishtin, por Ai i turpëroi me Ngjalljen e Tij. Mendojnë se do ta shkatërrojnë Kishën, por ajo do t’i thyejë vargonjtë e paudhësisë.

Do të mendojnë se do të na shkatërrojnë edhe ne, por do t’i shkatërrojë Ngjallja e Shpëtimtarit.

Prandaj me gëzim dhe forcë le të vazhdojmë, miqtë e mi, në sfidat tona, se Krishti e mundi botën, e mundi vdekjen, e mundi djallin.”

Mitropoliti i Fierit, Nikolla