EmailFacebookKontakt

Në periudhë demokracie në shtëpinë e Zotit nuk hyhet duke shpërthyer derën

Për të dytën të dielë radhazi, një laik i veshur si prift, i ndihmuar nga disa pasues të pakët, ka penguar me dhunë kryerjen normale të riteve fetare.

Në orën 7.30 të mëngjesit iu drejtuan kishës së Fjetjes së Shën Marisë për të kryer Meshën Hyjnore, famulltari i kishës dhe kryetari i këshillit fetar të Elbasanit, At Gjergji, i shoqëruar nga dy përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Përfaqësuesi i përgjithshëm arkieratik, protopresviter At Jani Trebicka dhe përfaqësuesi arkieratik i dioqezës së Beratit, ikonom At Kozma Qirjo, si dhe nga klerikë të tjerë të qytetit, anëtarë të këshillit të kishës dhe një grup i madh besimtarësh.

Të gjithë u befasuan nga porta e shpërthyer e kishës, në një kohë kur çelsat e saj i kishte At Gjergji. Brenda gjetën një grup të vogël njerëzish, të cilët nuk luteshin, por bërtisnin, si dhe Nikolla Markun të veshur si prift, të gatshëm për të luajtur aktin e dytë të tragjikomedisë. Ata i ndaluan klerikët e KOASH-it të hynin në hierore për të kryer ritet e shenjta dhe pas një debati i shtynë me forcë dhe i nxorën jashtë. Pas kësaj, 4-5 persona zunë derën e kishës, ku lejonin të futeshin vetëm të rekrutuarit e tyre, gjithë gjithë rreth 30 veta.

Jashtë u mblodhën shumë besimtarë elbasanas, të cilët dëshmonin se ata njerëz që ndodheshin brenda nuk përfaqësonin orthodhoksët e qytetit dhe se e kishin parë derën e Kishës vetëm në dy të dielat e fundit. Besimtarët largoheshin të dëshpëruar, pasi klerikët iu bënin thirrje të mos i përgjigjeshin dhunës me dhunë, por me lutje. Madje, kishte prej tyre që dëshmuan se kishin ardhur megjithë kërcënimet tepër të rënda që iu ishin bërë shtëpi më shtëpi. Klerikët e KOASH-it u larguan rreth orës 9.00, ndërkohë që me “dyer të mbyllura” vazhdonte sakrilegji që të kujtonte epoka të shkuara.

Ndonëse u krye një akt dhune për hapjen me forcë të kishës dhe u pengua ushtrimi i lirë i besimit, forcat e rendit, megjithëse të lajmëruara dhe prezente, nuk vepruan.

Kisha e Elbasanit u bë kështu sërish viktimë e dhunës të ushtruar nga disa persona të pakët, por çuditërisht me mbështetës të fuqishëm në prapaskenë, në kundërshtim me vullnetin e besimtarëve orthodhoksë të qytetit. Kjo gjë nuk shkel vetëm të drejtat themelore të besimtarëve, por përbën edhe shkelje të ligjeve në fuqi dhe do të vinte në dyshim lirinë e fituar fetare nëse do të përsëritej nën indiferencën e autoriteteve lokale.

Elbasan, 15 tetor 1995

Të dielën 22 tetor, besimtarët orthodhoksë të Elbasanit u mblodhën për të bërë përshpirtje për 6-muajt nga vdekja e priftit të tyre Stavrofor At Spiro Veli i cili u shërbeu në kohë të vështira që nga viti 1952. Për të bashkëmeshuar me priftin e kishës së Elbasanit At Gjergji në përshpirtje, kishte vajtur edhe kolegu i vjetër i të ndjerit At Spiro, Ikonomi Stavrofor At Kozma Qirjo.

Grupi i vogël i N. Markut, kësaj here shumë më i vogël se të dielën e kaluar (rreth 15 vetë, kryesisht të afërm edhe miq, jo të gjithë të besimit orthodhoks) kishin bllokuar të dy dyert e kishës dhe penguan kryerjen e përshpirtjes. Prifti 77 vjeçar At Kozma Qirjo, i cili, megjithë rreziqet e mëdha nuk pushoi s’u shërbyeri besimtarëve orthodhoksë të gjithë Shqipërisë edhe gjatë komunizmit, u pengua tani, në kohë demokracie, nga N. Marku & Co. të kryejë shërbesën në shtëpinë e Zotit. Pas kësaj qindrat e besimtarëve të mbledhur u drejtuan për në varrezat e qytetit ku kryen edhe përshpirtjen.

Megjithëse Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kishte njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Rendit Publik dhe Komisiariatin e Policisë Elbasan, laiku N. Marku & CO vazhdojnë në mënyre të çuditshme dhe sakrilegje të mbajnë rob Kishën e Shën Marisë duke shkaktuar indinjatën e besimtarëve orthodhoksë në të gjithë vendin.

Në mbledhjen e tij të sotme të rradhës, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhet nga përfaqësues klerikë dhe laikë të Kryepiskopatës dhe të 3 Mitropolive të vendit, dënoi njëzëri me forcë veprimet e laikëve A. Koja dhe N. Marku dhe atyre që i nxisin dhe theksoi se besimtarët orthodhoksë të bashkuar do t’u bëjnë ballë edhe kësaj here planeve të qarqeve të njohura që përpiqen të krijojnë pengesa në zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e cila është institucion zyrtar me struktura të qarta administrative i njohur nga shteti, nga gjithë Orthodhoksia dhe bota e krishterë më gjerë.

Tiranë, 23 tetor 1995