EmailFacebookKontakt

Në shpellën e Vithleemit

Po afrojnë Krishtlindjet dhe zemra e secilit shkon në Tokën e shenjtë. Aty ku lindi Krishti. Në shpellën e Vithleemit.

Eshtë shpella më e dëgjuar e botës. Ndodhet në qytetin e Vithleemit. Rruga që të çon nga Jerusalemi në Vithleem është e mirë, e bardhë si pëlhurë. Por për ne nuk është edhe kaq e rëndësishme rruga! Sepse mendimi ynë është në Shpellën e shenjtë! Vithleemi është i rrethuar nga masive të gurta! Shikon pak gjelbërim! Pak vreshta. Pak ullinj. Arra të vogla me grurë. Eshtë plot shkëmbinj! Por të gjitha këto na gjejnë indiferentë! Shpirti ynë mezi pret të shikojë shpellën e shumëdëshiruar! Kalojmë Manastirin e Profet Ilisë, ku sipas traditës kaluan natën tre magët pas lutjes së tyre në Vithleem. Aty morën lajmin nga Qielli, të mos ktheheshin te Irodhi. Por të iknin për në atdheun e tyre nga ndonjë rrugë tjetër!

Vithleem (Beth Lehem) do të thotë “Shtëpia e Bukës”. I mistershëm, pra, emri i qytetit ku lindi Ai që tha: “Unë jam buka e gjallë”. Eshtë një qytet i vogël arab. Vetëm arabisht dëgjon aty. Pak greqisht. Pak hebraisht. Dhe pak rusisht. Dhe u bëjnë reklamë ikonave, kombosqinave, kryqeve të vogla prej fildishi e artikujve të imët prej dru ulliri që shesin. I gjithë qyteti jeton nga Krishti. Për mijëra vjet!

***

Por të gjitha këto pak na interesojnë. Sytë tanë kërkojnë Shpellën e lavdishme. Ku është Shpella? Na çojnë shumë rrugë. Dhe përfundimisht gjejmë një Kishë të lashtë me shumë kollona mermeri. Këtu është Shpella! Brenda në këtë Kishë! E ndërtoi Perandori Justinian mbi Shpellën 500 vjet pas Lindjes së Krishtit. Zbresim disa shkallë në Kishë. Dhe ja Shpella. Zemra rreh fort. Merr zjarr! Në këtë shpellë të ftohtë filloi të rrahë për herë të parë zemra më e ngrohtë e botës! Çdo rrahje e asaj zemre tregonte dhe shpallte dashurinë dhe vetëm dashurinë për gjininë njerëzore!

– Në të djathtë një Tryezë e Shenjtë. Rreth saj kandile. Të arta dhe të argjendta. Këtu, Virgjëresha Mari lindi Krishtin.

– Në të majtë, një tjetër Tryezë e Shenjtë me kandile. Këtu ishte grazhdi me kashtë ku e Tërëshenjta Mari vuri Foshnjën Hyjnore “në shpërngënj”.

Shumë lutësa qajnë nga emocionet. Tha Perëndia nëpërmjet Profetit: “Po ju heq zemrën tuaj të gurtë dhe po ju jap juve zemër të re mishi” (Iezekia 36,26). Në shpellën e gurtë zemrat e gurta bëhen të buta! Shpellat janë gjithmonë të ngushta dhe të errëta. Dhe në Tokën e Shenjtë ka shumë shpella. Disa përdoren për të qëndruar kafshët. Disa përdoren për të qëndruar njerëz. Dhe disa të tjera përdoren për varre. Biri i Perëndisë kur la fronin për të zbritur në tokë, nuk zgjodhi as shpellën më të mirë, as shpellën më të ndriçuar, as atë më të rehatshme! Çfarë përulësie! Çfarë poshtërimi duroi për ne! Biem në gjunjë dhe lutemi. I bëjmë metani Atij! I falemi planit të Tij hyjnor. Dashurisë së Tij hyjnore. Ndërkohë zemra jonë lartësohet nga shpella në mbretërinë e qiellit dhe të dheut, te Fitimtari mbi vdekjen dhe mëkatin!

***

Por, në fund të fundit çfarë është ajo shpellë? Eshtë dëshmi e vazhdueshme e madhështisë së Tij! Zoti i Ngjallur dhe i Gjallë, udhëtonte në mënyrë të padukshme bashkë me ne. Ashtu si bëri dikur me dy nxënësit e Tij për në Hemaus! Ndjejmë praninë e Tij në çdo hap. Dhe gëzohemi. Dhe e ndjemë akoma më tepër kur kënduam: Lindja Jote, o Krisht, Perëndia ynë! Ushtoi si një këmbanë e madhe. Ushtonte e gjithë Kisha. Më pas u larguam. Por lamë aty përgjithmonë zemrën tonë: në Shpellë! Dhe Shpella e Shenjtë mbeti përjetë në zemrën tonë.