U largua nga kjo jetë z. Petraq Jorgoni, duke trishtuar familjen, bashkëshorten me djemtë, miqtë, të afërmit dhe të njohurit e tij. Një njeri që, me jetën e tij, tregoi shembullin e një besimtari shpresëtar, të thjeshtë dhe plot energji.
Me karakterin e tij dinamik, Petraq Jorgoni la gjurmë edhe në enorinë e kishës së Durrësit. Është nga ata njerëz, që ka dhënë një kontribut të çmuar për komunitetin orthodhoks të qytetit. Ai ishte anëtar i këshillit kishtar që në fillimet e tij. Me aftësitë e tij komunikuese dhe me gatishmërinë e përhershme, i papërtuar dhe i palodhur, është vetofruar për vite të tëra, madje edhe duke marrë iniciativa personale, në shërbim të Kishës Orthodhokse në qytetin tonë.
Pjesë e grupit të punës për kthimin dhe kompensimin e pronave, i gatshëm për familjet në nevojë, duke dhënë kontributin e tij për mbledhjen dhe përgatitjen e pakove ushqimore. Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe në pritjet zyrtare që organizonte kisha jonë me rastin e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve.
Petraq Jorgoni do të kujtohet si një njeri që punoi me dashuri, me përkushtim dhe pa asnjë interes, duke mbledhur thesare qiellore, në shërbim të Kishës, të njerëzve dhe të komunitetit të Durrësit.
Ai, gjithashtu, ka qenë një basketbollist i shquar me “Lokomotivën”, “Dinamon” etj., i vlerësuar nga gjithë banorët e Durrësit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Atë Spiro Kostoli