Në pritje të vitit të ri…
Në rrethin vicioz të përplasjeve tona të brendshme…
Edhe një vit tjetër kaloi pa e kuptuar! Sa në faj ndihem… Ndiej zë kritik që buron nga thellësia e ndërgjegjes sime, tek ka zënë për fyti shpirtin tim, duke e paralajmëruar për herë të fundit. Mundim të madh kam brenda vetes.
– Mjaft më! Deri kur? Nuk durohesh më!
– Edhe vetë nuk e duroj më veten. Ç’kujton? Se më pëlqen kjo që jam? Nuk mundem, nuk duroj më të konstatoj po të njëjtat probleme. U lodha!
E megjithatë, mbaj mend shumë mirë se të njëjtat beteja kisha edhe vitin e kaluar. Kujtoj madje edhe premtimet që i bëja vetes me zë të dridhur: “E kuptoj. Nuk mund të vazhdoj më. Nga sot e tutje fillon program më i rreptë. Kam për t’u kujdesur për këtë… Nuk kam për të lejuar që të përsëritet ajo… në asnjë rast…” e të tjera të tilla të ditura, sajesa të hipokrizisë, me apo pa dashje…
Këto, vjet… Përsëri të njëjtat edhe sivjet… Pyes veten nëse jam serioz në këtë bisedë me veten; nëse vërtet hidhërohem dhe dua të ndryshoj; sikur edhe të përmirësohem disi, me më pak dështime… Eh, çfarë po them? E ç’janë këto që them e stërthem unë i mjeri, hipokrit profesionist! Vijoj së dhëni zotime falas… Siç duket, nuk jam mirë! Nuk mund të interpretohen me logjikë ato që mendoj dhe bëj, në lidhje me ato që dua së brendshmi! Si vallë, të mund të dua të shkatërroj veten?! Nga ana tjetër, e di shumë mirë se çfarë duhet të bëj që të jem i saktë, i sigurt dhe i sinqertë me ato sa dua.
Sa më shumë e analizoj, e ndjej se nuk jam aspak mirë. Dhe sa më thellë depërtoj në thellësitë e mia, nuk mund ta besoj në asnjë rast se nuk jam mirë! Është e mundur të mos jem mirë? Përderisa e kuptoj se brenda meje, mendimet e mia, sjellja ime, vetja ime – madje të gjithë rrotull ma thonë, gjithë rrethi im shoqëror – punojnë “normal”. Mundem të ndërgjegjësohem se shumë herë nuk ia dal të arrij në rezultate spektakolare, por besoj e ndihem brenda vetes se jam mirë! Nuk e di si, por tani që po e trajtoj më mirë ndjej një siguri shumë të çuditshme për këtë! E në rast se, në fund të fundit, nuk është kështu dhe me të vërtetë nuk jam mirë? Vërtet, në këtë rast, çfarë duhet bërë? Çfarë bëj? Si e kapërcej këtë? Në asnjë mënyrë nuk mund të vijoj të jem kështu i dyzuar dhe vazhdimisht në vetëpërplasje…
Deri në këtë pikë, skenari shkruhet thuajse i njëjtë, me protagonist secilin prej nesh… Në nënshtresat e brendshme e më të thella të shpirtrave tanë konstatohet një betejë e brendshme e vazhdueshme, e cila zhvillohet mes premtimeve dhe punëve, zotimeve dhe shkeljeve, pasigurisë dhe sigurisë, depresionit dhe haresë, të vërtetës dhe hipokrizisë, jetës dhe vdekjes. Duam të jemi të fuqishëm, të ushtrojmë vetëkontroll, të jemi të vetëmjaftueshëm, e përfundojmë së qeni dramatikë e në vetëpërplasje. Madje, nëse nuk bëjmë shumë kujdes, e shkatërrojmë veten! Kjo është tragjedia e madhe dhe ironike e natyrës sonë pas rënies: “…Por shoh një tjetër ligj në pjesët e trupit tim që lufton kundër ligjit të mendjes sime, dhe më skllavëron në ligjin e mëkatit që është në pjesët e trupit tim. Mjerë unë njeriu! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i vdekjes?” (Rom. 7:23-24). Është gjerësisht i ditur konstatimi se “… shpirti është i gatshëm, po mishi është i pafuqishëm” (Mt. 26:41). Por si vallë kemi për ra rregulluar këtë? Pyesim veten… Kursi diakronik i historisë gjykon se e morëm jetën gabim. E ndërsa na u dha shans i madh për të zgjedhur të jemi përjetësisht të lirë, të pavdekshëm e të sigurt, ne, me naivitet u vetinternuam, duke parapëlqyer atë që me shekuj jetojmë tashmë, qarkun vicioz të përplasjeve tona të brendshme. E morëm vetë me fryrje mburracake, në duart tona të pafuqishme dhe të pafta, përgjegjësinë e madhe për të trajtuar jetën tonë. E vërtetë, tani, kush ka për të na ndihmuar pas aq doze arrogance, pas gafash të panumërta e aq shumë kryeneçësish, pas dinakërish të shumta dhe hipokrizish të përsëritura që na tradhtojnë vazhdimisht kundrejt të Vërtetës? Kush ka për të punuar së bashku (apo përsëri do Ta tradhtojmë?) për fundin tonë çlirues dhe shpëtimtar? Edhe këtë të fundit vetë e zgjedhim…
Vazhdimi i skenarit nga kjo pikë e në vijim ka për të të qenë përfundim i shkrimit tonë, personal dhe të lirë. E rëndësishme është se do të veproj siç dua, në liri të plotë: Ose me përulje ia nis ndryshimit tim me ndihmën e Perëndisë; ose vazhdoj jetën duke pasur prijës jo Perëndinë, por veten. Pra, zgjedh t’i përballoj përplasjet e mia të brendshme duke komunikuar me ndonjë trajner të arteve marciale, apo ndonjë astrolog, magjistar ose terapist, të gjithë të paguar shtrentjë. Në këtë mënyrë, rrethi i përplasjeve të mia vijon pandërprerë brenda meje duke shtuar vazhdimisht rrotullimet e duke djegur dhe boshatisur nga përmbajtja thelbësore shpirtin tim, ndërkaq që mbush gjithë e më shumë xhepat e atyre, që “realisht kujdesen” për shëndetin tim të mirë.
Krishti për këtë arsye erdhi në botë: që të ofrohet në përulësi e të kungohet thelbësisht me secilin shpirt njeriu, si mik, si vëlla, si atë, si Shpëtimtar dhe si mjek i shpirtrave dhe trupave tanë. Besoj në hirin e pashtershëm dhe përdëllimin e Tij të Madh dhe uroj që të bashkëpunoj pa hipokrizi këtë vit me Të, për çështjen e shpëtimit të shpirtit tim. Jam i sigurt se vetëm kështu gjërat do të bëhen më mirë për të ardhmen time, si në këtë botë ashtu dhe në përjetësi!
Ark. Pamfili,
(përktheu O.B.)