EmailFacebookKontakt

Në festën e Shën Gjergjit, Vernicë-Dibër

Ditën e enjte, më 6 maj 2004, ditën e Shën Gjergjit Tropeprurës (me kalendarin vjetër) një grup besimtarësh orthodhoksë nga Tirana, rreth 25 vetë, organizuan një pelegrinazh në kishën e Shën Gjergjit të fshatit Vërnicë të Komunës së Klenjës në Dibër. Për herë të parë mbas kaq kohësh besimtarët e këtij fshati me një histori të veçantë u mblodhën sërish së bashku për të lavdëruar Perëndinë. Ishte emocionuese të shihje se si ata përloteshin pranë kishës së tyre, ku ishin pagëzuar, kurorëzuar apo kishin përcjellë të dashurit e tyre për në banesën e fundit. Shërbesën e drejtoi At Justini nga Mali i Shenjtë, i shoqëruar dhe nga dhjak Ilia me origjinë nga ky vend. Pastaj At Justini bëri përshpirtje në varret që janë pranë kishës, ku prehen të krishterët e fshatit Vërnicë.

Mbas lutjeve, klerikët së bashku me disa besimtarë u drejtuan për në shtëpinë e zotit Spiro Marku, familja e të cilit ishte e fundit që ka mbetur në fshat, nga rreth 40 familjet e dikurshme të besimit orthodhoks. Ai, i përmalluar, na priti me këto fjalë: “Ju faleminderit, ma gëzuat zemrën! Ma ngjallët dhe njëherë fshatin!” Pas drekës fshatarët kërcyen dhe kënduan këngë e valle të krahinës së Gollobordës, në një atmosferë shumë gazmore dhe festive. Mbasdite autobusi mori rrugën e kthimit. Të pranishmit në këtë festë, me ngazëllim dhe mirënjohje të madhe për Perëndinë, u larguan me premtimin se vitin tjetër do të kthehen sërish në kishën e Shën Gjergjit, në vendlindjen e tyre.

Fshatrat e Gollobordës deri në shek. XX, kanë pasur dëshmi të gjalla të prezencës së Krishterimit në këto vise, si përsa i përket komunitetit orthodhoks ashtu edhe monumenteve të kultit: kisha, themele kishash apo toponime kristiane si, në Kërçisht, Orbel, Pasinkë, Tuçup, Trebisht, Vërnicë, Ostreni i Madh, Ostreni i Vogël, Klenjë, Gjinovec, Steblevë.