Si çdo vit, festa e Shën Prokopit fillon qysh në mbrëmje, besimtarët ndoqën shërbesën e mbrëmjes dhe bekimin e pesë bukëve dhe disa qëndruan gjithë natën në kishë.
Më 8 korrik, Liturgjinë Hyjnore e drejtoi Kryepiskopi Anastas i ndihmuar nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Protopresviter Jani Trebicka dhe shumë klerikë të tjerë. Për jetën e Shën Prokopit foli At Kozmai. Sipas traditës, bë litani rreth kishës me ikonën e Shën Prokopit, duke psalur, ku morën pjesë Kryepiskopi Anastas, klerikët, besimtarët, kori i rinisë etj. Kjo qe një ceremoni mbresëlënëse, që u ndoq edhe nga njerëz të tjerë që ndodheshin në mjedisin jashtë.
Duke kujtuar këtë ditë, menduam për vështirësitë e hasura për të marrë kishën në dorëzim, e cila u realizua pas kërkesave të vazhdueshme e këmbëngulëse, nga greva e urisë e të rinjve dhe deri tek pelegrinazhi.
Liturgjia e parë u bë fill pas marrjes në dorëzim të Kishës, më 15 gusht, ditën e kremtimit të “Shën Marisë”. Në fjalën e tij Kryepiskopi Anastas theksoi: “Se ju kisha thënë në qoftë se kemi besim do shohim mrekullira… dje qe restorant, sot po zhvillojmë Liturgjinë… por kemi shumë rrugë përpara… kur jemi të pasur në besim mos u shqetësoni. Le të shohim dhe shumë mrekulli të tjera.” Kanë kaluar 11 vjet nga këto fjalë dhe kemi parë shumë mrekullira të mëdha, që janë realizuar në saj të punës së gjithanshme të Kryepiskopit Anastas dhe duke patur besimin dhe bekimin e Perëndisë do të shohim mrekulli të tjera, si ndërtimin e Katedrales në qendër të Tiranës e shumë e shumë të tjera.
Koçi Berati