Gazetës Shqiptare
Të dielën, 5 tetor, në gazetën tuaj është botuar korrespodenca pa emër nga Elbasani “At Marku: Të largohet Janullatos”. I mbushur me fyerje dhe të pavërteta, ky shkrim i shtohet disa të tjerëve të ngjashëm, të botuara më parë. Sigurisht, është e drejta juaj si gazetë të mbani edhe qëndrime të njëanshme. Eshtë e drejta juaj të zgjidhni të mbështetni një figurë të diskredituar, si N. Marku, duke iu kundërvënë gjithë Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë. Por, sigurisht, artikullshkruesi nuk ka të drejtën të gënjejë dhe ofendojë.
Në shkrim afirmohet se “Marku ka qenë prifti i parë që ka zhvilluar një meshë në shqip në tetorin e dy viteve më parë, në kishën e Shën Marisë”. Për njohuri, meqë nuk merrni mundimin të informoheni, mesha e parë pas përndjekjes komuniste u bë në Berat më 12 dhjetor 1990 (sigurisht në shqip). Ndaj, afirmimi i mësipërm nuk është vetëm një mashtrim, por edhe një fyerje e rëndë që i bëhet atyre 80 klerikëve shqiptarë, që çdo ditë celebrojnë shërbesa në gjuhën e nënës (pa përfshirë këtu klerikët minoritarë), është një fyerje për kujtimin e klerikut të vjetër At Spiro Velit, që e çeli atë kishë në 1991 dhe ndaj klerikëve kanonikë të Elbasanit, që kremtuan aty deri sa Kisha e Shën Marisë u përdhos me dhunë nga Nikolla Marku.
Gjithashtu, ju flisni për një “Kishë Kombëtare Orthodhokse” dhe një komitet për mbrojtjen e saj, të drejtuar nga një farë Dhimitër (Mustafa) Kotorri. Duhet të keni të qartë se në Shqipëri ekziston vetëm një Kishë Orthodhokse – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Çdo tentativë përçarëse për të shpikur kisha të tjera është sa e kotë po aq edhe kundër interesave kombëtare.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë